E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbetet në burg Gjongecaj, dyshohet për shtatzëninë

18/05/2005  TIRANË – Bashkëpunëtorja në trafikun e lëndës narkotike Zamira Gjongecaj, të cilës iu kap në shtëpi 5 kg heroinë, nuk arriti as dje të lërë qelinë e burgut. Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pasi dëgjoi akuzën me pretendimet e saj dhe më pas mbrojtjen, e la të pandehurën në burg. Akti i ekspertizës, siguruar nga avokatët mbrojtës, nga një mjek nga Elbasani, është quajtur dyshues për organin e Prokurorisë. Për akuzën, Zamira Gjongecaj nuk është shtatzënë dhe këtë akt e ka kryer një mjek jo specialist. Është vetëm një eko, e cila nuk mund të vërtetojë nëse Gjongecaj është apo jo shtatzënë. Sipas akuzës, duhet të paktën edhe katër javë që të mund të përcaktohet qartë nëse e pandehura është shtatzënë. Prokurorët sigurojnë se specialistët janë shprehur që e pandehura nuk mund të jetë shtatzënë. Zamira Gjongecaj, nëpërmjet avokatit Sajmir Visha, në seancën për dhënien e masës së sigurimit pretendoi se është shtatzënë dhe për këtë arsye duhet të qëndrojë në një masë më të butë arresti se ajo e burgut pa afat. Por gjykata, e bindur nga provat e akuzës për bashkëpunimin e të pandehurës në fazat paraprake të hetimit, kërkoi kryerjen e një akti ekspertize për të vërtetuar këtë fakt. Gjongecaj u arrestua dy javë më parë së bashku me tre të pandehur të tjerë. Në shtëpinë e saj, pasi ishte mbajtur në survejim për një kohë të gjatë, u gjetën dhe sekuestruan 5 kg heroinë e pastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›