Vlorë, grabit banesën e tij, ndiqet penalisht i riu
Një shtetas në qytetin e Vlorës ka bërë një kallëzim penal në komisariatin e policisë së Vlorës për grabitje të shtëpisë së tij pa e ditur se grabitës ka qenë i biri i tij. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 10 korriku të qytetit të Vlorës teksa më datën 26 mars shtetasi Sokrat Bushi ka bërë kallëzim në komisariatin e policisë se I kishin grabitur brenda në banesë një shumë prej 570 mijë lekësh.
Nga ana e grupit hetimor ka filluar puna për verifikimin e grabitjes dhe identifikimin e grabitësit. Pas një pune intensive ka rezultuar se grabitës ka qenë vetë i biri i tij, 21- vjeçari Ervis Bushi që kishte mundur të realizonte këtë grabitje në një moment kur në banesë nuk gjendej asnjë njeri nga familja e tij. Ndaj tij ka nisur tashmë procedimi penal në gjendje të lirë për grabitje të shumës prej 570 mijë lekësh.