Krijime mes tollovisë

Përpos veshjeve, stilistja rreket të sjellë elemente estetike, gjë që duket qartë edhe në format e veçanta që përdor. Për këtë ajo ka zgjedhur një mënyrë origjinale për tu prezantuar me fustane mbrëmjesh, duke i lënë mënjanë tendencat e kohës
Muza e saj e frymëzimit i vjen vetëm kur gjendet mes rrëmujës dhe tollovisë. Pikërisht kur ka përpara materialet e shumta, ajo i zhytet punës me kokë, dhe rezultati “flet” vetë. Nadirja nuk mund të punojë mes rregullit, pasi një atmosferë e tillë i sjell zbrazëtinë. Kështu janë krijuar edhe dizajnët e parë të stilistes kosovare. Që në prezantimin e saj të parë në Tiranë, në “Albanian Fashion Week”, ajo është zgjedhur të afirmohet ndryshe nga stilistët e tjerë. Koleksioni i saj nuk përmban tendencat e stinës pranverë-verë 2009. Ato janë stilime ekstravagante, të përshtatshme për mbrëmje gala, që mirëfilli të sjellin ndërmend fustanet e divave të Hollivudit. “Meqë ishte prezantimi im i parë në Tiranë dhe një eveniment kaq i rëndësishëm, që organizohet nga Dhoma e Modës, mendova të paraqitesha me veshje mbrëmjesh, që për hir të së vërtetës ndryshojnë nga tendencat e fundit. Kështu, në qoftë se gjatë verës mbizotëronin fustanet e shkurta, unë kam operuar me dizajnët e gjatë, të cilët i rezistojnë gjithnjë kohës”, shprehet stilistja. Edhe pse i mbetet “besnike” gjatësisë së veshjeve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për elementet dhe format me të cilat janë ndërtuar këto të fundit. Aty sheh stilime nga më të ndryshmet, në të gjithë materialet, por ajo që të bie në sy janë format e veçanta që ka përdorur Zymberi. Zgjedhjen e çuditshme që karakterizon veshjet e saj, stilistja e shpjegon në këtë mënyrë: “Tek modelet që kam dizajnuar parapëlqej të luaj me formën, sigurisht duke pasur përpara materialin. Në qoftë se i vëreni me vëmendje, modelet janë ndërtuar me elemente të ndryshme gjeometrike, ku mbizotërojnë katrorët, trekëndëshat, por nuk mungojnë edhe elemente të tjera, që nga gurët e thjeshtë gjer tek zvarovskët. Kjo zgjedhje nuk shpjegohet lehtë, pasi dihet që inspirimi lind natyrshëm. Por mendoj se falë lojës me format, bën që veshjet e mia të kenë stil krejtësisht të dallueshëm nga stilistët e tjerë”, përfundon Zymberi. Për sa u takon ngjyrave, stilistja i ka përdorur pa kursim koloritet, por ato që kryesojnë më shumë janë ngjyrat e diellit. Ndërkohë, mes koleksionit që u prezantua nga Nadirja, një seri mjaft interesante ishin edhe fustanet e nuseve, ku e bardha tradicionale ishte eliminuar krejtësisht, duke ia lënë vendin panës. “Duke qenë se vitet e fundit fustanet e nusërisë priren mos jenë të bardhë, edhe unë u jam përshtatur tendencave të kohës. Por veçantia e këtyre fustaneve qëndron po tek forma, e cila kombinohet me materialin, që kryesisht është mëndafsh. Po t’i shihni me vëmendje, një pjesë e tyre kanë edhe disa elemente tradicionalë, siç janë qëndismat, duke u përpjekur të eliminoj dantellat”, shpjegon ajo. E gjitha kjo krijimtari për stilisten ka një qëllim të caktuar, që vjen si rezultat i formimit të saj profesional, duke qenë se edhe Nadirja ka mbaruar fakultetin e Arteve. “Më pëlqen që të bëj piktura, jo në cohë, por në veshjet që prezantoj, prandaj edhe dizajnët e mi tentojnë të jenë të tilla. Nuk e di sa ia kam arritur, por përpiqem të sjell diçka përtej domosdoshmërisë dhe elementeve të zbukurimit”, përfundon stilistja. Dizajnët e prezantuara nga Nadire Zymberi bëjnë pjesë në koleksionin e shtëpisë së modës “Menakon”, ku ajo është bashkëthemeluese e saj së bashku me Metush Zymberin.