Pensioni i minatorëve, qeveria vendos të ulë moshën në 60 vjeç
Ervin KOÇI
Minatorët shqiptarë do të kenë mundësi të gëzojnë më shpejt moshën e daljes në pension, e cila do t’u ulet me 5 vjet. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin për uljen e moshës së pensionit si dhe viteve të punës për punonjësit e nëntokës. Sipas këtij projekti të qeverisë, mosha e daljes në pension të minatorëve do të ulet me pesë vite, ku punonjësit e nëntokës do të mund të përfitojnë pensionin sapo të mbushin moshën 60 vjeçare, ndërkohë që deri më tani, këtyre të fundit iu njihej e drejta e përfitimit të tij, vetëm pasi të kishin mbushur 65 vjeç. Gjithashtu, në bazë të këtij projektligji, ulen me 5 vjet edhe vitet e punës për të përfituar pension. Kështu nga 35 vite që është aktualisht me ligj, për përfitimin e pensionit duhet të kesh 30 vite pune nga të cilat 15 në nëntokë. Efektet financiare nga zbatimi i këtij projektligji në buxhet llogariten 25 milionë lekë në muaj, ose 300 milionë lekë në vit. Prej muajsh minatorë nga i gjithë vendi kanë kërkuar uljen e moshës së daljes në pension, dhënien e statusit të minatorit dhe përmirësimin e kushteve të punës nëpër galeri.
Drafti
Aktualisht një minator përfiton pension në Shqipëri në moshën 57-vjeçare. Por ligji ekzistues pa ndryshimet e reja parashikonte rritjen graduale të kësaj moshe deri në 65 vjeç në vitin 2023. Drafti i ri, e kufizon rritjen progresive të moshës jo më në kufirin 65 vjet por në 60 vjet, ndërsa vjetërsia në punë bëhet 30 vjet me kushtin që 15 prej tyre të kenë qenë punë nëntoke (në galeri). Por kjo nismë e qeverisë, që vjen pas një premtimi elektoral të kryeministrit, nuk i bind ekspertët e financave publike brenda vetë mazhorancës së djathtë. Sipas Ministrisë së Financave, nga ky ligj që do i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 200 milionë lekë në vit do të përfitojnë rreth 3 mijë minatorë.
Premtimi
Ulja e moshës së pensionit për minatorët ka qenë një premtim të cilin qeveria e ka bërë disa muaj më parë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Përveç uljes së moshës me 5 vjet për pensioni e minatorëve, qeveria në atë kohë premtoi edhe rritjen e pagës për këtë kategori punonjësish. Ky vendim do të ketë fuqi prapavepruese dhe do të rrisë kategorinë e pensionit të minatorit. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha ngarkoi ministritë përkatëse për të përgatitur vendimin për amendimin e ligjit për pensionet. Ky vendim do të ulë moshën e pensioneve për minatorët me 5 vjet dhe do të ketë fuqi prapavepruese, në mënyrë që të mbulojë të gjithë minatorët dhe ish-minatorët shqiptarë. Gjithashtu, në bazë të këtij vendimi, pensionet e minatorëve do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm për këtë kategori.
Riklasifikimi i rrugëve, studim në bashkëpunim me BB
Ministria e Transporteve në bashkëpunim me Bankën Botërore po kryejnë një studim për riklasifikimin e sistemit rrugor në Shqipëri. Në këtë mënyrë do të zgjidhen të gjitha paqartësitë që ekzistojnë lidhur me rrugët që i përkasin komunave dhe që menaxhohen nga sistemi vendor dhe atyre që janë nën administrimin e Ministrisë. “Jemi duke ndërmarrë njëkohësisht studimin për një riklasifikim të rrjetit rrugor të Shqipërisë. Të atyre që do të mbeten përfundimisht rrugë të komunave dhe të atyre që do të kalojnë në përgjegjësinë e administrimit të autoritetit rrugor”,- deklaroi Ministri Olldashi. Këtë deklaratë, Olldashi e bëri gjatë diskutimit të projektligjit mbi autoritetin rrugor në Shqipëri në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sipas tij, Autoriteti Rrugor do të ngrihet në vend të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe do të jetë një ent i varur nga ministria dhe jo i pavarur siç rekomandojnë ndërkombëtarët, si BB-ja dhe KE-ja.
BSH nxjerr në shitje 24.2 miliard lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 24.2 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 1 tetor, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 12 dhe 3 mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në 30.09.2010 dhe 19.12.2009. Nga totali prej 24.2 miliardë lekësh, 11 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 12 mujor dhe 13.2 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 3 mujor.
30 Shtator 2009