Apeli i Krimeve të Rënda s‘njeh avokatët, në arrest Ilir Kumbaro
TIRANE – Apeli i Krimeve të Rënda nuk pranoi dje heqjen e masës së “arrestit me burg” për Ilir Kumbaron, një nga të akuzuarit e dosjes “Remzi Hoxha”. Kërkesa e bërë nga avokatët mbrojtës të Kumbaros për shuarjen e masës së sigurisë dhënë ndaj tij në vitin 2003 nuk u pranua, pasi togat e zeza të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk i legjitimuan mbrojtësit në proces. Sipas pesëshes gjykuese avokatët mbrojtës ishin caktuar nga familjarët e të pandehurit dhe jo nga Kumbaro drejtpërdrejt. Në këtë mënyrë, sipas gjykatës, ata nuk mund të mbronin interesat e të pandehurit Kumbaro në kërkesën e bërë. Vendimi i djeshëm ka pasur të njëjtin argumentim me vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda në 16 qershor të këtij. Aktualisht, Ilir Kumbaro ndodhet i arrestuar në Angli. Ai është i vetmi i pandehur nga katër ish-sekretët, të pandehur të dosjes “Remzi Hoxha”, që vazhdon të ketë masë sigurie nga drejtësia shqiptare.
“DY STANDARDE”
Mbrojtësit ligjorë të së pandehurit Kumbaro apeluan dje vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që u rrëzoi kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tyre.
Sipas avokatëve Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo, organi i akuzës ka vepruar me dy standarde gjatë caktimit të masave të sigurisë për katër të pandehurit e çështjes të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, si edhe për rrëmbimin dhe torturimin e Avdul Loshajt dhe Ziso Kristopulit. Avokatë pretendonin se masa e sigurisë ndaj Kumbaros e caktuar në 18.02.2003 kishte humbur fuqinë kur dosja është pushuar me një vendim në vitin 2004. Ndërsa një vendim i mëvonshëm i Prokurorisë së Përgjithshme, vendosi rihapjen e dosjes dhe hetimin e saj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në rihapjen e dosjes, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar masa sigurie për të pandehurit e tjerë të dosjes, ndërsa për Ilir Kumbaron është lënë në fuqi masa e caktuar në vitin 2003. Sipas mbrojtësve, në këtë pikë nga organi i akuzës ka vepruar me dy standarde, pasi edhe për klientin e tyre duhet të shiheshin kushtet nëse ishte apo jo e nevojshme caktimi i një mase të re sigurie, ashtu siç u veprua me të pandehurit e tjerë. ar.ba