Vendi im në fushë
Kur binte rasti të udhëtoja nëpër luginën e Drinos - një nga më të bukurat që kam parë në Shqipëri - ajo që më bënte përshtypje përveç mrekullive të vogla që të shkitnin me vrik ngado, qenë do njerëz të vetmuar që rrinin në mes të fushave të heshtura. Barinj delesh, dhish apo lopësh, bujq, udhëtarë që po kaptonin fushën për tek fshati pranë, fëmijë që o i shpinin babait bukën, o e lajmëronin për diçka familjare, por që të gjithë më dukeshin të shtangur në qenien e tyre, ku edhe lëvizja e ndonjë mënge apo ndonjë kthim i ngadaltë koke e shtonte vetmimin përreth. Ndaj dhe i vetmi që lëvizte në të vërtetë në ato udhë të ngushta, por të drejta, isha unë, që po i shihja prapa xhamit, me erën që m’i mrrudhte sytë, ndofta që ato figura të më bëheshin edhe më të largëta e të mistershme në gjendjen ku qenë kredhur. Kur qëllonte që këto pamje t’i shihja në dritë perëndimi, e gjitha qe edhe më e vështirë për t’u rrokur, pra edhe më e dashur për t’u këqyrur. Qenë çaste kur ti ndieje se edhe fushat e gjera e të heshtura para teje, kishin edhe ato mendime të tyre, ndaj t’i shihje apo t’i shkelje me këmbë do të thoshte të bëheshe pjesë e atyre mendimesh të huaja për shtatin njerëzor. Ndaj edhe ata njerëz të vetmuar fushave, mbështjellë në pelerina të errëta dhe me duart mbërthyer pas kërrabash thane a piksi, më dukej se në ato çaste me siguri që i përkisnin diku tjetër, apo që diç po njihnin apo kuptonin dhe qe vështirë të dalloje në qenë fushat ato që mendonin me mendjet e atyre figurave, apo qenë ata që ushqenin këto fusha me mendime gati njerëzore. Duke e parë me sytë e atij që donte të shkruante diçka për gjithë këtë, pra me rrezikun e një kornize sado të lustruar verbale, e gjitha në të vërtetë më rrëshqiste dhe qe përherë më e madhe se ajo që do të deshe të rrokje. Siç ndodh kur shkon të printosh disa foto të dashura familjare dhe ndërsa do t’i zmadhosh për t’i pasur natyrshëm sa më afër dhe sa më qartë, sa më tepër e këshillon printuesin t’i zmadhojë, aq më tepër t’i humb detaje, shenja, ngjyra, sende që figuronin në sfond. Dhe në fund, ajo që del nuk është asnjëherë ajo që prisje, as edhe njëherë. Dhe kuptova që ajo që i bënte ata të papërshkrueshëm, qe vetë poetika e tyre, krejt e ndryshme nga ajo që përmbajnë librat poetikë, rrënjësisht më e qëndrueshme, më e thellë dhe më e sprovuar. Qe poetika e tyre e brendshme që ua shpinte vështrimin larg, pa një përqendrim të dhënë, me ngjyra që qenë dhe nuk qenë të kësaj bote, që tek e fundit qe kaq e fuqishme, sa t’u bënte atyre vend mu në mes fushave, që edhe ato nga ana e tyre, në të drejtën e vet të patjetërsueshme. James Hillman e përshkruan shkëlqyeshëm këtë poetikë që e mbart kushdo nga ne, që na ndih të rrojmë e të mbahemi mu mbi thepisjet e ekzistencës, sikundër fluturat që falë asaj lehtësire që zotërojnë dhe që janë shënjuar, ia dalin të kaptojnë një oqean të tërë pa qëndruar për pushim as edhe mbi një grimcë ajri.Këto ndjesi të fuqishme i kam përjetuar natyrisht krejt pa ndërgjegje që herët, kur babai më merrte me vete në fshat në kohën e lume të pushimeve të verës. Ndjesi të rralla të rrëmbejnë kur shkel në fushat paanë, në orën kur agu e zbret përskuqjen e vet nga qielli në tokë, kur zbulon që është vesa që e shpërndan e para këtë mrekulli dhe ato mjegullime që i ke sipër flokëve, të cilat më shumë ngjajnë me shallet e hallave të mia, sesa të luginës, që zogjtë i përshkojnë këto mjegullime para dritës dhe se është ajo që kur bie, kalon nga ato rrugina a gjurmë lagështie që ata zogj enigmatikë lanë pas. Duke iu shtuar kësaj edhe ndjesia tjetër se ti nuk je i vetëm në këtë hapësirë të fushtë, pse në largësi dhjetëra bujq sapo kanë rënë në fushë, nisin të marrin me të mirë fushat e përgjumura që flasin me alfabete bimorë, atëherë kupton diç të rëndësishme që ka të bëjë me rrënjët tona, jetët tona. Një tjetër arsye pse këto fusha më kanë bërë kaq përshtypje, e kam gjetur vonë tek një poezi e Borgesit, i cili i përshkruan ato si pjesë përjetësie, ku çdo pjesë (fushë) mblidhet me tjetrën në kufi me të, e kështu deri në pambarim. Dhe natyrisht, para se ta mësoja nga dija, këtë e dinte trupi im që përpara, pasi shtangia që merr fytyra kur kundron fushën apo edhe malin, detin a horizontin ka të bëjë me atë aritmetikën e dhënë thjesht, por që bash për këtë të trondit së brendshmi. Dhe ne që do t’i përkasim asaj, por nuk dihet si, nuk dihet kur, por që dihet kjo: kalimi do të bëhet me këtë ngjashmëri, sikur kaptojmë hendekun përgjysmë me ujë, përgjysmë me qiell, për të tjetra fusha që presin të shkelen që të quhen fusha. Ndaj dhe unë, kur kthehesha me babanë, vonë kur dielli sapo e kishte kaptuar zenitin, e kërkoja në ato vende ku kisha kaluar në orët e mëngjesit, më dukej sikur po ecja në tjetër fushë, gjurmët e mia dhe vendi im kish ndryshuar paksa dhe o nga hutimi, o nga padija pyesja babanë për këtë. Ai ma kthente: “Po jo mo Gent, kjo fushë është, atë tjetrën mos e ke gjë në mendje”.