E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo më shkolla të mesme por gjimnaze

Autori i Lajmit: red.
Tashmë nuk do të shkruhet “shkollë e mesme e përgjithshme“ por “gjimnaz“. Jo vetëm kaq por edhe emërtimi “arsim i detyruar“ duhet zëvendësuar me “arsimi bazë“. Qeveria ka miratuar dje ndryshimet e propozuara nga ministri i Arsimit për zvendësimin e disa emërtimeve në arsimin parauniversitar. Sipas këtij vendimi kudo në ligj fjalët “...arsim i detyruar...” zëvendësohen me “...arsim bazë...”. Por edhe fjalët “...shkollat e mesme të përgjithshme...”, zëvendësohen me “...gjimnaze...”. Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi në ligjin nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar.”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime. Kështu në bazë të projektligjit të miratuar thuhet se të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë duhet të fillojnë arsimin bazë, i cili zgjat jo më pak se 9 vjet dhe se arsimi bazë është arsimi i detyruar dhe i njësuar. Gjithashtu është përcaktuar që afati i gjimnazeve është 3 vjet.

Në shtator nuk ka vit të parë në gjimnaze
Të gjithë nxënësit që kanë mbaruar këtë vit klasën e tetë të arsimit bazë, do të edukohen vitin e ardhshëm shkollor në klasën e nëntë, për shkak të ndryshimit të sistemit arsimor parauniversitar. "Si rrjedhojë, për vitin e ardhshëm shkollor nuk do të ketë regjstrime në shkollat e mesme", deklaroi specialisti i Drejtorisë Arsimore Tiranë, Muharrem Mesi, sipas të cilit, këto ndryshime kanë bërë të nevojshme që në klasën e IX-të mësimdhënia të kryhet nga mësues të gjimnazeve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore rajonale, po sheh mundësinë që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX-të, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9 vjeçare. Mesi tha, se për sistemin arsimor parauniversitar, që përbëhet nga 376 shkolla te mesme dhe 1749 shkolla 9 vjeçare, MASH ka vendosur që fondet e planifikimit dhe shpërndarjes së mjeteve mësimore në arsimin parauniversitar do të shpenzohen përmes formulës "buxhet për nxënës" per çdo shkollë. Përdorimi i kësaj formule për detajimin e fondeve të investimeve, ka si kriter kryesor numrin e përfituesve (nxënësve).

Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›