E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetojmë së bashku tërheq vëmendjen e publikut

Mbi 400 vizitorë kanë vizituar ekspozitën Jetojmë së bashku, e cila qëndroi e hapur 10 ditë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ajo kishte në fokus të saj dialogun ndërkulturor, i konsideruar së fundmi si pika kyçe e bashkëjetesës mes shteteve. Ekspozita u hap nga Këshilli Britanik me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe sipas të dhënave nga punonjësit e galerisë mësohet se ajo ka qenë në ndër ekspozitat më të vizituara gjatë këtij sezoni. Hapja e ekspozitës kishte si synim eksplorimin dhe multidimensionin e dialogut ndërkulturor në Europën moderne, duke punuar në disa sfera njëherësh; studim fenomeni dhe dialog institucional, arsimin etj. Ekspozita nëpërmjet artit të fotografisë solli çështje të kohezionit social, multikulturalismit, migrimit dhe bashkëjetesës. Kjo nismë ishte në kuadër të Vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor i shpallur nga Këshilli i Europës. Risia që përcolli kjo ekspozitë ishte përfshirja në të e artistëve të rinj, të cilët kanë realizuar 20 punime nga 60 të paraqitura, duke sjellë në to këndvështrime të ndryshme. Fotografia e një shtëpie të vjetër ku në kulmet e saj lidheshin tre antena satelitore ishte e para foto e kësaj ekspozite. Ekspozita ishte një kërkim i shkurtër fotografik në disa aspekte të përgjithshme që realiteti shqiptar ofron për vëzhguesin e interesuar. Synimi i këtij projekti ishte evidentimi i kontrasteve që ekzistojnë në përballje me diversitetin njerëzor, me pranimin dhe format e ndryshme të reagimit ndaj tij. Syri i fotografëve të rinj, punimet e të cilëve në këtë ekspozitë u përzgjodhën nga konkurse të ndryshme fotografie të zhvilluara në vendin tonë, ka tërhequr momente tejet të zakonshme të jetës së përditshme të cilët janë shndërruar në shembuj të bashkëjetesës kulturore. Një fotografi e tregut të Medresesë, ku dy shitës kinezë qëndrojnë në një ambient shqiptar, tregon jetesën e pasforcuar të dy kulturave të ndryshme. Ekspozita ishte eventi përmbyllës i një projekti dy vjeçar të British Council në Europën Juglindore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›