John Kerry do zëvendësojë Hillary Clinton si Sekretar Shteti

Presidenti amerikan pritet të emërojë John Kerry si Sekretar të Shtetit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane.Kerry do zëvendësojë Hillary Clinton në krye të Departamentit të Shtetit.
Kerry ishte kandidati i demokratëve për president në vitin 2004 dhe mban aktualisht postin e kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat.Emërimi i tij vjen pasi ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, u tërhoq nga marrja në konsideratë e emrit të saj. Republikanët e kishin kritikuar rolin e saj për sulmit vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Bengazi.
Ata kishin kërcënuar se do e bllokonin emërimin e saj, pavarësisht mbështetjes së fortë të presidentit Obama.Vetë Kerry kishte folur në mbështetje të zonjës Rice.Kerry, 69 vjeç, do jetë emërimi i parë i presidentit Obama që pas rizgjedhjes në krye të shtetit.Analistët thonë se Kerry nuk do të hasë në kundërshti nga republikanët.
Kerry, një veteran i dekoruar i Vietnamit, humbi ndaj presidentit George W. Bush në vitin 2004. Ai ishte përfolur për postin e Sekretarit të Shtetit edhe në vitin 2008. Prej atëherë ai ka mbetur një senator me ndikim, duke bërë udhëtime kyçe në Pakistan, Siri dhe Rripin e Gazës.