E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo e prerë

Prishtina refuzon planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit

 Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi hodhën poshtë planin prej gjashtë pikash të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për vendosjen e EULEX-it. Ata këtë e theksuan në një konferencë të përbashkët të zhvilluar në Prishtinë, pas një takimi maratonik lidhur me këtë çështje. “Institucionet e Kosovës konsiderojnë se elementet substanciale nuk janë të pranueshme për Kosovën. Jemi për dialog dhe për t’i kontribuar shtrirjes së EULEX-it në Kosovë, duke zbatuar planin e Ahtisarit, kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, deklaroi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai tha se Kosova është e gatshme për bashkëpunim dhe miqësi të mirë me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe Serbinë. Ai tha se këto janë konkluzionet që janë nxjerrë pas takimit disaorësh të zhvilluar me kryeministrin Thaçi, për dokumentin e propozuar prej gjashtë pikash nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Edhe kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se gjatë tërë procesit, institucionet e Kosovës kanë reflektuar ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e bashkëpunimit dhe dialogut. “Vlerësojmë se për Kosovën elemente substanciale si plani prej gjashtë pikash i propozuar në kohën aktuale janë të papranueshme”, theksoi Thaçi. “Ne kemi dhënë vërejtjet tona dhe ne jemi të gatshëm për dialog konstruktiv me të gjitha palët me presidencën e BE-së, SHBA-ve dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi informuar të gjitha qendrat për qëndrimin e Prishtinës, që është i vullnetit të mirë i ecjes përpara të një reflektimi që buron nga respektimi i kushtetutës së Kosovës dhe marrjes së përgjegjësive të reja për dialog”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi. Lidhur me atë se cila është kërkesa e autoriteteve të Kosovës për vendosjen e EULEX-it, kryeministri Thaçi theksoi se Prishtina vazhdimisht ka qenë e gatshme dhe e përgjegjshme për dialog, që të gjinden zgjidhje më të pranueshme për çështjet praktike. “Në fakt, Prishtina ka prezantuar opinionet dhe sugjerimet që përputhen me realitetin territorial të respektimit të integritetit territorial të Kosovës dhe avancimit të raporteve integruese të pakicave”, theksoi kryeministri Thaçi. Presidenti Sejdiu tha se Prishtina ka shprehur zotimet që EULEX-i të shtrihet në tërë territorin e Kosovës që janë paraparë në elementet e planit të Ahtisarit dhe janë të përmbajtura në Kushtetutën e Kosovës. “Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrën më miqësore të mundshme. Edhe në këtë kohë kemi qenë në bashkëpunim të ngushtë dhe atë që e kemi shtruar ka mirëkuptimin që procesi të rezultojë me një marrëveshje të pranueshme”, theksoi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›