Jo vetëm me “Guximin”
Edhe më parë kishte rrotulluar pllakat nëpër diskoteka të ndryshme të Zvicrës. Por, tani ka vendosur që t’i hyjë edhe prodhimit, përderisa me këngën “Guximi” të cilën e këndon Genta Ismajli, DaLool u bë hit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani.
“Besoj që ka qenë projekt i suksesshëm duke pasur parasysh që u dëgjua në gjithë shqiptarinë, është duke shkuar në youtube - kah 1 milion views (shikime) - edhe ka qenë në pozitat 13, 22 edhe 44 ne “Dance Music Video Charts” në Gjermani”, thotë Dalool për Express.
Tani ai nuk e përjashton edhe bashkëpunimin me këngëtarë të tjerë të estradës kosovare dhe thotë se është në kontakt më shumë këngëtarë të njohur të muzikës shqipe.
“Jam duke punuar në album dhe do të ketë projekte me artistë të njohur shqiptarë. Disa këngë janë përfunduar si projekte, po hala s’janë kënduar, tani sapo kam lansuar këngën me rap grupin e Zvicrës, Freax. Ata janë shumë të njohur për komunitetin shqiptar në Zvicër. Është një këngë shumë ndryshe prej asaj që janë dëgjuar deri tash në tregun shqiptar...”
Për shkak se Guximi kishte qenë njëra prej këngëve që është dëgjuar edhe jashtë, Dalool, megjithatë ende nuk ka përgjigje se a do të bashkëpunojë me ndonjë këngëtar joshqiptar.
“Kjo është një pyetje që nuk ka përgjigje për momentin. Shpresoj që të kem në të ardhmen. Por, mua më shumë më intereson ta revolucionarizoj muzikën te ne, sepse këtu (në Zvicër v.j) qysh moti është në trend kjo muzikë”.
Ky është albumi i parë i Daloolit që është punuar nga ai me këngë të tij, por ai ka pasur edhe këngë të miksuara në karrierën e tij.
“Tani do të kem një album me këngë të prodhuara nga unë përderisa në vitin 2000 kam lansuar albumin “Dico 2000”, ndërkaq përpunimi i fundit me këngë të miksuara ishte në vitin 2009, kur edhe kam bërë promovimin e CD-së me këngë të miksuara “Live 2 Be”.
Megjithatë, ai thotë se albumi i tij do të jetë i gatshëm në fillim të vitit, përderisa gjatë vjeshtës paralajmëron adhuruesit se do të këtë edhe hite të reja.
“Albumi planifikohet vitin e ardhshëm. Normal do publikohet në të dy vendet. Do të planifikoj dy promovime, një në Prishtinë dhe një në Zvicër, ndërsa shpresoj që do ta vizitoj Kosovën sërish në nëntor dhe dhjetor - ndoshta pse jo edhe lansimin e ndonjë projekti surprizë, sikur ai me Gentën që ishte surprize?”, ka thënë Dalool.
"Guximi"