E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukim për paqe në komunitet në zonat me gjakmarrje



SHKODËR - Komuna Rrethina në rrethin e Shkodrës vlerësohet si një nga zonat me nivel relativisht të lartë konfliktualiteti. Prej vitesh në këtë komunë kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë banorë të rinj nga zonat e Mbishkodrës, duke mbartur me vete në mjaft raste fenomenin e hakmarrjes për motive të ndryshme. Në shkallën e konfliktualitetit kanë influencuar edhe niveli ekonomik dhe veçanërisht problemet pronësore të mbartura ndër vite. Si në fshatin Grude e Re dhe atë të Bardhajt të kësaj komune ka familje të përfshira në konflikt për motive hakmarrje dhe gjakmarrje si dhe fëmijë të cilët nuk e vazhdojnë shkollën në mënyrë periodike. Në fshatin Bardhaj janë rreth 20 nxënës që nuk e vazhdojnë shkollën, ndërsa në shkollën Grude e Re numri i fëmijëve që nuk vazhdojnë shkollën është rreth 5 nxënës. Një pjesë e fëmijëve e vazhdojnë shkollën deri në klasën e katërt, ndërsa disa prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë në shkollë. Drejtuesit e të dyja shkollave po përpiqen të plotësojnë boshllëkun e krijuar nga mos vijueshmëria e shkollës duke dërguar mësues në shtëpitë e nxënësve për t’ju zhvilluar mësime në lëndët kryesore bazë si Gjuhë, Letërsi, Matematikë etj. Në mbështetje të përpjekjeve që janë duke bërë Drejtoria Arsimore e rrethit të Shkodrës, gjatë periudhës shtator-dhjetor 2008, fondacioni “Zgjidhja e konflikteve”, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Vodafone-Albania-s, në kuadër të projektit “Promovimi i edukimit për paqe në komunitetet me shkallë të lartë konfliktualiteti”, ka organizuar në shkollat e kësaj komune, përkatësisht në shkollat 9-vjeçare “Grudë e Re” dhe “Bardhaj” një sërë aktivitetesh si vizita dhe biseda ne familjet e fëmijëve të cilët kanë ndërprerë mësimin, seminare dhe trajnime me mësues në fushën e parandalimit dhe transformimit paqësore te konflikteve, komunikimit e ndërmjetësimit. Programi ndërgjegjësues dhe trajnues me mësues dhe nxënës ka konsistuar në tema dhe diskutime rreth llojeve dhe shkaqeve të konflikteve në komunitetin ku ata jetojnë e punojnë, format dhe metodat e transformimit paqësor të konflikteve, roli i negocimit, dialogut, ndërmjetësimit dhe pajtimit në zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve. Gjithashtu, takimet kishin si qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e parandalimit dhe transformimit paqësor të konflikteve në shkolla.
Në vazhdim të aktiviteteve të zhvilluara ishte edhe takimi i fundit i përbashkët me temë “Kultura e paqes dhe e konfliktit, transformimi paqësor i konflikteve në shkollë dhe komunitet” të organizuar në shkollën “Bardhaj” me pjesëmarrjen e 33 mësuesve dhe drejtuesve nga shkollat “Grudë e Re” dhe “Bardhaj”. Z. Fatmir Mehja, drejtor i shkollës “Bardhaj”, prezantoi përvojën e grupit të mësuesve të shkollës që ai drejton në fushën e edukimit për paqe dhe zgjidhje konfliktesh, rolin e mësuesve në dhënien e asistencës fëmijëve të cilët nuk vazhdojnë shkollimin, si dhe për frymën e bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe komunitetit.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime ndërmjet mësuesve të shkollave 9-vjeçare të komunës Rrethina për të gjetur rrugët më efektive dhe për të ndikuar pozitivisht në parandalimin e rasteve të hakmarrjes si dhe në edukimin e fëmijëve me frymën e tolerancës, mirëkuptimit, bashkekzistencës paqësore dhe zgjidhjes së konflikteve me pajtim e ndërmjetësim.

Alban Sevo

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›