E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo” të rinjve të fabrikuar



Mentor Beqa

Pjesëmarrja e të rinjve në politikë është një diskutim që shpeshherë është shndërruar në një klishe rutinë në diskursin publik, për shkak të mospasjes së një qasjeje të drejtë në lidhje me këtë çështje. Konsiderimi i të rinjve si një grup interesi monolit, i cili në njëfarë mënyrë duhet të kuotizohet, siç veprohet me gratë apo me minoritetet, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një orientim i gabuar i debatit, i cili për pasojë nuk jep frytet e veta. Qasja që do të ishte produktive të ndërmerrej në debatin publik lidhet me një orientim tjetër në këtë debat të rëndësishëm, e cila e sheh pjesëmarrjen e të rinjve në politikë si një natyrshmëri që nuk ka nevojë për injeksione apo stimulime, të cilat më pas degradojnë në kooptime, por me krijimin e një strukture politike që promovon karrierën dhe garën e ndershme, të cilat do të krijonin mundësinë e infiltrimit të të rinjve në politikë në bazë të meritës dhe jo preferencës.

Të rinjtë dhe të vjetrit, si në kuptimin e moshës politike, po ashtu edhe në sensin e moshës biologjike, nuk duhen parë nga pikëpamja përjashtuese si dy klasa të ndara, të cilat zëvendësojnë apo përcaktojnë njëra-tjetrën, por si angazhime përplotësuese që garantojnë vazhdimësi. Strukturimi i “moshës politike” dhe “moshës biologjike” në këtë diskurs është i domosdoshëm për të pasur një qasje të drejtë në lidhje me angazhimin e të rinjve në politikë në vitet e pluralizmit në Shqipëri. E vërteta është se në Shqipëri nuk kanë munguar në politikë të rinjtë biologjikë, pasi në një vend, ku brenda një kohe të shkurtër ka dy kryeministra 28-29 vjeçar, ky nuk është problem. E reja politike e induktuar në politikë nëpërmjet angazhimit të të rinjve mund të shihet si mungesë. Kjo ka në thelb dy arsye kryesore: interesi në zbritje i të rinjve për politikën; mungesa e një strukture gare që do të përzgjidhte në mënyrë të natyrshme të rinjtë me potencial politik.

Mungesa në politikë sot e shumicës së organizatorëve të 8 dhjetorit 1990 është një shembull për të argumentuar se jo të gjithë ata që instaluan triumfin e demokracisë, ishin të interesuar të merreshin me politikën e veprimit. Qëllimi i tyre ishte liria dhe mekanizmat që do të garantonin lirinë, ua lanë në dorë atyre që kishin dëshirë e pasion të merreshin me politikë. Kjo zbehje e dëshirës politike është rritur ndjeshëm me kalimin e viteve, madje reflektohet edhe në forumet e angazhimit partiak, të cilat kanë një rëndësi relative që ka ardhur duke rënë me kalimin e viteve. Kjo ka ndodhur për shkaqe objektive, si interesi për aktivitete të tjera mendore dhe sociale të të rinjve dhe shikimi me dyshim i politikës, por edhe për shkaqe subjektive që lidhen drejtpërdrejt me aktorët e tjerë politikë.

Imazhi i të rinjve në përgjithësi për politikën është shpeshherë i keqkuptuar dhe i mbushur me dyshime ndaj politikanëve, që në këndvështrimin e tyre nuk mund të përfaqësojnë interesat e të rinjve. Sjellja e aktorëve politikë me politikën ka krijuar në të shumtën e rasteve një kuptim të gabuar të të rinjve për politikën duke zbehur dëshirën e tyre për t’u angazhuar. Kjo prirje vjen në rritje në përpjesëtim të drejtë me moshën e të rinjve; sa më e vogël mosha, aq më i vogël interesi për t’u angazhuar politikisht. Diskursi politik natyrisht që ka ndikuar në kuptimin e mbrapshtë të politikës si një instrument për t’u realizuar financiarisht dhe jo si një angazhim në shërbim të parimeve dhe qytetarëve. Kjo ka çuar edhe në një prirje të lexueshme të angazhimit të pjesës pragmatiste të të rinjve, të cilët i përcaktojnë vetvetes misionin e pasurimit financiar.

Por çfarë mund t’i afronte më shumë të rinjtë me procesin politik? Relaksimi i debatit politik, impersonalizimi dhe vendosja e tij mbi parime dhe ide politike do të ishte veprimi i duhur në një situatë kaotike të angazhimit politik; përpjekja për ta bërë politikën më interesante dhe produktive, pra vendosja në qendër e qytetarit dhe mënyrave se si i shërbehet atij dhe heqja dorë nga bërja e politikës për hir të politikës. Trajtimi i politikës në mënyrë që të bëhet më e kuptueshme dhe më e kapshme nga të rinjtë dhe çlirimi nga teknokratët dhe burokratizimi i saj. Sjellja më e përgjegjshme e aktorëve politikë ndaj nevojave dhe dëshirës së të rinjve për t’u angazhuar dhe më e rëndësishmja, ndërtimi i rrugëve të reja për ta bërë më të lehtë infiltrimin e të rinjve në politikë nëpërmjet një procesi të ndershëm që ka si princip të parë, garën.

Shumica e aktivistëve partiakë janë të rinj në moshë, shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar po ashtu. Në këto kushte nuk mund të thuash se pjesëmarrja numerike e të rinjve në politikën e drejtpërdrejtë është problem. Problemi qëndron tek mënyrat e angazhimit të të rinjve. Tradita 18-vjeçare e pluripartitizmit na ka treguar se angazhimi ka të bëjë më shumë me emërimin se me zgjedhjen, me katapultimin sesa me një proces të natyrshëm angazhimi, me kooptimin dhe klonizimin sesa me prurjen dhe ruajtjen e individualiteteve. Angazhimi i tillë nuk sjell ndonjë risi, nuk e pasuron skenën politike, nuk e diversifikon debatin, nuk përzgjedh vlerat, përkundrazi, kuotizon servilizmin, ngurtëson pjesëmarrjen në vendimmarrje, fsheh situatën reale me anë të makijazhit rinor dhe dekurajon pjesëmarrjen e të rinjve në politikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›