E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vjet me frikë për jetën

VLORË - Ata ndezin qirinj dhe i luten Zotit se e nesërmja, e pasnesërmja dhe kështu të tjera ditë me radhë do t’i gjejnë ende me frymën gjallë. Dhjetëra familje në lagjen “29 Nëntori” në qytetin e Vlorës, pranë ish-“Gjallicës” tremben se mos tragjedia e ndodhur dy ditë më parë në Gjirokastër do të përsëritet në pallatin e tyre, i cili prej kohësh shënon disa të çara të theksuara. Shkak për çarjen e pallatit me nr. 1149 dhe i ndërtuar në vitin 1979 është bërë një ndërtim i ri tetëkatësh fare pranë, gjithashtu pallat banimi, i miratuar me lejen e 23 qershorit 2003. Situata është mjaft alarmante, por shqetësimit të banorëve askush nuk u është përgjigjur deri tani. Ata shpresojnë se ngjarja e rëndë e Gjirokastrës ku tre persona humbën jetën si rezultat i shembjes së një pallati, do të shërbejë së paku që strukturat shtetërore përkatëse të kujtohen se tragjedia rrezikon të transferohet shumë shpejt në qytetin bregdetar.Me gjithë ankesat e vazhdueshme të banorëve të këtij pallati, që kanë nisur që prej vitit 2005 t’u drejtohen dyerve të bashkisë, ende nuk u është dhënë asnjë përgjigje përfundimtare këtyre qytetarëve, që e gdhijnë dhe ngrysin ditën me ankthin dhe frikën se mos e gjejnë veten papritur nën rrënoja. Në vitin 2005, një grup prej tetë ekspertësh inxhinierë ndërtimi nga bashkia, pas inspektimit të pallatit, e cilësuan atë si të pabanueshëm dhe tërësisht jashtë kushteve të konstruksionit, edhe pse dhjetëra banorë nuk u larguan, duke qenë se nuk kishin një strehë tjetër ku të fusnin kokën. Mësohet se dy vjet më parë, në vijim të përpjekjeve të tyre për të gjetur të drejtën që me ligj e meritojnë, banorët e këtij pallati kanë organizuar edhe një protestë, nga e cila janë përcjellë nga përfaqësuesit e organeve lokale me fjalë të mira. Ata madje kanë kaluar edhe në procese gjyqësore, të cilat më pas janë mbyllur, pasi asgjë nuk është arritur përmes tyre. Muret tashmë kanë nisur të çahen edhe më, të çara këto lehtësisht të dallueshme mes tullave me të cilat është ndërtuar dhe lidhur e gjithë godina, që duket se nuk do të qëndrojë edhe shumë kohë në këmbë. Po kështu, banorët janë dëshmitarë dhe udhëheqin në guidën e tyre edhe gazetarët, në plasaritjet që gjarpërojnë frikshëm në korridoret, dhomat dhe kuzhinat e familjeve. Më të rrezikuara nga fenomeni i shembjes rezultojnë të jenë të paktën 10 familje, që kanë shenja më të theksuara çarjesh dhe plasaritjesh nëpër mure.   Kryebashkiaku Gjika:  “Do ta shembim dhe rindërtojmë sërish pallatin”   “Kjo situatë nuk është në kufijtë ekstremë, por është gjithashtu një situatë që duhet zgjidhur”. Vetë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në një takim me banorët e pallatit nr. 1149 është përpjekur të zhdramatizojë situatën, por nuk ka mohuar se problemi ekziston. Sipas kryebashkiakut të qytetit bregdetar, kjo çështje është bllokuar nga Këshilli Bashkiak i Vlorës.  Kjo pasi ky këshill duhet të aprovojë një vendim, sipas të cilit trualli ku është aktualisht pallati të kalojë nga shteti tek banorëve, pasi ky pallat duhet shembur e të rindërtohet nga e para. “Më 14 dhjetor të vitit 2006 i kam bërë një kërkesë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që toka mbi të cilën është ndërtuar pallati me nr. 1149 të kalojë nga shteti në pronësi të banorëve. Ne i kemi bërë kërkesë qeverisë që të aprovojë një fond emergjence, me kontribut privat dhe të shtetit”, u shpreh kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Ai theksoi se ka marrë edhe konsensusin e banorëve që ata të spostohen nga banesat e tyre në mënyrë provizore, me qëllim që pas mbledhjes së radhës së këshillit bashkiak të mundësohet shembja dhe rindërtimi i kësaj godine, që është rrezik potencial për jetën e banorëve. Sipas Gjikës, këshilli i bashkisë nuk e mori parasysh në atë kohë këtë kërkesë, por tashmë, Drejtoria e Planifikimit Urban po miraton një projekt shtesë për këtë zonë. Në pjesën më të madhe të tyre tragjeditë, jo vetëm në Shqipëri, janë rezultat i zvarritjeve burokratike dhe procedurave të tejzgjatura për zgjidhjen e problemeve. Banorët e pallatit nr. 1149, nuk mund të flenë të qetë, me gjithë premtimin e kryebashkiakut, sepse ai premtim nuk mund t’i mbrojë nga humbja e jetës nën rrënoja, veçse atëherë kur fadromat të nisin shkatërrimin e godinës së vjetër dhe atyre t’u jetë siguruar një strehim i përkohshëm, deri në ngritjen e pallatit të tyre të ri.  Berisha: “Hetim të gjitha lejeve të ndërtimit” Ngjarja e Gjirokastrës ka sjellë në vëmendje të kryeministrit Sali Berisha, se duhet bërë një shqyrtim i përgjithshëm i situatës së rrezikut që ekziston nga ndërtimet në Shqipëri. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Berisha i kërkoi ministrit të Transporteve, Sokol Olldashit dhe ministrit të Ekonomisë, Genc Rulit, që të krijojnë me urgjencë grupin me gjeologë dhe ekspertë të fushave, në mënyrë që të evakuohet zona ku u shemb pallati ose të blindohet me beton apo ndonjë formë tjetër sigurimi që mund të këshillojnë specialistët. “Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë e bën në të gjithë rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër”, tha Berisha, duke shtuar se kjo nuk tregon që qeveria i merr kompetencat pushtetit vendor. Sipas Berishës, qeveria do t’i dalë zot ligjit dhe do të gjejë mekanizmat me të cilët inspektorati qendror do të aktivizojë në kohën më të shkurtër Këshillin Qendror të Rregullimit të Territorit, për të marrë vendimet e duhura në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe të drejtave të tyre. Po ashtu, Berisha i ka njohur deputetët e tij me ecurinë e ngjarjeve dhe me masat që janë marrë, duke siguruar se përgjegjësit për ngjarjen e Gjirokastrës do të vihen të gjithë para drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›