E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet moti i keq në Shqipëri, dëme dhe bllokime lëvizjesh në disa rrethe



Rikthehet moti i keq dhe reshjet në të gjithë Shqipërinë, që sipas meteorologëve, do të vazhdojnë edhe gjatë 48 orëve të ardhshme. Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga shira të rrëmbyer dhe dëborë në zonat malore, duke shkaktuar probleme në disa rrethe. Burimet vendore bëjnë të ditur se një familje ka mbetur pa strehë në Sarandë si pasojë e dëmeve që shkaktoi moti i keq. Sipas tyre, në fshatin Metoq, 7 persona kanë mbetur pa shtëpi, pasi ajo u shkatërrua nga stuhia e fortë. Shiu i dendur ka bllokuar përkohësisht disa prej kryqëzimeve kryesore të qytetit bregdetar. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur se, pavarësisht nga deti i trazuar me forcë 7-8 ballë, në radën e jashtme kanë mbërritur gjatë ditës së shtunë 3 tragete që ishin nisur mbrëmjen e së premtes nga Porti i Barit, si dhe trageti “Riviera del Connero”, nga Ankona, i cili ka pasur një vonesë afro 12 orësh për shkak të motit të keq në brigjet e Italisë. Burimet bënë të ditur se tragetet “Aurelia” dhe “Riviera del Connero” janë ankoruar tashmë në sheshin përkatës, ndërsa rimorkiatorët dhe anijet e pilotazhit po drejtojnë manovrat për ankorimin e trageteve “Grecia” dhe “Ionis”. Në kalatat e portit është ndërprerë përpunimi i anijeve tregtare për shkak të reshjeve që e bëjnë të pamundur shkarkimin e mallrave nga hambarët. Deti i trazuar ka bllokuar daljen në det të dhjetëra motopeshkatoreve dhe katamaranit të linjës Durrës-Bari dhe kthim. Reshjet e djeshme, që vazhduan prej disa orësh, kanë rritur nivelin e ujërave në zonën pranë stacionit hekurudhor, në rrugën “Taulantia”, si dhe në rrugët periferike të Shkozetit, Plazhit dhe ish-Kënetës.
Ndërsa e gjithë zona e veriut është pushtuar nga reshjet e dëborës, duke shkaktuar bllokime të përkohshme të disa akseve që lidhin vendin tonë me Kosovën.
Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve bëjnë të ditur se reshjet e dëborës që nisën në mëngjesin e së shtunës në gjithë rajonin verilindor, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit.
Trashësia e dëborës në këtë zonë ka arritur mbi 10 centimetra dhe për normalizimin e situatës është dërguar një borëpastruese. Nga të njëjtat burime mësohet se shiu i dendur dhe dëbora në zonat e larta kanë shkaktuar bllokimin e akseve që lidhin komunat e Arrnit, Grykë Cajës, Zapodit e Kalisit me pjesën tjetër të vendit. Në disa fshatra të këtyre komunave trashësia e dëborës ka arritur mbi 30 centimetra. Reshjet e shiut e dëborës kanë shkaktuar probleme edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin e Peshkopinë, ku ka pasur rrëshqitje dheu e gurësh në trasenë e rrugës. Ndërkohë janë intensifikuar përpjekjet për mbajtur hapur akset kryesore rrugore, veçanërisht atë Morin-Kukës-Qafë Shllak ku është dhe lëvizja më e madhe e automjeteve.
E njëjta situatë është edhe në juglindje të vendit, ku dëbora ka mbuluar thuajse të gjithë zonat e qarkut të Korçës. Burimet zyrtare të Shërbimit të Meteorologjisë bëjnë të ditur se vendi ynë edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme, relativisht të ftohta dhe të lagështa. Moti do të jetë me vranësira të ndërrueshme, të shoqëruara me reshje shiu me intensitet të dobët dhe me kthjellime. ”Era do të fryjë me shpejtësi 2-10 m/sek në drejtim të verilindjes. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 4-5 ballë”, - thonë meteorologët.

TEMPERATURAT

Tirana 7 dhe 14
Shkodra 2 dhe 10
Durrësi 9 dhe 14
Lezha 6 dhe 13
Kuçova 5 dhe 15
Gjirokastra 6 dhe 12
Elbasani 7 dhe 14
Kukësi 2 dhe 7
Peshkopia 0 dhe 6
Korça 0 dhe 8
Vlora 10 dhe 15
Saranda 9 dhe 14

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›