E Diel, 1 Nëntor 2026

Jonathan Moore: Tensionet politike nuk do të ndikojnë në shtyrjen e zgjedhjeve

18-04-2013 / Gazeta 55

Zyrtari Uashingtonit dënon presionet mbi deputetin Kastriot Islami: Parimet demokratike kërkojnë jo vetëm zgjedhje demokratike por dhe që njerëzit të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore, gjatë një konferencë për shtyp në Ambasadën Amerikane në Tiranë shpreh shqetësimin për situatën dhe zhvillimet më të fundit në vendin tonë, teksa thekson se fokusi kryesor duhet të jetë krijimi i një klime besueshmërie në mbarëvajtjen e zgjedhjeve me qëllim që populli të ketë besim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Për të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, tensionet politike nuk do të ndikojnë në shtyrjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Mesazhi që ndava me ju është esencialisht mesazhi që ndava me ta. Pra, pritja e respektimit të ligjeve, pritja e zhvillimit të një fushate zgjedore profesionale, pjesëmarrje në zgjedhje me qëllim që të shohim Shqipërinë të bëhet një vend i begatë.  Të gjithë kanë ndarë me mua qëndrimin se duan që zgjedhjet të mbahen me 23 qershor dhe të gjithë kanë thënë se do të respektojnë rezultatin. Jemi të shqetësuar nga ajo që kemi parë, niveli i lartë i tensioneve politike ndërsa futemi drejt këtyre zgjedhjeve, sërish me pyetje edhe akuza në çështjen e ligjshmërisë”- tha Moore.

Duke komentuar situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhje, ku PS tërhoqi dy anëtarët e propozuar prej saj, Moore tha se “ne duam që KQZ-ja të funksionojë”, ndërsa apeloi që, ky intitucion të funksionojë vetëm në bazë të ligjit. Ndërkaq, Moore ka konfirmuar mbërritjen e një numri të konsiderueshme vëzhguesish për zgjedhjet e 23 qershorit, teksa i ka bërë apel klasës politike që të vërë në vend të parë interesat e vendit. Kongresi Amerikan, konfirmoi Moore, do ketë në ditët në vijim një seancë të posaçme për zgjedhjet.

Gjithashtu, Jonathan Moore ka shprehur shqetësim edhe mbi atë që ai e quajti ‘presion mbi deputetin Kastriot Islami’, si rrjedhojë e votimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas zyrtarit amerikan, parimet demokratike kërkojnë jo vetëm zgjedhje demokratike por dhe që njerëzit të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë.

Gjatë kësaj vizite në Tiranë, zyrtari i lartë amerikan ka takuar dhe kryeministrin Sali Berisha, kreun e LSI, Ilir Meta, atë të PS, Edi Rama dhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›