E Diel, 1 Nëntor 2026

Joan Pick, gruaja ekologjike antienergji

Në një sirtar komodine, Joan Pick ruan një foto qëkur ishte 32 vjeçe: i kishte flokët e shkurtra, mbante veshur një fustan të zi pa mëngë dhe ishte me të vërtetë një grua e bukur. Ishte fillimi i vitit 1973, shumë pak përpara se të niste të jetonte si një njeri që refuzoi të përdorte energjinë, duke hequr dorë nga makina, frigoriferi, televizioni, ngrohja dhe dushi, për të mbrojtur ambientin. Që prej 35 vjetësh, Pick jeton në Crojdon, një qytet në jug të Londrës, e qetë e plot shëndet dhe me idenë që progresi teknologjik nuk ekziston. Që atëherë nuk ka hipur më në ndonjë makinë, apo mjet tjetër me motor, përveçse në vitin 1991, kur shkoi në spital me ambulancë, pasi ishte dëmtuar rëndë në shpatull dhe në vitin 1992, kur hipi në makinë për të shkuar në funeralin e së ëmës. Që prej asaj kohe nuk është larë më asnjëherë me ujë të ngrohtë dhe nuk ka gatuar një gjellë të ngrohtë për veten. Vetes i ka lejuar shumë pak salltanete: në shtëpi ka një makinë elektrike (nuk heq dot kurrë dorë nga çaji, të cilit i shton qumësht pluhur), një radio dhe një llambë me konsum të ulët. "Për elektricitetin shpenzoj jo më pak se 8 euro në muaj", thotë Joan. Kujtimet e së kaluarës, si grua moderne, janë ende të pranishme. Kuzhina është kthyer në një arkiv faqesh gazetash, tiganët ngjyrë portokalli i shërbejnë si pesha për të bërë gjimnastikën e përditshme, ndërsa frigoriferi është plot arra dhe grurë, ushqimet bazë të saj. Këtij stili jetese, Joan i shton edhe dy orë vrap në ditë. Ndoshta për këtë arsye, edhe pse është 68 vjeçe, ka formë të përkryer fizike. Vetmia e mundon, por në jetë nuk ka arritur kurrë të gjejë shpirtin e saj binjak. Dikur konsiderohej si një vajzë e bukur dhe moderne, ndaj nuk ngurron të nxjerrë nga dollapi fustanet prej mëndafshi, që i qepte vetë. Një e kaluar e vështirë për t‘u menduar, duke qenë se sot vesh një kostum sportiv blu dhe në kokë mban një kapele "Nike". "Asnjë burrë nuk do ta kishte pranuar mënyrën time të jetesës. Ata kanë nevojë për tri vakte të rregullta në ditë dhe shumë privilegje", tregon. Përveçse nuk ka asnjë mashkull në jetën e saj, Pick nuk ka as të afërm apo miq. Prindërit, i ati një inxhinier, ndërsa e ëma një profesoreshë matematike, kanë vite që i kanë vdekur. Vëllai, me të cilin ka një raport të vështirë, jeton në Dallas në SHBA. Si vendosi Joan ta merrte një vendim të tillë, duke hequr dorë nga ato gjëra pa ta cilat ne sot nuk do të jetonim dot? "Shumë thonë se jam e çmendur", tregon duke qeshur. "Të thuash të vërtetën, ndonjëherë e mendoj edhe vetë këtë kur vishem me xhaketë, këpucë dhe beretë, edhe pse temperatura jashtë është nënë zero dhe ngrohja e ambientit është e domosdoshme". Me siguri që Joan Pick është një ekologjiste koherente. Lufta e saj për të reduktuar konsumin global të energjisë në të njëjtën kohë është një betejë për reputacionin saj: shkencëtarja, e diplomuar në Fizikë dhe Matematikë në Universitetin e Bristolit, është e bindur se ka plotësisht të drejtë. "Jam një lloj Galilei", tregon duke bërë shaka.

Një mendje brilante

Për të kuptuar betejën e saj na duhet të kthehemi shumë vite pas. Në vitin 1964, pasi kishte punuar për dy vjet në revistën "Understanding Science", u bë pjesë e "Metra"-s, një shoqëri konsulente industriale (Interplan) që bënte kërkime mbi një varietet të madh argumentesh: nga ujërat, te mikroskopët elektronikë, e deri te motorët diesel. Në vitin 1967 shkoi të punonte për shoqërinë "Peter Ward Associates", themeluar nga disa kolegë të vjetër të "Metra"-s. Ishte fillimi i një karriere premtuese për një vajzë të re me inteligjencë të jashtëzakonshme. Aktualisht, Pick është pjesë e "Mesas", organizata ndërkombëtare ku bëjnë pjesë vetëm njerëzit me koeficient të lartë inteligjence. Në Krishtlindjen e vitit 1972, në të gjithë botën gjërat po shkonin shumë keq: kriza e parë e naftës ishte afër dhe inflacioni rrezikonte seriozisht ekonominë. Pick vendosi të shkruajë një raport mbi gjendjen e planetit, ku mblidhte vëzhgimet e saj mbi botën e industrisë, të "fiksuar nga përfitimet dhe progresi". Studiuesja ishte e bindur se kishte realizuar një kuadër të plotë të çështjes. Por, "Interplan", që nuk donte të rrezikonte të humbiste klientët, e mbajti të fshehur dokumentin. Pick pranon se iu bë një padrejtësi e madhe: "Kishte krijuar një model të ri ekonomik. Toka është si një ndërmarrje ku të gjithë jemi aksionerë, ku energjia është kapitali më i rëndësishëm", tregon. Ajo nisi të bënte presion mbi shefin e saj në mënyrë që t‘ia dëgjonte atë çka kishte për të treguar. "Ai mendoi se ishte mirë që të vizitohesha te ndonjë mjek, pasi truri im nuk ishte në rregull, duke më thënë se vuaja nga manitë". Më 24 maj të vitit 1973, që e kujton sikur të ishte dje, shefi kërkoi që ta fusnin në një klinikë në Londër, por ajo u arratis nga dritarja, pasi kishte rënë në ujdi me "një vajzë budallaqe që dukej si karikatura e një psikoanalisti".

Besnike ndaj misionit të saj

Pick u largua nga Interplan, me një dëshirë të vetme: të publikonte raportin e saj, që e kishte përgatitur gjatë gjithë jetës, e që ende sot vazhdon të "monopolizojë" gjithë energjitë e saj. Më vonë filloi t‘u shkruante letra shkencëtarëve, politikanëve dhe botuesve për ta dëgjuar se ç‘po bëhej me Tokën. "Nuk mendoja se do të vazhdoja kështu për 35 vjet", thotë duke qeshur. Raportin e saj nuk e ka publikuar askush, ndërsa ajo vazhdon t‘u shkruajë me makinën e vjetër të shkrimit, autoriteteve më të larta për të shpëtuar ambientin. "Të gjithë në qeveri kanë dëgjuar të flitet për mua", tregon. "Shpesh mi kthejnë letrat dhe kjo është shumë ofenduese, apo jo? Jam një ndër shkencëtarët më të mirë në botë dhe vazhdoj të punoj falas", tregon Pick. Për të jetuar i mjaftojnë ndihmat dhe një pension i vogël prej 7300 eurosh në vit. Qiraja e një apartamenti në një lagje popullore si ajo ku jeton nuk kushton shumë. Mobiliet që u përkasin viteve ‘70 kombinohen bukur me kolltukët dhe pamjen e mrekullueshme të dritares, nga ku duket një pjesë e mirë e Londrës. "Kam arritur të respektoj gjithmonë principet e mia dhe kam provuar se mund të jetohet mirë duke harxhuar pak energji", tregon me gaz Joan. "Sigurisht që nuk harroj edhe të ëndërroj", përfundon.

Biografia

1940: Lindi në Barrou, Furnes, në Britaninë e Madhe

1962: U diplomua për Matematikë dhe Fizikë në Universitetin e Britolit

1967: Punon për shoqërinë konsulente "Peter Ward Associates" (Interplan)

1972: Shkruan një raport, ku denoncon rritjen industriale dhe dëmtimet e saj mbi ambientin

1973: Vendos të mos i përdorë më makinat, gazin dhe shumë pajisje elektroshtëpiake

1992: Hipën për herë të fundit në një makinë për të shkuar në funeralin e së ëmës


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›