E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramës, çdo kusht që të kandidojë

 

DILAVER XHELILI

Kryeministri Sali Berisha shprehet i gatshëm t’i krijojë kreut të PS-së, Edi Rama çdo hapësirë, me kusht që ai të hyjë në listën e kandidatëve për deputetë. Pasi i dha edhe pesë ditë kohë që të ndryshojë listën e kandidatëve të opozitës, Berisha deklaroi dje sërish nga Kuçova se është gati të mbledhë parlamentin për t’i mundësuar rivalit të tij politik të garojë në 28 qershor. “Në emrin tuaj, i bëj thirrje edhe një herë kryetarit të Partisë Socialiste: çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t’ia mbathësh. Kjo nuk pranohet. Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t’i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë i bëri thirrje qytetarëve, që të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me dokumentin e ri dhe për të tërhequr atë, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Berisha i kërkoi në të njëjtën kohë elektoratit demokrat, që të shfrytëzojë këto ditë që kanë mbetur deri në zgjedhje për të bindur qytetarët të votojnë Partinë Demokratike për një mandat të dytë qeverisës. “28 qershori është ditë e madhe, por mbi të gjitha është dita e maturisë sonë qytetare, dita e maturisë sonë demokratike, dita e tolerancës sonë, e kulturës sonë, e emancipimit dhe demokracisë. Prandaj, në çdo ditë të punojmë për fushatën më të qytetëruar, çdo ditë të punojmë për të bindur edhe qytetarin e fundit të bashkohet me ne, në rrugën e ndryshimit”, vijoi më tej kreu i demokratëve. Pasditen e djeshme Berisha u ndal në qytetin e Rrogozhinës, ku kandidon deputeti aktual Luan Skuqi. Duke u ndalur në programin për fshatin kreu i ekzekutivit premtoi subvencionimin e naftës për të gjithë fermerët, që e përdorin atë për sipërfaqet e mbjella. Berisha bëri të ditur se në zonat e varfra të gjitha bizneset për 5 vjet me qëllim nxitjen e punësimit. “Shqipëria në punë është dhe do të mbetet motoja jonë. Për të nxitur punësimin në zonat e varfra të vendit, qeveria ime do të heqë taksat për bizneset për 5 vjet. Për të nxitur punësimin në mbarë, qeveria ime do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për kualifikimin, trajnimin dhe rikualifikimin e punëtorëve, do të paguajë për ta primin dhe sigurimet shoqërore”, vijoi më tej Berisha. Në darkë ai u ndal në qytetin e Patosit, ku premtoi se gjatë mandatit të dytë do të hapen rreth 160 mijë vende pune. Në të njëjtën kohë kreu i PD-së premtoi heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian brenda vitit të parë të mandatit të dytë, si dhe furnizim me ujë për 24 orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›