E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, prishet kampi i turqve të Bechtel-it

Kampi i punëtorëve, përgjatë segmentit RrëshenKalimash

KUKES – Firma BechtelEnka, përveç segmentit RrëshenKalimash dhe tunelit të Kalimashit, tashmë nuk ka lënë asnjë gjurmë në Kukës. Punonjësit, specialistët dhe makineritë i kanë dhënë lamtumirën Kukësit dhe janë përqendruar në gjysmën tjetër të rrugës së kombit, atë Morin-Merdarë, në Kosovë. Kampingu i ngritur në fshatin Kolsh, ai në Thirrë dhe të tjera stacione makinerish i takojnë së kaluarës. Specialistët kanë çmontuar çdo gjë nga kampi i mëparshëm dhe e kanë transferuar në Kosovë. Bashkë me ta dhe afro 100 punëtorë e specialistë të Kukësit do të vijojnë punën në Kosovë me rroga 500 euro në muaj. Vetëm një kapanon i vogël, lënë në dispozicion të komunës Kolsh, është i gjithi kujtimi i një të kaluare mjaft fitimprurëse për më se 2000 punëtorë dhe specialistë vendës, të cilët në më shumë se tri vite punuan me kushte pune e rroga të mira në segmentin RrëshenKalimash dhe në Tunelin e Kalimashit, vepra më e rëndësishme e autostradës Durrës-Kukës. Shumica e punëtorëve që kanë punuar sipas Kodit të Punës në fuqi të ligjeve shqiptare, do të paguhen me pagesën e papunësisë, pasi kanë qenë dhe të siguruar. Janë vetëm një numër shumë i vogël specialistësh turq dhe shqiptarë në sigurinë dhe monitorimin e lëvizjeve në Tunelin e Kalimashit. Turqit, përveç vendeve të reja të punës, sollën dhe një rritje të qirave të banesave në qytetin e Kukësit. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›