Falas për 200 pacientë

Për të prekurit nga insuficienca renale, ose ndryshe pamjaftueshmëria e veshkave, të cilët e kanë të nevojshme dializën, qeveria ka akorduar një fond, i cili do e mundësojë këtë shërbim falas
TIRANË - Lajm i mirë për të sëmurët e prekur nga insuficienca renale. Sipas një vendimi të qeverisë që u mor javën e kaluar, pacientët e prekur nga kjo sëmundje, të cilët e kanë të domosdoshme nënshtrimin ndaj dializës, tani do ta përfitojnë këtë shërbim falas. Kjo do të bëhet e mundur me anë të një fondi prej 25 milionë lekësh që u akordua nga qeveria, me qëllim trajtimin falas për të sëmurët që kanë nevojë për dializë, numri i të cilëve është 200 persona. Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Arben Ivanaj, “fondi do të jepet për afro 200 persona të prekur nga insuficienca renale kronike dhe nuk do të ketë ndonjë procedurë të veçantë për marrjen e tij. Mjafton që personi i prekur nga kjo sëmundje të paraqitet për dializë dhe ai do të përfitojë nga ky fond”. Fondi shtesë për dhënien e shërbimit të dializës falas për këtë kategori të sëmurësh do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Kriza që po përjeton sistemi shëndetësor shqiptar ka rënduar jo pak në kurriz të të sëmurëve nga insuficienca renale. Akordimi i këtij fondi që iu mundëson të sëmurëve të kësaj kategorie shërbimin e dializës falas, është një përgjigje për thirrjet e gjata të këtyre të sëmurëve për më shumë mbështetje. Ata kanë kërkuar shumë herë që t’u subvencionohet transporti, pasi shumica e të sëmurëve nga veshkat që kanë të nevojshme dializën, vijnë nga rrethet. Problemet që pësojnë të sëmurët nga tronditjet gjatë rrugës janë të shumta. Si për shembull: rënia e tensionit, rënia e sheqerit në gjak apo probleme të tjera të këtij lloji. Gjithashtu, të sëmurët nga insuficienca renale kanë ngritur edhe një problem tjetër, që është ai i infeksioneve të marra nëpërmjet gjakut. Ata shprehen se në shumë raste gjatë marrjes së gjakut janë infektuar nga hepatiti B dhe C. Sëmundja e veshkave është një nga problemet më shqetësuese që haset sot tek shqiptarët. Në shumëllojshmërinë e sëmundjeve që prekin organin e veshkave, më shqetësuesja dhe që ka numrin më të madh të të prekurve është insuficienca renale, ose pamjaftueshmëria e veshkave për të kryer funksionin e saj. Në Shqipëri ka një mijë persona të prekur nga kjo sëmundje, dyqind prej të cilëve i nënshtrohen hemodializës. Sipas specialistëve të pavijonit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkaqet e sëmundjes së insuficiencës renale janë në varësi të sëmundjeve të tjera, mes së cilave më kryesoret janë: diabeti, ose ndryshe nekropatia diabetike, polinefritet kronike, glomonofritet kronike dhe hipertensioni arterial. Mjekimi i vetëm dhe më efikas për të sëmurët me insuficiencë renale është hemodializa, ose veshka artificiale. Pacienti duhet të bëjë hemodializë tri herë në javë nga katër orë, për të bërë pastrimin e organizmit nëpërmjet një aparati që luan rolin e veshkës. Hemodializës nuk i nënshtrohen të gjithë pacientët e prekur nga insuficienca renale, pasi sëmundja ndahet në katër stade dhe vetëm të sëmurët e stadit të katërt, që quhet ndryshe edhe stadi terminal, i nënshtrohen hemodializës. Për sa u përket simptomave të para të kësaj sëmundjeje, specialistët shpjeguan se bëhet fjalë për “nipturinë ose urinimin gjatë natës, e cila është një shenjë shumë e rëndësishme, që tregon pafuqinë e veshkës për t’i nxjerrë gjatë ditës produktet e dëmshme organike”. Simptoma të tjera janë dobësia e përgjithshme, lodhja dhe anoreksia.