E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më kanë falsifikuar pronat në Hipotekë

18/05/2005  Biznesmeni Xhevdet Mansaku denoncon tjetërsimin e pasurisë

Ankimi te Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, për hetimin

Xhevdet Mansaku, biznesmeni nga Ndroqi i Tiranës, ka më tepër se një vit që ndeshet me presione të pushtetit lokal, të policisë, të veprimeve të çuditshme, sipas tij të Hipotekës, në telashe pa fund në gjykatë dhe prokurori. Mansaku denoncon veprimet në dëm të tij që prej një viti.

Kur keni nisur aktivitetin tuaj tregtar?

Kam nisur aktivitetin privat më 15 dhjetor 1991. Jam marrë kryesisht në fushën e prodhimit të artikujve ushqimorë, prodhim buke, prodhim mielli dhe prodhim vaji ulliri. Fillimisht, aktivitetet e para ishin bukë dhe miell, pastaj me konsolidimin e biznesit tim, investova në prodhimin e vajit të ullirit, duke realizuar ngritjen e dy fabrikave me teknolojgi bashkëkohore italiane, me kapacitet të prodhimit të dyja së bashku 3 tonë ullinj në orë.

Pronat tuaja?

Kam privatizuar, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, me nr.266, datë 10 gusht 1991, objektet e ish-kooperativës bujqësore të ish-këshillit pluralist të Ndroqit. Me vendim të datës 18.10.1991, e sipas aktmarrëveshjes më datë 16.11.1991. i gjithë kompleksi i prodhimit e përpunimit të drithërave e bukës është privatizuar në adresën time, më datë 30 janar 1992. Këto marrëveshje mbajnë firmën e ish-kryetares së këshillit, Drita Nuri, si kryetare dhe Rexhep Bleta si nënkryetar, gjithashtu mbajnë firmën e Fatime Gogës, si ish-kryetare e këshillit dhe Rexhep Bletës si ish-nënkryetar.

Janë regjistruar në Hipotekë?

Të gjitha këto objekte të privatizuara janë regjistruar në Hipotekën e Tiranës në vitin 1992 në emrin tim, sipas akt-shitjeve të shoqëruara me gentplanet përkatëse.

Si ka vazhduar puna?

Që nga ’92-shi e deri në këto momente objektet vazhdojnë të administrohen nga ana ime.

Keni pasur konflikte?

Gjatë gjithë kohës së aktivitetit tim, unë kam mbajtur qëndrim korrekt me të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe atë lokal, e nuk kam asnjë borxh. Absurdi nisi më 2001-shin, në kohën kur kryetare komune zgjidhet zonja Fatime Goga.

Çfarë ndodhi pas zgjedhjes së saj kryetare komune?

Më është ushtruar presion i vazhdueshëm. Kulmi ka arritur në vitin 2003, kur Fatime Goga, si kryetare e Komunës së Ndroqit, me urdhër verbal, më detyroi të paguaja tatim mbi ndërtesat 2 milionë e 540 mijë lekë të vjetra, pa asnjë mbështetje baze ligjore. Këtë detyrim, unë e pagova në sajë të urdhërave të shoqëruara me tri shkresa, që dërgoi kryetarja në Ministrinë e Financave dhe në zyrën e tatimeve në Tiranë. Ky bllokim u realizua në datën 27 gusht 2004.

Çfarë u bllokua?

U bllokua i gjithë aktiviteti me urdhër të kryetares së Komunës.

Reaguat ndaj kësaj mase?

U ankova në Drejtorinë e Tatimeve, por përgjigjja verbale ishte se nuk kemi çfarë të bëjmë, se ka urdhëruar kryetarja e zgjedhur. Më thanë që të paguaja lekët e të bëjë më pas padi në gjykatë. Veprim që është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës.

Më tej?

Kulmi i presionit arrin kur kryetarja me dërgon dy shkresa të pamotivuara dhe më kërkon një tatim fiktiv prej 6 milionë lekësh të vjetra.

Përse, sipas jush?

Në qershor të vitit 2004 më shfaqet një qytetar nga Ndroqi, i quajtur Xhevit Çekerri, i cili mbante në dorë dokumente pronësie, por mua nuk m’i jepte, dhe më tha se një pjesë të një objekti, pronë e imja, e kishte blerë dhe ai.

Çfarë bëtë pas kësaj kërkese?

U paraqita në zyrën e regjistrimit të pasurisë së Tiranës, më datë 3 gusht 2004, ku kam kërkuar hartën dhe certifikatën, kartelën e pronësisë sime.

Jua dhanë?

Më dhanë dokumentet, e për çudi pashë se në këto dy dokumente kishte një mospërputhje me sipërfaqen reale të privatizuar, të marrë nga certifikata e ‘99-ës të dalë po nga kjo zyrë. Pashë se sipërfaqja e pronësisë ishte 2380. 78 metër katror më pak. Gjithashtu në hartë dhe në kartelën e pronësisë janë të ndryshuar qëllimisht ekstremet e kufizimit në lindje dhe në jug të pamotivuar, kundrejt certifikatës së vitit 1999.

Kush i kishte bërë ndryshimet?

Janë bërë në zyrën e regjistrimit të pasurisë në Tiranë, pa praninë time. Unë nuk kam pasur asnjë proces gjyqësor që të merrej një vendim, ku unë të ndryshoja pronësinë.

Ku ndodhet prona juaj?

Prona ime ndodhet ne zonën kadastrale 2726, me numër pasurie 177/6.

Denoncuat këtë falsifikim?

Në këtë moment unë kërkova të bëja kallëzim në Komisariatin nr.4, që ka në juridiksion zonën ku banoj. Ky veprim ishte i pamundur të realizohej në këtë komisariat, sepse bllokimi i kallëzimit bëhej nga punonjësi i policisë, Sokol Mata. Kështu nuk denoncova dot në komisariat.

Po ku u drejtuat?

Më 6 gusht 2004, unë realizova kallëzimin në zyrën e antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, me numër dosjeje 2958.

Pas denoncimit?

Kjo dosje u vendos në administrim nga prokurori Llambi Bako, i cili ngarkoi ndihmësin e tij, Enklid Gjini, që të merrej me hetimin. Sipas meje, hetimi i kësaj çështjeje nuk u realizua. Bëra ankesë te Llambi Bako, duke kërkuar heqjen e dosjes nga Gjini, për shkak se mbajtja e dosjes prej tij përbënte sipas meje konflikt interesi.

Ku e mbështesni këtë?

Kjo, sepse Enklid Gjini dhe shefi i Hipotekës kanë lidhje miqësore. Llambi Bako nuk pranoi që të bënte këtë ndryshim.

Prokuroria arriti në konkluzion që të mbyllë hetimin pa asnjë rezultat. Me këtë vendim mbylljeje, që sipas meje është deformuar qëllimisht, data e hipotekimit të objekteve të mia, nga vitit ‘92 në vitin ‘94. Në këtë vendim merren në konsideratë dy mandat-arkëtime me nr.199, datë 1 shkurt 1992, dhe nr.194 datë 1 shkurt 1992. Deformon dhe akt-shitjen e Hidër Gogës, që e vlerëson me këto mandate sipas meje të falsifikuara. Aktshitja e Hidër Gogës është bërë në vitin 1994, mandati në ‘92-shin, Hipoteka është bërë më 2004-ën. Prokurori, kam dyshimin se deformon qëllimisht datën e Hipotekës, duke e çuar atë më 1994-ën. Po në këtë vendim, prokurori shkruan "kjo rregullsi e pronës është e tillë dhe për punishten e vajit, që Xhevit Çekerri, e ka blerë nga Hidër Goga, pasi, kjo është pronë që rrjedh nga ndarja e pronës, e cila ishte regjistruar në emër të shtetasit Hidër Goga". Këto sipas meje janë veprime të qëllimshme, që krijojnë shanse për të realizuar krime të mundshme.

U ankuat për prokurorinë?

Vendimin e Prokurorisë e kam kundërshtuar në Gjykatën e Tiranës, dhe i kam shkruar Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, që të anulojë këtë vendim, e të rihapë hetimin për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›