E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e nënës së Elsa Lilës,autori në kërkim nga Interpoli

13/04/2005  Dyshohet se Eva Lila ka kundërshtuar të kryente marrdhënie intime me të njohurin që po udhëtonte

Prokuroria dhe policia e Tiranës, kanë arritur të identifikojnë operativisht personin e dyshuar si autor të vrasjes së nënës së Elsa Lilës, Eva Lilës, në fillim të vitit ‘97. Emri i tij i është përcjellë zyrës së Interpol Tiranës dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo pasi nga verifikimet e kryera deri tanimë nuk rezulton të ndodhet në Shqipëri. Identiteti i personit të dyshuar nuk është bërë i ditur nga organi i akuzës, për shkak të sekretit hetimor. Nga rifillimi i hetimit është konkluduar se i dyshuari ka qenë i njohur i Eva Lilës dhe mund ta ketë ekzekutuar si shkak i një zënke të çastit. Dyshohet që Eva Lila të mos i jetë nënshtuar dëshirës së tij për të kryer marrdhënie intime.

Autorësia

Pas rifillimit të hetimit para disa javëve dhe verifikimit të të gjithave proçedurave të kryera më parë në këtë dosje, janë ngritur dyshimet mbi një person konkret lidhur me autorësinë e ngjarjes. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se dyshimet janë të bazuara kryesisht në informacione të marra në rrugë operative nga policia. Burimet pohojnë se kanë arritur të sigurojnë edhe dëshmi për rrethanat e ngjarjes. Dyshohet që autori i vrasjes të ketë qenë një i person i njohur nga vetë Eva Lilës. Bazuar në informacionet operative dyshohet që ai të jetë ndodhur në të njëjtën autoveturë me Eva Lilën duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit. Burimet thonë se i dyshuari mendohet t’i ketë kërkuar Eva Lilës të kryejnë marrdhënie intime, por e ëma e këngëtares së njohur e ka kundërshtuar. Ky mendohet të ketë qenë edhe shkaku që ka çuar në grindje me pasojë vrasjen e Eva Lilës. Burimet theksojnë se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pasi Lila nuk i është bindur urdhërit të tij. Tjetër faktor që ka ndikuar në këtë vrasje, mendohet të jetë edhe psikologjia e shqiptarëve gjatë trazirave të vitit ’97, kur mungonte ligji e mizotëronte vetëgjyqëisa, shpjegojnë burimet e organit të hetimit. Këta faktorë dyshohet që të kenë çuar në degjenerimin e sherrit në vrasjen e Lilës, e cila u gjet nga kalimtarë të rastësishëm e masakruar me sende të forta.

Hetimi

Puna e organit të akuzës, mësohet të jetë përqëndruar në verifikimin e të gjitha proçedurave hetimore të kryera pas vrasjes nga policia dhe prokurorët e çështjes atëherë. Burimet thonë se do të rishikohen të gjitha veprimet hetimore të kryera më parë, për të vërejtur nëse ka elemente të reja të cilat nuk janë proçeduar atëherë. Për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, provat materiale janë fare të papërfillshme sqarojnë burimet. Gjithçka mësohet të jetë siguruar operativisht dhe me antë të dyshimeve. Ndërkaq, organi i akuzës ka identifikuar një person të dyshuar si autor të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Identiteti i tij, u është përcjellë të gjitha pikave kufitare dhe Interpolit me qëllim gjetjen e vendodhjes ku strehohet, thonë burimet. Ato shtojnë se po punohet për sigurimin e provave materiale për këtë ngjarje, me anë të dëshmive dhe të përgjimeve telefonike të personave ytë dyshuar se kanë dijeni mbi ngjarjen dhe të dyshuarit kryesor për autorësinë. Ka qenë një letër e të afërmve të Eva Lilës që ka iniciuar fillimin e hetimeve pas tetë vitesh, përfundojnë burimet e prokurorisë.

Ngjarja

Eva Lila u masakrua dhe u hodh në rrugë

Ka qenë fillimi i vitit 1997, kur në Shqipëri kishin filluar trazirat, koha kur Eva Lila, nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila, është gjetur e pajetë nga kalimtarë të rastësishëm në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë. Burime të prokurorisë thonë se nga këqyrja e viktimës dhe ekspertizës mjeko-ligjore të kryera atëherë, ka rezultuar që ajo të ishte goditur me sende të forta deri sa kishte ndërruar jetë. Por, policia atëherë nuk ka arritur të sigurojë prova materiale, pohojnë burimet. Gjithashtu gjendja e nderë gjatë trazirave duket se ka penguar hetimet, sqarojnë ato. Ndërkaq, autori i ngjarjes nuk është larguar pa u vënë re në drejtim të paditur, duke mbetur enigmë për afro tetë vjet. Burimet thonë se nga rifillimi i hetimeve është arritur në një emër konkret si të dyshuar për autorësinë, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Motivi

Dyshimi, nuk pranoi të kryente marrdhënie intime

Dyshohet që Eva Lila të ketë qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit me një autoveturë në të cilën është ndodhur një person i njohur i saj. Ky person mendohet të jetë edhe autori i mundshëm i ngjarjes, thonë burimet e prokurorisë. Ndërsa për motivin, nga informacionet e marra oeprativisht, dyshohet se konfilkti mes tyre ka lindur si pasojë e kundërshtimit të Eva Lilës, për kryerjen e marrdhënieve intime. Burimet thonë se i njohuri ie Lilës, dyshohet t’i ketë kërkuar të kryejnë marrdhënie seksuale. Por e ëma e këngëtares e ka refuzuar këtë kërkesë duke kundërshtuar forcën dhe dhunën e ushtruar prej tij. Në grindje e sipër mendohet që autori ta ketë qëlluar Lilën me sende të forta duke e lënë pa ndjenja. Ndërkaq e ka qëlluar edhe herë të tjera duke e masakruar dhe më pas e ka braktisur në rrugë. Burimet e akuzës shprehen se gjithçka dyshohet të ketë ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Më pas ai e ka braktisur atë në anë të rrugës në kilometrin e 29 të aksin rrugor Tiranë Elbasan, në Qafë-Kërrabë.

Erjeta dhe Kozeta, femrat që u vranë nga të “njohurit” e tyre

Edhe dy ekzekutime të bujshme të femrave ndodhur vite më parë, dyshohet të jenë kryer nga të njohurit e viktimave. Kështu, më 19 shkurt të vitit 1999, u gjet e masakruar pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti, 21-vjeçareja vlonjate Kozeta Hyesni. Vajza e ish-prokurorit të Vlorës në atë kohë, e cila studionte në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi pranë Fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë. Ajo u gjet nga persona të rastësishëm mëngjesin e 19 shkurtit. Nga hetimet e kryera është konkluduar se peroni që e ka thirrur ka qenë i njohur i saj. Kjo pasi 21-vjeçareja Hyseni ka dalë dhe ka hipur në autoveturën e tij me të cilën janë larguar jashtë qytetit studenti. Tjetër fakt që tregon njohjen e viktimës me atë të autorit të vrasjes, ka qenë edhe veshja e saj. Kjo, pasi Kozeta ishte e veshur me teshat që mbante në dhomë gjë që tregon se ajo ka dalë të takohet me një të njohur. Gjithashtu, edhe Erjeta Avdyli, bashkëshortja e ish-shefit të Komisariatit nr.1 në Tiranë, dyshohet të jetë vrarë nga një i njohur i saj. Kjo për vetë faktin se ajo u gjet e groposur në fshatin Romanat të Durrësit. Burime të prokurorisë dhe të policisë, thonë se autori i vrasjes, e ka marrë fillimisht në makinë dhe pasi e ka ekzekutuar e ka groposur aty. Fakti që autori fillimisht e ka marrë në makinë Erjetën ka ngritur dyshimet se ata të dy njiheshin me njëri-tjetrin, sqarojnë burimet e akuzës. Erjeta Vadyli, nënë e dy fëmijëve u konsiderua e zhdukur më 30 mars të vitit 2000 dhe u gjet më 14 maj të po këtij viti. Prindërit e saj akuzuan dhëndërrin Dritan Avdyli si autor të ngjarjes. Madje ky i fundit u akuzua edhe nga prokuroria, por u shpall i pafajshëm dhe u dëmshpërblye për kohën që kishte kaluar në burg. Ende pas pesë vitesh kjo vrasje mbetet pa autor, ndonëse është rifilluar disa herë hetimi me kërkesë të prindërve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›