E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jo, ju lutem! Jemi francezë

26/05/2005  PIKEPAMJE: Harrojeni kushtetutën. Janë udhëheqësit politikë të Francës, që duhet të refuzojmë

Sa e madhe është neveria jonë? Epo, nëse Shirak apo Kryeministri i tij, Jean Pierre Raffarin, një burrë që u vu në krye të fushatës pro, pavarësisht se ka një popullaritet 21%, do të na pyesnin nëse dëshirojmë të fitojmë një bonus llotarie prej 35 milionë euro, ne do të ishim përgjigjur jo

Periudha jonë e gjatë dhe e qëndrueshme e paqes na ka bërë ne, evropianëve, të besojmë se jetojmë në botën më të mirë të mundshme. Gabim! Ata francezë që dinë të thonë vetëm JO mund të hedhin sërish gjithçka në erë, dhe e gjithë Evropa po pyet veten përse. Epo, Evropa do ta dinte, vetëm po të jetonte në Francë!

Arsyeja këtë herë është e famshmja Kushtetutë Evropiane, dhe referendumi francez për të, ku pritet që të fitojë vota kundër. Ose ndoshta të humbë – por vetëm për një fije, që është njësoj sikur të ketë fituar. Një fitore e lehtë do të jetë një çlirim për udhëheqësit që mbështesin dokumentin, por jo shumë rehatues, pasi do të detyrohen të pranojnë se opozita u rrit shumë pikërisht për shkak të pakënaqësisë me udhëheqjen e tyre. Në çdo rast, referendumi nuk do të jetë ai plebishiti i lavdishëm, për të cilin bënte fjalë Zhak Shiraku, kur shpresonte të linte shenjën e tij në histori. Guxoj të them që, nëse Presidenti Shirak dëshiron të zërë një vend në memorien e brezave të ardhshëm, ai do të bënte më mirë të shkarraviste në banjat e garazheve të Elizesë sesa të mbështetej në publikun francez. Pas një dekade në detyrë, popullariteti i tij ka rënë në 39 për qind dhe sondazhet më të fundit tregojnë se 50 për qind e njerëzve do të votojnë kundër Kushtetutës. Çfarë qëndron pas gjithë kësaj atmosfere negative?

Pikësëpari, vetë Kushtetuta. Askush nuk e ka lexuar, e as nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Mua më erdhi një version me e-mail i tekstit – të 364 faqet, plus 460 shtojcat. Nuk kam ndëmend ta lexoj! Jam i papërgjegjshëm? Sigurisht, por unë ende nuk kam përfunduar veprat e Aristotelit dhe nuk kam ndërmend t’i lë mënjanë për t’iu futur një dëngu ligjesh të Giscard d'Estaing.

Ndërkohë, për dembelët apo indiferentët ekzistojnë “përmbledhje” që paraqesin pikat kryesore të Kushtetutës në vetëm gjashtë faqe. Shumë mirë, apo jo? Vetëm se, unë dua të di se kush i shkroi këto përmbledhje, duke hequr cilat pjesë të kushtetutës, dhe për cilat arsye subjektive?

E vetmja zgjidhje që u mbetet shumicës së votuesve francezë, si puna ime, është të besojnë politikanët. Por ne, as këtë nuk do ta bëjmë. Përse?

Sepse ne nuk u besojmë më atyre, dhe kjo humbje besimi është totale. Kjo shpjegon arsyen përse francezët janë përgatitur të hedhin poshtë një dokument që as nuk e kanë lexuar, thjesht sepse Zhak Shiraku dhe të tjerë u kanë bërë thirrje ta votojnë. Sa e madhe është neveria jonë? Epo, nëse Shirak apo Kryeministri i tij, Jean Pierre Raffarin, një burrë që u vu në krye të fushatës pro, pavarësisht se ka një popullaritet 21%, do të na pyesnin nëse dëshirojmë të fitojmë një bonus llotarie prej 35 milionë euro, ne do të ishim përgjigjur, jo. Si mund të besosh Zhak Shirakun, kur ai mban fjalime antiglobalizimi shumë pranë të majtës, kur është jashtë vendit dhe drejton me politika që çmontojnë programet e mbrojtjes sociale brenda Francës. Përse t’i besojmë Raffarinit, kur ai e quan Kushtetutën një “shans për Francën”, kur premtimet e tij për të ulur papunësinë janë shoqëruar me rritjen e numrit të njerëzve që nuk kanë punë?

2500 vjet më parë, në librin Arti i Luftës, luftëtari kinez Sun Tzu, shkruante: “Kur një gjeneral është i dobët moralisht dhe autoriteti i tij ka humbur rreptësinë, kur urdhrat dhe udhëzimet e tij nuk kanë mençuri, atëherë ushtria e tij çorientohet dhe kështu lind kaosi”.

Nëse Franca voton me të vërtetë kundër, nuk do të jetë vetëm kushtetuta që hidhet poshtë, por edhe udhëheqësit e vendit bashkë me kaosin që ata kanë krijuar. Natyrisht, kjo është diçka e padisiplinuar nga ana jonë dhe mungesë fati për kushtetutën. Deri kur ata të riorientohen, duke u bazuar te votuesit, ne do të vazhdojmë të hedhim gjërat në erë.

Autori dhe komentatori Bruno Gaccio është shkrimtar i emisionit të përnatshëm të lajmeve satirike Les Guignols de l'Info në “Canal Plus”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›