E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjaken rrugët, dy vdesin gjashtë të tjerë plagosen

 

Aksidentet po marrin çdo ditë e më tepër jetë njerëzish. Vetëm dje ndodhën tre aksidente në pak orë në akse të ndryshme të vendit, bilanci i të cilave ishin dy të vdekur dhe gjashtë të tjerë të plagosur rëndë. Një i moshuar ndërroi jetë në Fier, ndërsa e përplasi një motoçikletë, ndërsa një burrë rreth 50 vjeç u gjet në zonën e Kënetës në Durrës i aksidentuar, pa jetë. Një ngjarje e rëndë, por për fat të mirë vetëm me të plagosur u shënua dje rreth orës 12:00 në autostradën e re Milot-Rubik, ku një familje nga Kukësi u përfshi në aksident. Sipas policisë, dy makina, njëra me targa greke dhe tjetra me targa italiane u përplasën, duke sjellë plagosjen e Lulëzime Gjokës, Festim Gjokës dhe Hane Gjokës. Plagë të rënda pësoi edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Viktor Arapi nga Miloti, duke e çuar në katër numrin e të plagosurve në këtë aksident. Mësohet se familja Gjoka po vinte nga Tirana dhe po udhëtonte me mjetin tip “Audi” me targa italiane në drejtim të Kukësit. Burime të policisë, të cilat i referohen të dhënave hetimore shprehen se shkak i aksidentit ka qenë prerja e rrugës e automjetit me targa greke. Drejtuesi i saj, Arapi ka pohuar për grupin e hetimit se shkak ishte bërë një mjet para tij, i cili kishte ndaluar në vend. Tentativa për të shmangur përplasjen ka bërë që ai të devijojë rrugën, por para i ka dalë makina me të cilën po udhëtonte familja Gjoka. Vetëm këto sqarime ka mundur të japë shkaktari i kësaj tragjedie, pasi për efekt të plagëve që ai kishte marrë është dërguar menjëherë në spitalin e Laçit bashkë me tre të plagosurit e tjerë. Pasi kanë marrë ndihmën e parë ata janë nisur për në Spitalin Ushtarak. Po dje, një aksident i rëndë ndodhi në Fier. Abaz Tare, 70 vjeç ndodhej në rrugën e fshatit Frakull kur rreth orës 09:10 është përplasur nga një motoçikletë e drejtuar nga 18–vjeçari Çelnik Hila. Sipas policisë, i moshuari sapo kishte zbritur nga një fugon kur është përplasur për vdekje. Përplasja ka qenë shumë e fortë aq sa i moshuari, drejtuesi i motoçikletës si dhe shoku i tij të cilin e kishte pasagjer u nisën me urgjencë në spitalin e Fierit, por 70–vjeçari mësohet se kishte ndërruar jetë gjatë rrugës. Sipas policisë aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizte motoçikleta. Aksident me vdekje ndodhi dje edhe në Durrës. Sipas policisë, një burrë rreth të 50-ve është përplasur në zonën e Kënetës. Ai është gjetur i pajetë nga kalimtarët, të cilët sinjalizuan policinë, por mbrëmë gjer në orët e vona trupi i tij ishte i paidentifikuar.      r.n/ m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›