E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jo policisë kriminale në votime

18/05/2005  Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzon kërkesën e qeverisë për shtimin e forcave të Rendit

Kodi lejon vetëm policinë e objekteve dhetë kufirit të ruaj qëndrat e votimit

Përfshirja e strukturës së policisë kriminale në procesin zgjedhor të 3 korrik nuk është miratuar nga Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare. Në këtë mënyrë, drafti i sjellë nga qeveria dhe Ministria e Rendit, rrezikon që të dështojë nesër në seancën plenare. Dy ditë më parë, opozita ka kundërshtuar amendametin për përfshirjen e policisë kriminale në procesin zgjedhor, duke paralajmëruar dhe bojkotim të seancës. Nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Shaban Memia, ky draft është cilësuar si i qëllimshëm, pasi përfshirja e policisë kriminale në procesin zgjedhor mund të shërbejë si një urë lidhëse mes kësaj policie dhe segmenteve kriminale. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Luan Rama, e ka mbështetuar draftin, duke marrë shëmbull rolin e policisë në zgjedhjet paraardhëse, ku puna e tyre është përshëndetur dhe nga organizmat ndërkombëtarë. Kryetari i komisionit, Neritan Ceka, pas rrëzimit të draftit në komision, ka kërkuar që qeveria të gjejë mundësi të tjera teknike për të siguruar qetësinë gjatë procesit të votimit.

Përplasja

Deputetët e opozitës kanë shfaqur pretendimin se përfshirja e policisë kriminale komprometon votën e lirë dhe procesin zgjedhor. Sipas tyre, drafti i sjellë nga qeveria bie ndesh me marrëveshjen politike PS-PD, për rolin e policisë në zgjedhje. Ndryshimi, i hartuar nga specialistë të Ministrisë së Rendit Publik, propozon që, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 3 korrikut, të angazhohen edhe struktura të Policisë Kriminale, krahas atyre të Policisë së Objekteve dhe të Kufirit. Kjo pasi në këto zgjedhje kutitë e votimit do të transportohen nga qendrat e votimit drejt komisioneve zgjedhore zonale nën masat e sigurisë së forcave blu. Ish-ministri i Rendit, Luan Rama, tha për këtë pikë se, “nëse në zgjedhjet e mëparshme një trupë policie shërbente për të administruar dhe për të garantuar rendin në një territor me tre-katër, apo më shumë qendra votimi, tashmë duhet që të ketë shoqërues policie për çdo kuti votimi. Në këtë kontekst, unë gjykoj që propozimi i bërë është me vend”. Ndërkohë, kreu i komisionit, Ceka, është shprehur se numri i forcave të rendit, që do të jenë në gatishmëri në zgjedhje, është i pamjaftueshëm, por tani nuk është koha e përshtatshme për ndryshime në ligj.

Neritan Ceka

Deputetët e komisionit parlamentar të sigurisë kanë mirëkuptuar projektin e qeverisë për të plotësuar me efektiva policie të gjitha kutitë e votimit. Qeveria të gjejë mundësi të tjera teknike, për të siguruar qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit

Shaban Memia

Policia kriminale dihet që kontrollon segmente të caktuara kriminale dhe nga ana tjetër këto kontrollojnë segmente të policisë. Ka motive politike për të krijuar mundësi që nëpërmjet këtyre ndryshimeve të përdorë segmentë të policisë në proceset zgjedhore

Luan Rama

Fletët e votimit nuk do të numërohen në qendrat e votimit, por në komisionin e zonës. Për rrjedhojë, policia duhet të shoqërojë automjetin, ku do të jenë drejtuesit e komisionit të qendrave të votimit së bashku me kutinë e votimit nga QV në atë të zonës.

Neni 104

Rendi dhe zhvillimi i rregullt i votimit

1. Kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja merr vendim për pezullimin e votimit, si dhe mund të vendosë thirrjen e organeve të Policisë së Shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit i paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe rrethanave.

2. Kryetari, zëvendëskryetari i KQV-së ose çdo anëtar njofton menjëherë KZZ-në ose KZQV-në për incidentin e ndodhur. KZZ-ja ose KZQV-ja është e detyruar të shënojë në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KZZ-së ose KZQV-së njoftimin dhe orën e marrjes së tij. KZZ-ja ose KZQV-ja ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të Policisë së Shtetit.

3. Me rivendosjen e rendit në qendrën e votimit, KQV-ja, me vendim, u kërkon organeve të Policisë së Shtetit të largohen nga qendra e votimit dhe merr masa për rifillimin e menjëhershëm të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›