E Shtunë, 31 Tetor 2026

APRIAL nis renditjen finale të fituesve në universitete

21/09/2011  Pikët për fituesit e fundit të pranuar në çdo program studimi gjatë raundit të parë

Si do të spostohet pragu i fituesve, të premten gati lista përfundimtare

Pas detajimit të vendeve të mbetura bosh nga faza e parë e regjistrimeve në universitetet publike të vendit, ka nisur tashmë puna për renditjen përfundimtare të fituesve. Lista e re, e cila do të shpallet më 23 shtator, do t’u japë mundësinë e rihyrjes në garë shumë maturantëve që nuk u përzgjodhën fitues gjatë raundit të parë. Ekspertët e arsimit bëjnë me dije aq sa është numri i kuotave të mbetura bosh të raportuara për çdo program, po aq do të jetë dhe numri i kandidatëve (që do ndodhen poshtë pragut fitues në atë program) që do të shtohen te lista e fituesve përfundimtarë, e cila do të bëhet publike ditën e premte. Aktualisht APRIAL, në bazë të preferencave të bëra nga maturantët, ka nisur punën për detajimin e listës përfundimtare të fituesve. Ndonëse nuk janë zbardhur ende të gjitha tabelat e kuotave të mbetura bosh, thuhet se vija e hequr për fituesit në të 11 universitetet publike të vendit do të s’postohet me më shumë se tre mijë vende. Kjo në varësi të kuotave të mbetura bosh në të gjitha programet studimore që do të ofrohen nga strukturat publike gjatë vitit të ri akademik 2011-2012. Maturantët që nuk janë shpallur fitues në raundin e parë, por që ndodhen pranë pragut të hequr për fituesit paraprakë, mund të konfirmojnë pikët e fituesit të fundit të pranuar në çdo program dhe rezultatit të tyre, çka u lejon atyre të kuptojnë nëse do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën me pikët e fituesit të fundit të pranuar në të gjitha programet studimore për të 11 universitetet publike të vendit. Njëkohësisht maturantët duhet të kenë kujdes që pas shpalljes së listës së re të rikonfirmojnë të drejtat e tyre studimore pranë sekretarive ë fakulteteve ku kryhet edhe procedura e regjistrimeve finale. Ministria e Arsimit u tërheq vëmendjen maturantëve që kanë fituar një degë, të shohin me vëmendje listën, pasi mund të ndryshojë preferenca e zgjedhur dhe, nëse ata nuk njihen me këtë, mund t’u digjet e drejta e studimit. Qeveria ka akorduar për vitin e ri akademik rreth 34 mijë kuota, nga të cilat 25 mijë janë për studimet me kohë të plotë dhe 9 mijë për studimet me kohë të pjesshme. Në provimet e maturës shtetërore këtë vit morën pjesë rreth 42 mijë maturantë në të gjithë vendin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›