Jo gurë ndër rrota, trenit të Kosovës
Kosova është pa energji elektrike. Kosova kërcënohet nga embargoja serbe. Prishtina e më shumë qytetet e tjera po mbërdhijnë në këtë dimër të sertë. Pavarësia e Kosovës është në prag, por edhe në zgrip. Populli kërkon punë, drita, jetë më të mirë. Kosova kërkon qeverisje dhe jo kakarisje. Aleatët tanë natyrorë, SHBA- BE, presin veprime e vendime të shpejta në të mirë të Kosovës dhe popullit të saj. Gati për të na ndihmuar, por edhe për të na qortuar. Edhe armiqtë tanë shekullorë, Serbia dhe Rusia janë në përgjim si hienat për çdo gabim që mund të bëjmë. Sigurisht, jo për të na ndihmuar por për të shfrytëzuar çdo gabim e vonesë tonën pa arsye. E pse jo edhe për të na gllabëruar! Ndaj vëllezër të LDK-së është luks i madh të humbisni kohë me ndarje karrigesh. Gjeni njerëzit për karriget e jo karrige për miq e shokë, nipër e mbesa, fanatikë e aparatçikë! Nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur. Kërkohen dy cilësi si në quanon, dy cilësi të domosdoshme: aftësi e ndershmëri në shërbim të popullit e Kosovës, e jo kalorës politikë për të kalëruar mbi kurrizin e hallet e tyre të mëdha. Është koha të përveshim mangët për të mbajtur premtimet zgjedhore e jo për të nxjerre garuzhdet për të zhvatur përsëri djersën e mundin e popullit e Kosovës! Armiku më i madh i Kosovës sot është korrupsioni, deklaroi mandatari për kryeministër, Hashim Thaçi këtu në Nju Jork në drekën e Kurban Bajramit! Mos e filloni me korrupsion e shitblerje karrigesh koalicionin qeverisës! Pranimi në koalicion është privilegj e jo detyrim, për ata që kanë fituar shumicën e votave të popullit në zgjedhjet e 17 Nëntorit 2007. Sovrani popull e dha verdiktin e tij. Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi të. Ka edhe parti të tjera politike, që do të kishin për nder të thirreshin e pranoheshin në koalicion nga PDK-ja Jo gurë ndër rrota, trenit të Kosovës. Ai ka nevojë për lokomotiva zhvillimi e përparimi! Ndaj, të përveshim mangët... jemi shumë të vonuar! Kosova kërkon qeverisje! T’i lëmë kakarisjet! Është koha të mendojmë e punojmë çfarë mund të bëjmë për Kosovën e popullin e saj e jo çfarë mund të sajojmë për të mbushur xhepat e poltronat vetanake. Jemi shërbëtorët e jo kalorësit politikë të popullit të Kosovës! Të përveshim mangët. Jemi shumë të vonuar. Koha është flori, thotë sovrani popull