E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çarmatosen gardianët

Brenda ambienteve të brendshme të burgjeve shqiptare nuk do të ketë më armë zjarri, madje as në duart e atyre që ruajnë të burgosurit. Projektligji i ri që është paraqitur në parlament nga qeveria ka ndryshuar ndër të tjera edhe llojin e armatimit që do të lejohet të mbajnë punonjësit e burgjeve. Sipas pikës 1 të nenit 5 të këtij drafti, “personeli i burgut, përveç rasteve të operacioneve emergjente, nuk mban brenda regjimit të brendshëm armë vdekjeprurëse”. Hartuesit e draftit thonë se ky ndryshim është bërë për t’u përshtatur me parametrat evropianë të shërbimit në burgje, por njëkohësisht edhe për të shmangur çdo lloj problemi që mund të krijohet nga mbajtja e armëve të zjarrit apo armëve të tjera të ftohta nga ana e personelit të shërbimit. Por në pikën 3 të këtij neni thuhet se edhe “mbajtja e armëve të tjera, përfshirë shkopinjtë e gomës nga personat që kanë kontakt me të burgosurit, ndalohet brenda perimetrit të burgut, me përjashtim të rasteve kur ato nevojiten për sigurinë dhe sigurimin në burg”.Aktualisht, në vendin tonë janë në funksionim 21 burgje, ose të quajtur ndryshe Institute të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP). Në këto institucione punojnë rreth 3600 efektiva të policisë së burgjeve. Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit të tyre deri tani rregullohej sipas ligjeve të Policisë së Shtetit. Projektligji i ri që ka marrë tashmë vulën e miratimit në qeveri, i ka përmbledhur të gjithë elementet e funksionimit të personelit të burgjeve në një dokument të tij. Ky draft ka parashikuar ndër të tjera edhe disa elemente që kanë lidhje me të drejtat e personelit të shërbimit në burgje. Për herë të parë në këtë dokument u lejohet punonjësve të Policisë së Burgjeve që të organizohen në sindikata, për të mbrojtur të drejtat e tyre, por u ndalohet e drejta për të bërë grevë në rast të mos rënies dakord me punëdhënësin. Ky ndalim ka qenë i parashikuar edhe më parë në rregulloren e brendshme të funksionimit të Drejtorisë së Burgjeve, por kësaj radhe është menduar që ai të përfshihet në ligjin ri që pret të diskutohet në parlament. Sipas hartuesve të draftit, e drejta e grevës nuk mund t’i lejohet personelit të burgjeve, pasi detyra e tyre është specifike dhe nuk mund të ndërpritet për asnjë çast. Gjithashtu, policëve të burgjeve u ndalohet të mbajnë uniformë apo të përdorin ndonjë mjet policie gjatë zhvillimit të veprimtarive sindikaliste. Projektligji është hartuar nga një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›