E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ballkan 2005” humor i zi me injorancën e shqiptarëve

26/05/2005  Tre dimensione shqiptare në Festivalin e Komedisë “Ballkan 2005”; Teatri shqiptar i Shkupit ther me ironinë e Çajupit dhe Kristo Floqit për surealizmin social të sotëm; teatri i Prishtinës paraqitet me injorancën nacionale - shqiptarin e sotëm midis dy qytetërimeve; Teatri i Athinës gjuan një emigrant shqiptar, komedi për fatin e humbur, të të qenit njeri

Rekuizita e komedisë së teatrit shqiptar të Maqedonisë, duke sjellë në skenë kombinimin modern midis Çajupit dhe Kristo Floqit, është cilësuar si kurajo.

Nën regjisurën e Sefedin Nuredinit, një natë më parë, në Korçë, fjala e teatrit në Festivalin e Komedisë “Ballkan 2005”, ka qenë një qind për qind shqip.

Paraqitja e ironisë së prerë të Çajupit iu është besuar pesë aktorëve të rinj, jo me shumë përvojë, por që regjisori e ka zgjidhur këtë duke dalluar disiplinën e tyre artistike, ashtu sikurse dhe tek aktori i njohur, Avni Hoti. Sërish skena ka folur shqip, kur pas teatrit të Shkupit është ngjitur trupa e teatrit të Prishtinës me komedinë “Oda në Hamburg”, realizuar nga regjisori Afrim Kaspolli.

Ritmi, komunikimi në çdo kohë me spektatorin, kanë qenë velërsimet për këtë trupë, ku aktorë të evidentuar të këtij teatri kanë dashur të jenë origjinalë në tharmin e veprës-misterin njerëzor që përjeton kohën e dy qytetërimeve.

Problemeve sociale shqiptare, si Kosovë, Shqipëri, u vihet përballë njeriu modern që vlerëson shumë punën, por çudia qëndron te fakti se si nuk pyet për kufijtë.

Ithtësia e emigrimit, duke kaluar me të qeshura, ka zgjedhur Mroxhek për të të bindur në të kundërtën. Regjisori Laert Vasili, duke u përfaqësuar me teatrin “Neo Kozmos” të Athinës, ka menduar të qëndrojë në fokusin e emigrantit shqiptar në vendin fqinj. Edhe pse komedi e fortë, kritika e ka cilësuar si mjaft realiste këtë shfaqje të trupës së “Neo Kozmos”, duke ndjekur linjën dhe humbjen e qenies njerëzore, në këtë rast nga jeta e emigrantit që nuk di të integrohet.

“Pas vdekjes” dhe “Zi e më zi”, perla të komediografisë shqiptare

Korçë - Edhe pse komedia e Çajupit “Pas vdekjes” dhe ajo e Kristo Floqit, “Zi e më zi”, kanë qenë të njohura nga spektatori korçar dhe më gjerë, regjisori i teatrit të Shkupit, Sefedin Nuredini, ka patur kurajon ta risjellë në Festivalin Ballkanik të Komedisë në Korçë, pasi siç shprehet ai për gazetën “Metropol”, komedia “Pas vdekjes” dhe “Zi e më zi” janë perla të komediografisë shqiptare, të cilat mund të ridimensionohen me të njëjtin shkëlqim, të përshtatura në kohën e sotme. Këndvështimi i tij regjisorial, i shoqëruar nga një rekuizitë e përshtatur mirë me kushtet e sotme, ku karroca zëvendësohet me një “Benz” të kohës moderne, ka sjellë tek të pranishmit një humor të këndshëm me të papritura të shumta. Në këtë mënyrë, Korçës i është prezantuar Çajupi, duke ironizuar me veset e shoqërisë së sotme, komedia në fjalë është sjellë në skenë nga pesë aktorë të rinj, jo me shumë përvojë, por me mjaft përkushtim, dhe nga aktori i mirënjohur Avni Hoti, tha Nuredini. Suksesi i kësaj komedie, siç vlerësuan kolegët e tij, qëndronte te përvoja e regjisorit Nuredini, i cili ka vënë në skenë mbi 50 role. Megjithatë për Nuredinin e rëndësishme është të marrësh pjesë, por pa përjashtuar edhe mundësinë e marrjes së çmimit. Si në Shqipëri, tha ai, edhe në Maqedoni teatri është lënë në harresë për shkak të mungesës së fondeve. Vendet e varfra e largojnë spektatorin nga teatri, sepse vetë natyra e artit është e tillë. Në lidhje me këtë, ai çmoi dëshirën e spektatorit korçar për të mos u ndarë nga teatri, i cili në këtë qytet ka patur tradita të hershme. Ashtu si në shfaqjet e para, edhe komedia e realizuar nga Nuredini është pritur me mjaft interes dhe është vlerësuar e suksesshme.

“Oda në Hamburg”, njeriu mes dy qytetërimeve

Pas teatrit të Shkupit, në skenë është ngjitur trupa e teatrit të Prishtinës me komedinë “Oda në Hamburg”, e realizuar nga regjisori Afrim Kaspolli. Mjeshtëria e aktorëve të Prishtinës ka tërhequr vëmendjen e spektatorit që në çastet e para, duke ruajtur këtë intesitet deri në fund të shfaqjes. Sipas regjisorit Kaspolli, teatri i Prishtinës, i themeluar që pas luftës, ka një përvojë shumë vjeçare dhe aktorë të talentuar, të cilët janë në gjendje të kontrollojnë çdo situatë dhe të komunikojnë në çdo kohë me spektatorin, pa ulur temporitmin në gjithë rrjedhën e saj. Në qendër të kësaj komedie është vendosur një emigrant që shkon në perëndim, për të punuar, por befas sheh, sipas tij, se bota e qytetëruar nuk qënka gjë tjetër, veçse injorancë. Ai çuditet se si njeriu modern vlerëson kaq shumë punën, se si nuk pyet për kufijtë. Vë në dukje se Shqipëria ka si monedhë lekun dhe nuk do të pranonte kurrë ta ndërronte me euro, sepse kështu do të humbiste identitetin. Gjithë primitivizmin e tij përpiqet ta prezantojë si identitet, kulturë, traditë etj. Ecuria e këtij personazhi nga njëra situatë te tjetra, ka provokuar të qeshura shpërthyese te spektatorët, duke zbuluar edhe tek vetja fenomene që janë lënë pas nga koha, por që ende ruhen, qoftë edhe në heshtje. Humori, ironia dhe sarkazma kanë qenë mjetet që kanë ndërthurur lojën e aktorëve të Prishtinës. Surpriza të tilla priten edhe nga trupat e tjera teatrore.

“Emigrantët”, sarkazma prej Athinës

Komedia e radhës e ngjitur në skenë ka qenë ajo e teatrit “Neo Kozmos” e Athinës, ku aktorët e saj kanë qenë aktorët- emigrantë shqiptarë, të cilët kanë sjellë me mjaft realizëm fatin e emigrantëve tanë në shtetin fqinj. Në qendër të komedisë janë vendosur dy emigrantë, roli i të cilëve ëshët luajtur nga Nikolla Llambro dhe Karafil Shenaj. Dy emigrantët jetojnë në një bodrum, ndërsa pronarët sipër tyre. Duket se i ndan vetëm një kat, por në të vërtetë kontrasti mes tyre është mjaft i dukshëm. Në bodrum jetohet mes lagështisë dhe mjerimit, ndërsa sipër tyre gjallon një jetë tjetër. Emigrantët shtyjnë ditët e tyre nëpërmjet tingujve dhe zhumave që vijnë nga lart, duke përcaktuar se kur bëhet dashuri, kur po festohet, kur po grinden, dhe një mori kur të tjerash. Së fundi, kuptojnë se janë emigrantë, por kanë humbur shumë nga të qenit njeri. Shfaqja e vënë në skenë nga regjisori Leart Vasili, me autor Mrozhek, është pritur mjaft mirë nga shikuesit e shumtë, të cilët kanë përjetuar nga afër përvojën e tyre në emigrim, por edhe e të afërmve dhe familjarëve të tyre.

Vepror Hasani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›