E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-Banka e Kursimeve, 50 milionë vjedhja e fundit

18/05/2005  Veç 2 milionë dollarëve të publikuar, ekspertët kontabël kanë verifikuar ditët e fundit edhe shumën tjetër

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës, rreth vjedhjes së ish-Bankës së Kursimeve nga vetë arkëtaret që punonin aty, ka zbardhur edhe 50 milionë të tjera të përfituara nga të akuzuarat. Ekspertët kontabël të “Raiffeisen Bank”, nga verifikimet e kryera për këtë vjedhje, me kërkesë të Prokurorisë, kanë zbuluar edhe vjedhjen e 50 milionë lekëve të vjetra, që i bashkangjitet 2 milionë dollarëve të kostatuara më parë. Prokuroria ka administruar dokumentacionin e falsifikuar, me anë të të cilave është kryer edhe kjo pjesë e vjedhjes, që i është bashkangjitur dosjes hetimore në fjalë. Nga verifikimet dhe hetimet për këtë shumë të vjedhur, është konstatuar se i përket harkut kohor 2000-2004 dhe se është kryer nga të njëjtët persona.

Zbulimi

Ekspertët kontabël, të cilët po verifikojnë dhe hulumtojnë çdo dokument të ish-Bakës së Kursimeve, kanë zbuluar edhe një pjesë tjetër të vjedhjes katërvjeçare, të kryer nga disa ish-arkëtare. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se shumës së parë të konstatuar si të vjedhur 2 milionë dollarë, tashmë i janë shtuar edhe 50 milionë lekë të vjetra. Burimet pohojnë se nga verifikimet e kryera në të gjithë dokumentacionin e katër viteve, 2000-2004, është konstatuar i gjithë dëmi i mundshëm. Paraprakisht, Prokuroiria kishte konkluduar në vjedhjen e 2 milionë dollarëve. Por ditët e fundit ka rezultuar se arkëtaret e akuzuara kanë vjedhur me anë të falsifikimit të dokumenteve edhe 50 milionë lekë të vjetra. Burimet e Prokurorisë theksojnë se është kryer i gjithë verifikimi i mundshëm në dokumentacionin katërvjeçar të ish-Bankës së Kursimeve dhe 50 milionëshi i është bashkangjitur pjesës së luanit të zbuluar më parë.

Hetimi

Prokuroria e Tiranës është në përfundim të hetimit të kësaj çështje dhe së shpejti dosja mund të niset në gjykatë për shqyrtim. Prokuroria akuzon tre ish-arkëtare të kësaj banke. Procedimi penal filloi ndaj katër ish-arkëtareve, por njëra prej tyre, Violeta Mema, vdiq disa muaj më parë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Për vjedhjen e këtyre parave, Prokuroria akuzon ish-arkëtaret Valbona Tirana, e cila u arrestua dhe më pas u la në detyrim paraqitjeje, Liljana Menga dhe Fiqirete Bici, të cilat rezultojnë të jenë larguar jashtë shtetit. Skandali i vjedhjes së ish-Bankës së Kursimeve, u zbulua nga vetë ish-drejtori, Ardian Kamberi, i cili denoncoi në Prokurori, më 20 mars të vitit të kaluar, një pjesë të punonjësve të institucionit. Ai i akuzonte fillimisht si përgjegjës për vjedhjen e 85 milionë dollarëve nga Banka e Kursimeve në Tiranë. Por nga hetimi ka rezultuar se paratë e vjedhura i kalojnë 2 milionë dollarët, duke u bashkangjitur edhe shumën e fundit 50 milionë të zbuluar ditët e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›