E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Taksa e sheshtë, si aplikohet tek biznesi i vogël



Biznesi i vogël po rëndohet nga taksat vendore dhe jo nga taksa e sheshtë. Ministria e Financave ka sqaruar dje se biznesit të vogël nuk i shtohet barra fiskale nga aplikimi i taksës së sheshtë, pasi nëse një biznes që ka paguar tatim më tepër, ai i rimbursohet në fund të vitit. Për të qartësuar opinionin publik dhe biznesin, ekspertët e financave kanë sqaruar skemën që përdoret për taksën e sheshtë tek biznesi i vogël. Ministria e Financave, edhe një herë e sheh të arsyeshme të sqarojë opinionin publik lidhur me aplikimin e taksës së sheshtë për biznesin e vogël dhe implikimet e mundshme mbi të. Për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimtë dhe për ta kuptuar më mirë aplikimin praktik të saj, ekspertët e financave japin një shembull: Biznesi “x” është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekësh. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1.5% dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo tremujor. Subjekti “x” duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5%=105.000 lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik, subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar. Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme, ku përfshihet kostoja e mallrave dhe shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qiratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zdritshme, na jep të ardhurat e tatueshme të cilat në rastin tonë do të ishin 7 mln – 6 mln = 1 milion lekë. E ardhura e tatueshme po të shumëzohet me shkallën tatimore prej 10%, na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 mln x 10%=100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave, të cilat janë të zbritshme nga tatimi real.

Në rastin tonë subjekti ka paguar 105.000-100.000=5 mijë lekë më shumë sesa duhet, ndaj ligji thotë se në këtë rast subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. Ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›