Jo bojkotit, të pranohet se zgjedhjet ishin një shans i humbur për PS-në
Reagojnë Ben Blushi dhe Arben Malaj pas mbledhjes së grupit kuvendor socialist
Dy nga zërat kritikë të kryetarit në detyrë të Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Arben Malaj, reaguan dje ndaj vendimit për bojkotimin e punimeve të kuvendit.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Blushi dhe Malaj denoncuan farsën e radhës të Edi Ramës, duke e konsideruar bojkotin si të dëmshëm politikisht për partinë opozitare. “PS mund të maksimalizonte eficencën e saj brenda parlamentit, me të gjithë mënyrat demokratike të mundshme. Bojkotin nuk e shoh si mënyrën më të mirë, ne mund të kushtëzojmë brenda institucioneve dhe kushti kryesor të ishte integrimi i vendit, në momentin që ngec integrimi atëherë mund të kërkojmë zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Malaj.
Ai pranoi edhe njëherë se për socialistët zgjedhjet e 2009-ës janë një mundësi e humbur për të arritur standarde europiane. “Në Partinë Socialiste pas mbetjes në opozitë në mënyrë të përsëritur, ka mendime ndryshe për veprimet politike që duhen ndërmarrë pas zgjedhjeve 2009. Ajo që duhet pranuar është se zgjedhjet ishin një shans i humbur për ne”, tha deputeti socialist.
Deputeti dhe njëherazi anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj tha se “Partia Socialiste në misionin e saj edhe në opozite duhet të jetë aktive dhe efektive për të nxitur reformat që e përshpejtojnë procesin dhe rrisin cilësinë e integrimit të vendit, por për të kontribuar në këtë drejtim, duhet të jetë e pranishme në kuvend. “Partia Socialiste është forca më e madhe opozitare në vend dhe në misionin e saj parlamentar është edhe integrimi i vendit në BE. Ndaj edhe mendimi i një pjese të anëtarëve është që të mos braktisim institucionet”, nënvizoi më tej Malaj.
Në të njëjtin qëndrim u shpreh edhe deputeti dhe anëtari i kryesisë Ben Blushi, i cili u shpreh se bojkoti do të dëmtojë PS-në.