E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Kritika opozitës në takimin me kreun e FMN

18/05/2005  Escolana, përshëndet nismat për zhvillimin ekonomik

Kryeministri Fatos Nano priti në një takim të veçantë shefin e Misionit të FMN, Julio Escolano. "Vlerësojmë mbështetjen që na keni dhënë dhe bashkëpunimin me ju në progresin që kemi arritur për të krijuar qëndrueshmërinë e duhur ekonomike dhe fiskale", tha Kryeministri Nano. Ai ka falenderuar misionin e FMN për ndihmën e dhënë për të sjellë opozitën në drejtimin e duhur në lidhje me kontributet që ajo duhet të japë për ruajtjen e stabilitetit makrofiskal, si dhe vazhdimin me të njëjtin intensitet të reformave nga ana jonë. "Ne vlerësojmë këtë bashkëpunim, sidomos kur ai shërben dhe na vjen në ndihmë për të thithur kontribute nga politika, shoqëria civile, apo komuniteti i biznesit, këta elementë të rëndësishëm, ku ne kemi përqëndruar përpjekjet tona për reforma që i shërbejnë progresit të Shqipërisë drejt Evropës”, tha Nano. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri përshëndeti ndihmën që FMN ka dhënë në drejtim të krijimit të sensibiliteteve të duhura për të gjithë aktorët politikë në vend, e sidomos opozitën, lidhur me përcaktimin e drejtimit të duhur të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar. Nga ana e tij, shefi i Misionit të FMN theksoi se performanca makroekonomike në të gjithë treguesit e saj konsiderohet mjaft e mirë, jo vetëm për faktin se gjatë këtij viti, e sidomos gjatë katërmujorit të fundit, janë ruajtur të gjithë treguesit makroekonomikë, por edhe se është mënjanuar plotësisht rreziku për të abuzuar me buxhetin, për shkak të vitit elektoral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›