E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të shtëna me armë ndaj Linda Muriqit, truprojes së Presidentit Rugova

18/05/2005  Sulmi ka ndodhur në Pejë, afër hotelit “Peja sity” ditën e shtunë, më 13 maj, rreth orës 19.30 minuta. Burime të policisë në Pejë as nuk e kanë mohuar këtë rast, me arsyetimin se “rasti është nën hetime”

Prishtinë, më 16 maj

Burime të sigurta të gazetës sonë njoftojnë se ditën e shtunë, më 13 maj, rreth orës 19.30 minuta, në afërsi të hotelit “Peja sity” në Pejë, është sulmuar vetura e Linda Muriqit, vashës që është pjesëtare e njësisë që merret me sigurimin e Presidentit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova. Në momentin e sulmit, Linda Muriqi ka qenë duke drejtuar veturën në të cilën kanë qenë edhe e ëma dhe vëllai i saj i vogël. Duke kaluar pranë lokalit të njohur “Peja sity”, janë dëgjuar të shtëna me armë në drejtim të veturës. Ajo ka vazhduar rrugën dhe më pas ka lajmëruar rastin në njësinë e policisë në Pejë. Gjurmët e këtij sulmi me armë vërehen në xhamin e prapmë të veturës, e cila është e blinduar. Burime të policisë në Pejë as nuk e kanë mohuar këtë rast, me arsyetimin se “rasti është nën hetim”. Kjo është edhe arsyeja që ky rast është mbajtur “i heshtur” deri më sot. Familja Muriqi ka pësuar disa herë aksidente nga kriminelë të ndryshëm. Vetë babai i Lindës, Ramiz Muriqi, disa herë është sulmuar në qytetin e Pejës, në periudhën e pasluftës. Ndërkaq, xhaxhai i Lindës, Vesel Muriqi, është një nga dëshmitarët e gjallë të “procesit të Dukagjinit”, në të cilin është dënuar edhe Daut Haradinaj, vëllai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›