E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ: Janë bllokuar komisionet zgjedhore zonale

18/05/2005  Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka shprehur shqetësimin për mosfuksionimin e Komisioneve të Zonave Zgjedhore, gjë që prek standardin e zgjedhjeve. Sipas Celibashit, “nga 100 KZZ, në 37 prej tyre nuk janë emëruar plotësisht anëtarët, për arsye se Partia Demokratike nuk ka paraqitur dokumentacionin për 45 propozime të saj, në 33 KZZ. Partia Demokrate e Re, Partia Socialdemokrate dhe Partia Republikane nuk kanë paraqitur dokumentacionin për 2 propozime të tyre, në 2 KZZ“. Gjithashtu kreu i KQZ-së ka kritikuar disa parti politike, të cilat “kanë të drejtën e propozimit të anëtarëve të KZZ-ve, por nuk plotësojnë dokumentacionin përkatës, duke treguar mungesë të vullnetit ligjor dhe politik për zbatimin e detyrimeve që lindin nga Kodi Zgjedhor". Ndërkohë, Celibashi i rikujton dhe një herë forcave politike në vend që të “të ushtrojnë përgjegjesitë e tyre në procesin zgjedhor të datës 3 korrik. KQZ-ja sjell në vëmendje që ngritja me vonesë e këtyre komisioneve mund të rrezikojë standardin e plotësimit të detyrave zgjedhore nga këto komisione, gjë që do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në standardin e vetë zgjedhjeve", tha Celibashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›