E Diel, 1 Nëntor 2026

Martohem për një pasaportë të BE

Nga Kim Berisha

Ndryshe nga shqiptarët që me politikë (dhe me kamionin e Pieter Feith) janë nisur për Evropë, serbët po e shfrytëzojnë “rrugën erotike” drejt Evropës. Ofiqari Nenad Dankoviç, në “Glas Javnosti” tha se “në Serbi po ndodh një fenomen i paparë. Shkaku se plakat gjermane po kushtojnë shtrenjtë, shumë serbë fukarenj për një pasaportë të BE po martohen me bullgare. Ai tha se integrimi në Evropë serbëve po u kushton 5 deri 15 mijë euro. Posa lexova Nenadin, e flaktë siç jam për Evropë, nxora 5 mijë euro kredi, qita një shpallje në gazetat bullgare, “martohem për një pasaportë të BE”!

Ndër qindra kandidatë meshkuj, mua m’u paraqit një femër, Shehide Tulaganova, e BBC që bëka gazetari investiguese. Shehidja ia kishte dalë t’i falsifikonte dhe t’i merrte me ryshfet 20 pasaporta biometrike të BE. Më tha, mos u marto për pasaportë, se në Ministrinë e Brendshme bullgare mund të të siguroj pasaportë të BE me 150 euro. Në Greqi, kushton pak më shtrenjtë - 500 euro. Në Gjermani për tri ditë, - tha, - të bëj nuse-ruse për 2 mijë euro.

Shtrenjtë! Vendosa të pres kamionin. Mos vjen me mua edhe Pieter Feith, edhe pse nuk është tipi im. Jo si figurë, Feith nuk më pëlqen, se e ka zanat që atë që e sheh me sy, të mos e thotë me gojë. Si këshilltar i Solanës, (kur ishte misionar në Darfur më 2004), Feith tha se atje “po vazhdojnë vrasjet, djegiet e fshatrave… por Evropa nuk po sheh ndonjë gjenocid në Darfur”! Ku mundet Evropa t’i shohë të gjitha djegiet e vrasjet që bën OKB nëpër botë?!

Era nuk shihet, por e nxjerrë lisin me rrënjë. Thashë - ta deshifroj atë që “nuk shihet” (që të dihet) çfarë lloj “bashkimi” me Evropën po na pret: Churchili, para 62 vjetësh, propozoi të organizohet “Grupi Evropian”, si një shembull i patriotizmit kontinental-masiv. Njeriu i ri evropian do të jetë patriot vetëm në rastet kur BA (bashkimi aziatik) do ta rrezikonte BE! Homo-evropiani parashihet të jetë “qytetar i ndershëm” e jo patriot lokal, nacionalist. Churchili nuk do të lejonte krijimin e Homo-evropianit në mënyrë joligjore, (pa kamion) dhe duke korruptuar gra bullgare, rumune, e sidomos plaka gjermane, se Churchili vuante nga “çrregullimet bipolare”, nga “depresioni” që e ai quante “qeni i zi”!

Cila do të jetë “fizionomia” antropologjike e Homo-evropianit? Nisem nga flamuri i BE. Dizenjuesi i tij (Arsene Heitz) u frymëzua nga “The Book of Revelation” (Testamenti i Ri, Apokalipsi). 12 yjet e flamurit janë 12 punëtorët e Herkulit, 12 apostujt, 12 yjet e diademës së Marisë së Virgjër që, sipas New Testament, do të zbresë nga qielli ditën e Apokalipsës (fundit të botës).

Çka na bashkon në Evropë? Frika! Evropa bashkohet për ta pritur Apokalipsen! Shenjat i pashë në video, (brightcove.tv) ku Franco Frattini mbante në dorë pasaportën e BE dhe ku dallohet qartë emblema e Satanës, figura e idolit të Baphomeut, sipas Biblës, djalli 666 (Number of the Beast). I gjori Papa Benedict XVI, u fut në SHBA me pasaportë të BE, e cila ka plot figura satanike!

Satanizmi është fe, ka Kishë e besimtarë të djallit. Një besimtar legalist i Satanës, me emrin Chris Cranmer shërben në ushtrinë britanike. Rregulla nr. 11 e kodit të satanizmit, thotë: “kur në një territor të hapur të pengon dikush, shkatërroje”! Të ishte Chrisi të caktohej roje në Urën e Ibrit, e ta zbatonte këtë urdhëresë të Biblës Satanike!

S’janë veç simbolet e pasaportës dhe flamurit të BE. Në Parlamentin Evropian, karrigia nr. 666 është e rezervuar, vakante, e zbrazët. Ish-ministri i Irlandës, Dr. Ian Paisley, shkruan se “në karrigen bosh 666 të Parlamentit Evropian, s’guxon të ulet askush nga 785 gra e burra parlamentarë”, dhe shton “se karrigia është rezervuar për Antichrist-in, kur të vijë ndonjëherë”! Cili do të jetë Antichrist-i i III-të pas Hitlerit e Bonapartit? Na e zbulon Gematria (alfabeti hebraik), që secilën fjalë e dëshifron me numër (hiddencodes.com) dhe shkon aq larg, saqë Solanën e identifikon si Antichrist. Kur mblidhen numrat nga secila germë e emrit dhe mbiemrit të Solanës, sipas Gematrias, del numri 666. Javier do të thotë “shtëpi e re”, Solana do të thotë “era nga lindja”. Solana (hebraiko-arab), para se të studionte fizikën, ndoqi “mësimet shpirtërore” katolike në Kolegjin ekskluziv të El Pilarit. Aty u frymëzua ta shkruante pamfletin me titull “50 arsye për t’i thënë Jo NATO-s”. Më vonë arriti të bëhet shef i NATO-s!

BE nuk e ka bekimin e nënave të integrojë në pasaportë simbole satanike, si dhe zotin e nëntokës egjiptiane në ID. “Sunday Times” shkruan se si qindra-mijëra gra shtatzëna morën injeksione që ta shtynin lindjen, së paku disa orë pas datës 6.6.2006.

Tjetër punë Aleanca Euroatlantike. Po, por amerikanët nuk bashkohen me Evropën, pikësëpari për shkak të simboleve të BE që i gjen në flamur dhe në ID! S’janë si Evropa, ata kanë frikë nga Satana, dhe nga Fundi i Botës (shih filmin “The Omen” me Gregory Peck). Kur më 1966, qytetit Reeve (Lusiana) i ra hise prefiksi i telefonit 666, u desh intervenimi i dy senatorëve në Kongres ta anulojnë këtë prefiks, dhe qytetarët, angazhimin e tyre e quajtën “intervenim hyjnor”. Presidenti Reagan nuk guxoi ta kalonte një natë në shtëpinë me nr. 666 në Kaliforni, dhe urdhëroi zyrtarët që urgjentisht t’ia ndërronin adresën nga 666 në St. Claud Road 668.

Kryeministri i Kosovës nr. fillestar të telefonit e ka 666. Por Solana nuk ka intervenuar në “Vala 900”! Kryeministri im është i vetmi njeri në botë që nuk i trembet Satanës!

Qe pra për çfarë pasaporte serbët martohen me bullgare e shqiptarët me plaka gjermane. Por nuk di çka kam unë që po ia bëj dertin trendit të satanizmit. Po i vë pikë këtu shkrimit, se po më duket vetja si Gjergj Kastrioti që e mbronte Evropën nga Era Lindore!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›