Mediu: Qeveria, 5 çështjet e pazgjidhura
Kreu i PR-së thotë se, ministrat duhet të përballen me mazhorancën parlamentare dhe Kuvendin për punën e tyre, si dhe të ketë një marrëdhënie më të koordinuar brenda së djathtës
Pronat, Ish-të Përndjekurit, Energjia dhe Biznesi, katër çështjet ku qeveria s’ka vepruar mirë
Është e domosdoshme që, nëse ka shqetësime nga aktorët politikë të koalicionit, ne duhet të ulemi t’i marrim në analizë, si përfaqësues të këtij koalicionit, dhe të shohim ku nuk funksionon, ose kemi apo nuk kemi kuptime të drejta për funksionimin apo mosfunksionimin e qeverisë.
Zoti Mediu, kanë mbetur vetëm pak muaj nga Samiti i Bukureshtit dhe të gjithë duken të interesuar për anëtarësimin në NATO. Çfarë duhet të bëjë qeveria më tepër se çka bërë deri tani, për të marrë ftesën në prill?
Mendoj se është momenti i angazhimeve të përbashkëta politike, e jo vetëm të qeverisjes, sepse sfida që kemi përballë kërkon një bashkëpunim të dy krahëve: reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi. Përsa i përket reformës në drejtësi, ajo duhet të bashkojë klasën politike, që brenda një periudhë të shkurtër të ndërtojë marrëdhënie të qarta, për të pasur atë që duhet, sipas standardeve që kërkon NATO dhe Bashkimi Evropian. Zhvillimet janë shumë pozitive dhe reforma në Forcat e Armatosura është vlerësuar pozitivisht. Ne do të kemi një diskutim që do të bëhet në fund të muajit janar, në Bruksel, me Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s dhe besoj që, ta paktën nga vlerësimet e deritanishme, jemi në drejtimin e duhur. Është e domosdoshme të mendojmë se çdo orë, çdo ditë që kalon është një moment përgjegjësie dhe reflektimit për të gjithë drejtimin politik të vendit, për të gjitha institucionet e vendit, dhe sidomos për të koordinuar veprimet tona. Në qoftë se Presidenti i SHBA-së, Kryeministri italian, ata gjermanë, francezë, spanjollë, turk, kanadez, kanë shprehur qëndrimet e tyre në mbështetje të NATO-s, i takon klasës politike shqiptare për ta kuptuar këtë mesazh që asnjë ditë s’mund të lihet pa një angazhim për këtë çështje dhe besoj që, në këtë kuptim të përbashkët, ftesa do të merret.
Por, ata kanë përmendur reformat, ndërkohë që për reformën në drejtësi apo zgjedhore thuajse nuk është bërë asgjë. A e rrezikon kjo procesin dhe çfarë duhet të bëjë më tepër mazhoranca?
Reformat duhet të bëhen, në radhë të parë, për interesat tona, për të arritur në standardet që duhen dhe për interesat e qytetarëve shqiptarë. Por, është e domosdoshme të ecim në ato kërkesa që ka komuniteti ndërkombëtar dhe NATO, siç përmenda reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Përsa i përket reformës në drejtësi, Presidenti ka ecur në linjën e tij të veprimit në bashkëpunim me aktorët politikë për komisionin e posaçëm, ashtu siç ka kërkuar dhe mendimin e njerëzve të drejtësisë, për të qenë pjesë e gjykimit të këtij procesi në interes të qytetarëve dhe të një pavarësie të pushtetit gjyqësor, por edhe të një pushteti gjyqësor të përgjegjshëm. I takon Kuvendit, që në mënyrë urgjente të ndërtojë komisionin duke përçuar përfaqësuesit e vet. Unë e kam bërë këtë kërkesë prezente te autoritetet e Parlamentit, edhe të mazhorancës, dhe besoj se ky duhet të jetë një qëndrim i përbashkët edhe i opozitës, në mënyrë që me përfaqësimin e tyre në këtë komision të posaçëm, secila palë të bjerë gjykimin e vet, duke e parë në një kuadër të gjerë dhe jo të ngushtë interesash politike.
Kanë kaluar mbi dy vjet nga ardhja në pushtet e së djathtës. Në gjykimin tuaj, çfarë nuk është bërë mirë dhe çfarë duhet të bëhet më mirë, pasi sukseset i dëgjojmë përditë edhe nga goja e Kryeministrit?
Nëse do të radhisja disa prej tyre, si çështje të parë do të shtroja çështjen e pronës private, e cila është një çështje që nuk zgjidhet dhe ka një hallakatje jashtëzakonisht të madhe. Nuk është problemi thjesht te ligji, por është tek implementimi dhe strukturat që merren, te kuptimi që duhet të ketë për implementimin dhe detyrimin për këtë implementim. Duhet të ketë një vëmendje të gjithë institucioneve, sidomos të Kuvendit, për të kërkuar që këto ligje të implementohen, sepse është detyra e vet kushtetuese, si dhe ekzekutivit, në mënyrë që të ecim në rrugën e kthimit dhe kompensimit të pronës, duke përcaktuar dhe një vlerë të qartë financiare. Ne kemi vendosur veten mbi të drejtën e pronës dhe kjo është absurde. Politika dhe shteti nuk mund të vendosen mbi të drejtën e pronës, por duhet t’i japin zgjidhje asaj, dhe nuk mund të jenë zgjidhje sporadike, por duhet të jenë zgjidhje të qarta. PR-ja ka bërë disa amendamente, ka bërë disa propozime dhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare vendosi që do të shikojë të gjithë kuadrin institucional, administrativ të çështjes së pronës, si dhe kuadrin ligjor, për të ecur më tej në këtë drejtim. Mendoj se ka çështje të tjera, që patjetër duhen parë me vëmendje të madhe, siç është çështja e të përndjekurve politikë. Një çështje që kërkon vëmendje shumë të madhe është ajo e energjisë elektrike, e cila nuk është thjesht dhe vetëm një problem i qeverisë, por është një çështja që ka të bëjë me aspektin social, ka të bëjë me aspektin politik, dhe si e tillë kërkon një ndërhyrje sa më të shpejtë. Ajo që duhet parë në shoqërinë shqiptare është dhe tendenca e zhvillimit ekonomik të vendit. Pavarësisht se tendencat janë pozitive, ne duhet që në raportet me biznesin, përveçse marrëdhënieve të detyrueshme të pagimit të taksave, të shihet mundësia për të ofruar një ambient më racional në marrëdhënie me qeverisjen, me politika fiskale, për të rritur investimet vendase, por duke koordinuar dhe me investimet e huaja. Përsa i përket marrëdhënieve politike, mendoj që duhet një marrëdhënie më e koordinuar brenda përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët nuk duhet ta shikojnë veten si pjesë të ndara, por si pjesë me një përgjegjësi të përbashkët dhe koordinim të veprimeve të tyre, të një marrëdhënieje me të qëndrueshme ndërmjet Ekzekutivit dhe Parlamentit. Meqenëse shumë nga ministrat janë dhe deputetë, kanë dhe përgjegjësinë përballë institucioneve të Kuvendit. Pra, duhet një marrëdhënie më institucionale mes mazhorancës qeverisëse dhe asaj që përfaqësohet në Kuvend, për prioritet dhe për interesat e debatit politik që kemi.
Në çdo aktivitet partiak, si kryetar i PR-së theksoni sa thatë më sipër, si dhe bëni kërkesa ndaj PD-së apo Kryeministrit për mirëfunksionim të koalicionit, por gjithçka mbete si më parë, asgjë nuk ndryshon. Çfarë tregon kjo?
Natyrisht, ne nuk mund të marrin një vendim të njëanshëm. Mendoj që si pjesë e koalicionit kemi dhe koshiencën për të ofruar zgjidhje dhe kemi ofruar dhe zgjidhje. Një nga kërkesat e fundit që kemi bërë është të kemi një synim për të reformuar të gjitha të djathtën, me një koncept politik të qëndrueshëm, por edhe një marrëdhënie ndërmjet subjekteve politike të qëndrueshme, me detyrimet reciproke, për të shmangur ato fenomene që unë i përmenda më sipër. Përsa i përket çështjeve që tjera që kemi ngritur në mënyrë të vazhdueshme, duket se nuk jemi në kuptimin e duhur, por unë e theksoj, raportimi i qeverisë përballë Kuvendit të Shqipërisë, në radhë të parë brenda mazhorancës, është i detyrueshëm.
Aleatët e tjerë të PD-së mendojnë se ka ardhur koha të ketë ndryshime në qeveri. Zoti Dule është një ndër ta. Ju si mendoni, ka ardhur koha për ndryshime në qeveri?
Unë mendoj që, si anëtar i kabinetit jam shumë herë më i rezervuar për këtë çështje, por them që ky është një atribut i Kryeministrit, i cili kupton nevojën e ndryshimeve. E kam thënë edhe më parë, edhe si ministër i PR-së, jam i gatshëm për një vlerësim të punës në dikasterin e Mbrojtjes nga ana e Kryeministrit dhe mendoj që këto nuk janë marrëdhënie që detyrohen për shkak të partive politike, por për shkak të një raporti dhe një funksionimi të mbarëvajtjes së qeverisë, dhe kështu duhet ta kuptojmë që të gjithë. Është e domosdoshme që nëse ka shqetësime nga aktorët politikë të koalicionit, ne duhet të ulemi t’i marrim në analizë, si përfaqësues të këtij koalicionit dhe të shohim ku nuk funksionon, ose kemi apo nuk kemi kuptime të drejta për funksionimin apo mosfunksionimin e qeverisë. Mendoj që, shumë gjëra janë të lidhura me elementin që përmenda më sipër, që shpesh puna e disa ministrave, apo prioritetet, nuk janë të kuptueshme apo të pranuara në të njëjtin lloj sensi përgjegjësie nga të gjithë faktorët e mazhorancës dhe gjithë mazhorancës në Parlament.
Përsa i përket pensioneve të ushtarakëve, çfarë po bëhet aktualisht me të dhe kur do t’i marrin ata pensionet?
Së pari, do të kërkoja që ushtarakët të rrinë larg mitingjeve politike. Nuk i bëjnë nder vetes së tyre, për shkak se, nëse flasim që një pjesë e tyre kërkon pagë suplementare, kanë si detyrim për të qëndruar jashtë politikës. Dhe nëse ka një pagesë suplementare, kjo bëhet duke i konsideruar ata pjesë, jo aktive, por pjesë e Forcave të Armatosura. E dyta, kjo qeveri ka kërkuar që ta zgjidhë këtë çështje jo në mënyrë demagogjike, por në mënyrë reale. Fondi është parashikuar, rreth 30 milionë dollarë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që janë akorduar për këtë qëllim dhe për këtë qëllim do të përdoren. Është kërkuar të ecet në këtë zgjidhje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligon qeverinë që të ecë në rrugën e zgjidhjes, dhe natyrisht është në detajimet përfundimtare pranë Ministrisë së Financave. Nuk besoj që gjërat zgjidhen me deklarime politike. Natyrisht, secili nga ata mund të ketë dëshirë të mbajë qëndrimin politik që do, të anëtarësohet në partinë politike që do, edhe të krijojë parti politike, por nëse duan të konceptojnë Statusin e Ushtarakut, për sa kohë e kërkojnë këtë drejtë si ushtarakë, duhet patjetër t’i qëndrojnë larg politikës, aq më tepër një politike që ka manipuluar në mënyrë të vazhdueshme, për tetë vjet nuk është bërë asgjë për ushtarakët, është bërë thjesht një ligj në momentet e fundit, për qëllime elektorale. Kam bindjen që së shpejti do të marrin një zgjidhje, e cila do të jetë në interes të tyre.