E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo më plehra në Porto Romano, 4 milionë euro rehabilitimi

04/05/2011  Durrës, do të ndërhyhet në tamposjen e mbeturinave dhe në ndërtimin e një landfilldi

DURRES- Ndotja në nivelet e larta të mjedisit e të tokës në zonën e Porto Romanos për shkak të depozitimit në natyrë të mbeturinave urbane ka bërë të domosdoshme ndërmarrjen e një zgjidhjeje. Agjencia rajonale e Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë parashikojnë të investojnë paralelisht në drejtim të tamposjes së mbeturinave dhe në anën tjetër të ndërtimit të një landfilli.

Ndërhyrja

Mbështetur në studimet paraprake mësohet se do të duhen afro 11 milionë euro apo 15 milionë dollarë për të zgjidhur problemin e shkaktuar në 20 vitet e fundit në zonën e kontaminimit të mbeturinave urbane, inerte, spitalore dhe të tjera. Mbeturinat në këtë zonë hidhen në sipërfaqe dhe ashtu të papërpunuara digjen në natyrë duke shkaktuar ndotje shumë të lartë të mjedisit. Vendi i depozitimit të mbeturinave është rreth 15 ha dhe për shkak të hedhjes pa kriter të plehrave të ndryshme vit pas viti sipërfaqja e zënë me mbeturina ka ardhur duke u zgjeruar. Tani plehrat janë fare pranë banesave familjare, të cilat në pjesën më të madhe të ditës janë të mbuluara nga shtëllunga të dendura tymi që çlirohet nga djegia në natyrë e tyre. Mesatarisht në Durrës prodhohen 95 mijë ton mbetje urbane së cilës i shtohet edhe një sasi tjetër mbeturina spitalore, inerte, filtra, bombola, vajra etj. Projekti i parë do i kushtojë tërësisht investimin në 4 milionë euro vetëm tamposjes së sipërfaqes së zënë me plehra në Porto Romano dhe më pas mbjellja e krijimi i kurorës së gjelbër. Kjo sipërfaqe do të jetë rreth 15 ha dhe do të transformohet plotësisht në një periudhë të shkurtër kohe. Investimi tjetër që mesa duke ka marrë rrugën e zgjidhjes është ndërtimi një landfilli në Manëz, ku edhe do të bëhet përpunimi i mbeturinave. Kjo pikë e re me riciklim të mbeturinave dhe seleksionim të çdo mbeturine do të shërbejë si landfill për rajonin e qarkut dhe impianti i ri do të kushtojë 7 milionë euro. Rreth 44 mijë m2 sipërfaqe që ka zënë dikur uzina kimike në Porto Romano i është nënshtruar rehabilitimit të plotë dhe kjo i ka hapur rrugë tani mbylljes së pikës së grumbullimit të mbeturinave. Zona e Porto Romanos ndodhet 6.5 km në veri të qytetit të Durrësit dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 50 ha. Plehrat digjen në natyrë dhe për shkak të përhapjes së ndotjes banorët kanë shfaqur probleme serioze shëndetësore. Porto Romano është një nga 5 pikat më të nxehta mjedisore në qarkun e Durrësit. Sipas një klasifikimi që kanë bërë institucionet ndërkombëtarë dhe ambientalistët shqiptar Durrësi rezulton me 12 vatra problematike si: fabrika e lëkurës në Sukth; fabrika e tullave në Maminas; fonderia e baterive dhe metaleve me ngjyrë në Shkozet; hidrovori dhe derdhjet e ujërave e mbeturinave të paricikluara; ish-kimikja e Porto Romanos dhe masivi me mbeturina; zona e ish-Kënetës; anijet dhe flota e peshkimit, stabilimentet e pulave, thertoret dhe stallat; ujërat e zeza në zonë nga Plepat deri në derdhjen e tyre në det; vaskat e peshkimit në Shënvlash; depozitat e naftës në hyrje të portit të Durrësit; fabrika e riciklimit të kartonit dhe fabrika e përpunimit të plehut në Xhafzotaj. Largimi i depozitave nga hyrja e portit të Durrësit dhe rehabilitimi mjedisor i ish-uzinës ka përmirësuar kushtet mjedisore. Agjencia e Mjedisit bën të ditur se vendgrumbullimi i plehrave është pika më shqetësuese sot në Durrës së bashku me shkritoren e metaleve me ngjyrë në Shkozet. Ministria e linjës pritet të bëjë efektiv fondin brenda një kohe të shkurtër. Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia rajonale e Mjedisit kanë të evidentuar gjithçka që ka të bëjë me nivelin e ndotjes mjedisore, duke parashikuar edhe ndërhyrjet përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›