Vret shokun duke luajtur me armë
Fatos Mahmutaj
Ngjarje e rëndë në Tiranë, vret shokun duke luajtur me pistoletë. Policia e kryeqytetit bëri dje të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Laprakë, në një dyqan pjesësh këmbimi në Rrugën e Durrësit, ndërsa viktima dhe autori, të dy nga 22 vjeç, ishin shokë të ngushtë. Rreth orës 16:00 dy të rinjtë ndodheshin vetëm në dyqan dhe kanë nisur të luajnë me një pistoletë pa leje. Një moment, duke luajtur me armën, Donald Buzaj e ka shkrepur dhe plumbi ka goditur Edvin Koçon në kokë. I plagosuri është përcjellë me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, i cili ndodhet vetëm pak metër më tej, por nuk është bërë e mundur shpëtimi i jetës së tij edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale nga ana e mjekëve. Pas kësaj policia ka vënë në pranga të riun Buzaj, ndaj të cilit paraprakisht është ngritur akuza e “vrasjes nga pakujdesia”. Policia e kryeqytetit pohoi dje se rreth orës 16:00 në dyqanin ku shiten pjesë këmbimi në Laprakë ndodheshin vetëm dy të rinjtë, të cilët kishin nisur të luanin me pistoletë duke ia drejtuar njëri-tjetrit. Siç duket arma nuk kishte fishek në fole, ndërsa dy të rinjtë e kanë shkrepur disa herë bosh në drejtim të njëri-tjetrit. Nga lëvizja e shulit, pistoleta është mbushur dhe ndërsa Buzaj ka tërhequr këmbëzën është realizuar qitje, ku plumbi ka kapur në kokë shokun e tij bashkëmoshatar Koço. Ka qenë autori ai që ka vënë alarmin, duke e dërguar të dëmtuarin në spital me urgjencë. Por edhe pse është favorizuar nga distanca e shkurtër mes vendit të ngjarjes dhe spitalit, largësi e cila është vetëm pak metra, si dhe ndërhyrjes së menjëhershme nga ana e mjekëve, 22-vjeçari Koço nuk ka mundur të qëndronte në jetë, pasi plumbi i kishte dëmtuar organet jetësore, si dhe kishte humbur shumë gjak. Një orë pas mbërritjes në spital ai ka ndërruar jetë. Ndërkohë i arrestuari ka shpjeguar para efektivëve të policisë gjithë ngjarjen duke pranuar autorësinë e krimit. Sipas tij gjithçka kishte qenë aksidentale dhe se viktimën e kishte shok të ngushtë. Sipas tij, dy të rinjtë ishin takuar si zakonisht dhe kishin nisur të luanin me armë të shkujdesur, duke mos marrë parasysh rreziqet që paraqiste një veprim i tillë. Pas marrjes së deklarimeve të autorit, oficerët e policisë gjyqësore kanë ngritur ndaj tij akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”, ndërsa kanë dërguar në prokurori materialet e kësaj çështjeje. Pritet që gjatë ditëve në vazhdim i arrestuari të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.