E Diel, 1 Nëntor 2026

IDE KRITIKE DHE KRIJUESE



Përcaktimi i vendit të shqipes në lashtësi deri në këtë rrafsh nuk qe i mjaftueshëm. Kështu mbeten errësira në faza të ndryshme të historisë dhe të parahistorisë së shqipes. Albanologjia dhe paleoballkanistika donin të dinin se me cilën gjuhë të Ballkanit antik lidhet shqipja e me këtë të hidhnin dritë mbi periudha vërtet të errëta të historisë së Ballkanit. S’ka dyshim se shqipja është çelës me rëndësi. Historiani i kalibrit të Çabejtë në këtë fushë patjetër del ballkanolog me peshë. Në çështje të prejardhjes së shqipes, fjala e Çabejtë edhe sot është shumë e cituar, qoftë si detaj i verifikuar, qoftë si koncepcion i përgjithshëm. Në këtë punë ai vlerësoi një koncepcion dinamik për historinë, të kombinuar me kulturhistorinë dhe me dijet e kohës në këto fusha, si linguistika spaciale, etnolinguistika, etj. Këtu përthyhet e tërë begatia e ideve të tij kritike dhe krijuese.
Rexhep ISMAJLI

Binarët në të cilët hetohet prejardhja e gjuhës shqipe që prej kohësh janë dy: indoeuropian dhe ballkanik. Në rrjedhën indoeuropiane teoria e Franz Bopp-it për shqipen si gjuhë indoeuropiane pa lidhje të veçanta me gjuhët e tjera simotra të sanskritishtes erdh e zhvillua më tej me studimet e Gustav Meyer-it, i cili e karakterizoi edhe më afër si gjuhë indoeuropiane satem, vijë të cilën më vonë e saktësuan Holger Pedersen-i e Norbert Jokl-i. Pas bredhjeve jo fort të qëlluara në supozimin e lidhjeve të hershme me greqishten në kohën e August Schleicher-it, pastaj të Dhimitër Kamardës, ekzistuese por jo në atë shkallë dhe me siguri më të vona e të një rendi tjetër, albanistika theksoi më shumë faktin se shqipja si gjuhë satem më afër ishte me gjuhët veriore baltike e sllave të lindjes dhe gjermanike të perëndimit, por në të njëjtën kohë nuk u lanë pa vënë në pah afritë me armenishten, për çka kishte shkruar qysh Pedersen. Natyrisht, dëshmitë në këtë nivel gjindeshin kryesisht në fushën e leksikut, që as është vendimtar dhe as çdoherë specifik.
Gjithë duke e përfillur historinë e mendimit albanologjik mbi këtë çështje, Çabej i kishte hyrë spastrimit të shumë lajthitjeve në këtë fushë, njëherësh kishte nxjerrë në shesh elemente të reja që duhej të tregonin afrinë e shqipes me grupet e ndryshme: me gjuhët baltike e sllave jo vetëm si satem, po edhe në elemente të tjera deri edhe në fushë të foljeve; me gjuhët gjermanike veriore; me keltishten; me greqishten e me armenishten, me një fjalë, me gjuhë të lindjes e të perëndimit, të veriut e të jugut. Këtu sikur del në shesh parapëlqimi i tij për teorinë e valëve të Jochannes Schmidt-it e kundër drurit gjenealogjik të A. Schleicher-it. Koncepcioni i Çabejtë për historinë gjuhësore IE është antilinearist, kjo do t’ishte ideja themelore e kësaj fjale. Dhe pikërisht ky lloj historizmi e bën mësimin e tij të begatshëm dhe frymëzues, të hapur. Kjo vërehet edhe në konceptimin e raporteve dialektore të shqipes në rrafsh indoeuropian në raport me gjuhët e tjera, po edhe në konceptimin e historisë dialektore të shqipes vetë.
Prandaj, edhe kur ndeshi në zgjidhje si koncepti për ndarjen satem/ centum të gjuhëve, pra karakteri satem i shqipes në raport me të supozuarin centum të ilirishtes, Çabej diti të hapte rrugë duke e parë atë si fenomen historik, të ndryshueshëm në kohë dhe hapësirë, prandaj jo domosdo të papajtueshëm me mundësinë e një realiteti josatem të ilirishtes. Aty Çabej gjeti rastin edhe t’u përgjigjej disa vërejtjeve, që mund t’i jenë bërë atij apo konceptit që kishte ai nga studiues të tjerë.

* * *
Në vështrimin e Çabejtë, që shkon më tej te Jokli e të tjerët, në një periudhë më të hershme para-shqipja do të jetë folur më në veri të hapësirës së sotme, duke përfshirë dhe zonën e Karpateve, e të Beskideve, sepse supozon se këta emra shpjegohen përmes shqipes, më vonë do të ketë zbritur më poshtë drejt Ballkanit. Kjo, natyrisht, i avancon argumentimet për një afri të supozuar më herët me gjuhët baltike e sllave, ndërsa i largon ato që mund të flasin për lidhje që shkojnë nga juglindja dhe nga raportet me armenishten. Në këtë pikë pas Çabejtë ka pasur diskutime nga G. Klingenschmitt, i cili vë në pah edhe afritë me një grup të supozuar gjuhësh IE në Ballkan. Ndërkaq, Eric P. Hamp në dekadat e fundit e ka avancuar hipotezën e tij për ekzistencën e dikurshme të një fashe dialektesh albanoide nga Karpatet e deri te Shkumbini, prej të cilave ka mbijetuar vetëm shqipja dhe, natyrisht, elementi i përbashkët me të i leksikut të rumanishtes. Nga ana tjetër, vazhdojnë diskutimet për elementet para-greke IE e jo-IE, pra për pellazgjishten gjithnjë shumë të errët.
Është e qartë se kështu përcaktimi i vendit të shqipes në lashtësi deri në këtë rrafsh nuk qe i mjaftueshëm. Kështu mbeten errësira në faza të ndryshme të historisë dhe të parahistorisë së shqipes. Albanologjia dhe paleoballkanistika donin të dinin se me cilën gjuhë të Ballkanit antik lidhet shqipja e me këtë të hidhnin dritë mbi periudha vërtet të errëta të historisë së Ballkanit. S’ka dyshim se në këtë fushë shqipja është çelës me rëndësi. Historiani i kalibrit të Çabejtë në këtë fushë patjetër del ballkanolog me peshë.
I prirë nga parimi i njohur i shekullit historicist - “historia e gjuhës është historia e popullit që e flet atë”, Çabej do të kërkonte shpjegim të kënaqshëm për këto lëvizje të supozuara, por askund të dëshmuara. Dhe kjo qe nxitje e mjaftueshme për Çabejnë që të ndërmerrte hulumtimin e vendit të hershëm të shqipes në Ballkan. Kritika e tezave të Gustav Weigand-it i nxori në shesh rezultatin se format e toponimeve të lashtësisë në mjaft pika tregojnë zhvillime që shpjegohen përmes shqipes (Scupi, Scodra, Naissus, Durrachium, Issamnus, Drilon, Thyamis, Aulon, Astibos, etj.). Kjo u ndërlidh, natyrisht, me shpjegimin e karakterit njëherësh të ngjashëm dhe të ndryshëm me rumanishten të latinizmave, me ekzistencën e elementeve blegtorale, etj. Sipas konceptit të Çabejtë, elementi i përbashkët i shqipes me rumanishten është i shpjegueshëm si raport fqinjësie. Këtu madje Çabej rrugës shpjegoi një mori të dhënash. I doli më tutje se nga ato fare pak materiale ilire që mendohet se kemi në dispozicion lidhjet e shqipes me ilirishten nuk mund të mohoheshin, madje se nuk dukeshin më të pakta se me trakishten që njihet pak më mirë, etj.
Në këtë projekt Çabej çështjen e ktheu në renditjen e parme të gjërave. Së pari të dëshmonte se shqipja flitet në vazhdimësi afërsisht aty ku flitet sot diku nga Antika e këndej, e pastaj nisi rishqyrtimin e argumentimeve të ndryshme. Perspektiva historike,etnologjike e gjuhësore i doli më e drejtë nga perspektiva vetëm gjuhësore. I doli pastaj se këto argumente edhe gjuhësisht duheshin riparë. Kështu ,vendi i shqipes në Ballkanin e lashtë erdh e iu saktësua afërsisht aty ku flitet ajo sot dhe në hapësirat përreth, pra aty ku mendohet se flitej ilirishtja; ky vend historikisht është rezultat i restriksionit, mendonte Çabej, jo i ekspansionit, siç le të supozohet koncepcioni i Lebensraum-it.
Ndihmesa të vlefshme Çabej i ka sjellë albanistikës me studimin e mëtejmë të huazimeve nga greqishgtja e vjetër, për të cilat ai supozon se do të kenë hyrë nga dialekti dorik. Më tej ai vërente po ashtu se këto huazime janë kryesisht nga sfera e jetës së qyteteve dhe të kulturës mesdhetare dhe se, pavarësisht se nuk janë të shumta, me veçantinë e tyre flasin qartë për natyrën e kontakteve. Ky fakt, bashkë me ndikimin e madh të latinishtes, i cili në raport me rumanishten shfaq një aspekt më parë qytetar, flasin vetiu për të dhënën tjetër se shqipja në lashtësi do të jetë folur në hapësirat pandërmjetshëm afër këtyre dy gjuhëve, pra, atje ku jetonin ilirët e jugut.
Kur jemi te konceptimi historik, të themi gjithashtu se Çabej me të drejtë i kundërshtonte ata arkeologë që çështjen e autoktonisë e shtynin linearisht në kohë shumë të mugëta: si të gjithë indoevropianët, paraardhësit e shqiptarëve janë të ardhur në Ballkan. Pra, shqipja, pas tij, është e ardhur në Ballkan në kohë të lashta. Ata janë po ashtu kategori historike dhe e ndryshueshme. Këtu Çabej sikur lente të kuptohet se njësia ‘ilire’ apo më vonë ‘arbëre’, ashtu si ajo ‘greke’ apo të tjerat, është krijuar nga elemente të ndryshme, të homogjenizuara si pasojë e veprimit të faktorit politik. Në kohë të ndryshme ajo është e ndryshme. Kjo mbase zhvillohet deri në shkallën e formulimeve me dysi: shqipja është pasardhëse e ilirishtes me një komponentë trakase. Gjurmët e kësaj ideje na shpien te Jokli. Kjo ia shtonte maturinë në formulimin përfundimtar: ata që mendojnë se shqipja ka prejardhje trakase duhet të sjellin argumente të reja; deri atëherë mbetet më e pranueshme hipoteza ilire, mendonte ai. Ai nuk fliste për dëshmim përfundimtar, sakohë që ilirishten si gjuhë nuk e njohim.

* * *
Në çështje të prejardhjes së shqipes, fjala e Çabejtë edhe sot është shumë e cituar, qoftë si detaj i verifikuar, qoftë si koncepcion i përgjithshëm. Në këtë punë ai vlerësoi një koncepcion dinamik për historinë, të kombinuar me kulturhistorinë dhe me dijet e kohës në këto fusha, si linguistika spaciale, etnolinguistika, etj. Këtu përthyhet e tërë begatia e ideve të tij kritike dhe krijuese.
Në pikat: autoktonia e shqipes nga antika e këndej, raportet e shqipes me latinishten, raportet e shqipes me rumanishten, raportet e mundshme shqipja - ilirishtja, shqipja - trakishtja, çështje këto të lidhura drejtpërsëdrejti me prejardhjen e gjuhës shqipe, kontributi i Çabejtë në albanistikë është themelor. Asnjë shqyrtim i këtyre çështjeve nuk mund ta anashkalojë veprën e tij. Në vështrimin e raporteve shqipja - gjuhët e tjera indoeuropiane ai le vend për lëvizje më të mëdha: zhvillimin satem në shqipen e sheh të vonë; pozitën e shqipes disi qendrore në raportet lindje/ perëndim; lidhjet leksikore specifike të shumanshme me gjuhët e tjera, kushtëzimet gjeografike të kontakteve, gjurmët e të cilave nuk janë ruajtur, raportet gramatikore, etj.
Problemet e mëdha, siç është ai i prejardhjes së gjuhës shqipe, Çabej i shtronte në mënyrë komplekse: në dritë të argumenteve gjuhësorë, historikë, etnografikë, arkeologjikë, etj. Për zgjidhjen e tyre kërkonte rrugë të mëdha, ku ka vend për të shtruar shumë kontradikta që, të para nga një perspektivë më e ngushtë, shpesh duken të pazgjidhshme. Perspektiva e tij është ajo e historianit në kuptimin e gjerë të fjalës, e historianit që zhvillimin e gjuhëve e sheh të pandashëm nga zhvillimi i popujve që i flasin ato.
Derisa lidhur me metodën e zgjedhur të studimit, që në thelb është ajo e gramatikanëve të rinj me aportet e grupit të Schuhardt-it dhe të gjeografisë gjuhësore, në vitet ’50-’70-të dëshiroheshin dhe piketime edhe të mëvona, lidhur me njohjet konkrete të të dhënave gjuhësore të shqipes në fushën dialektore, në gjuhën e shkruar dhe në tërësinë e realiteteve të saj edhe në raport me gjuhë të tjera, Çabej ishte vërtet superior. Studimet për zhvillimin e shqipes, si ato për fenomenet e ndryshme fonetike, për shumësin e singularizuar dhe për çështje të morfologjisë më pak, më rrallë dhe në një tjetër nivel, sillnin risi së pari me materialet e bollshme, e pastaj me interpretimet, rreth të cilave ka pasur diskutime dhe mund të diskutohet. Mund të jetë që në Shqipëri atëherë pikërisht diskutimi i lirë ishte më i vështirë, kështuqë dialogu i Çabejtë me kolegët e tij në këtë rrafsh mund të jetë bërë i pamundshëm dhe i pafrytshëm. Për studimet albanistike kjo nuk mund të ketë qenë rrethanë ndihmuese. Por do të ketë pasur dhe vështirësi të tjera: kështu vepra madhore e Çabejtë për Buzukun e hartuar më 1958, u botua më 1968, ndërsa pjesa e parë e studimeve etimologjike, ku shpjegoheshin parimet e kësaj kryevepre, u botua shumë më vonë se vëllimi i dytë me rezultatet.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›