Kuvend, debate për vakancën në KQZ. Mazhoranca: Bllokimi, pasojë e krushqisë së 1 prillit, por zgjedhjet do të zhvillohen

UPDATE- Kuvendi e ka nisur seancën e sotme parlamentare përmes debateve lidhur me situatën më të fundit të krijuar në KQZ pas shkarkimit të Ilirjan Muhos dhe dorëheqjeve të nëpasnjëshme.
Në nisje të seancës Diskutimi mbi pr/ligjin e aderimit të Shqipërisë në Marrëveshjen e Londrës për patentat, ka ngjallur debate në seancën e sotme të Kuvendit.
Deputetja e PS-së Arta Dade gjatë fjalës së saj tha se sot ka rëndësi më shumë se kjo marrëveshje, funksionimi i këtij parlamenti, duke iu referuar shkarkimit të anëtarit të KQZ-së Ilirian Muho. Por kryeparlamentarja Topalli i ndërpreu fjalën, duke i kujtuar se është jashtë rendit të ditës.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përsëriti kërkesën që opozita të sjellë propozimet për plotësimin e vendeve vakante në KQZ, të krijuara pas tërheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste.
Ruçi: KQZ është marrë peng nga mazhoranca
Partia Socialiste justifikoi mosçuarjen e emrave në Parlament për plotësimin e dy vendeve vakante në KQZ, me pretendimin se ky institucion është marrë peng dhe politizuar nga maxhoranca.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, akuzoi maxhorancën për politizim të institucionit të administrimit të zgjedhjeve dhe për shkatërrim të standarteve demokratike. Ai bëri të ditur se nuk kishte marrë aspak në konsideratë kërkesën zyrtare të Kuvendit, referuar Kodit Zgjedhor për paraqitjen në seancën e sotme të emrave që do të plotësonin vakancën në KQZ.
Gjithashtu Ruçi ka dënuar shkarkimin e Muhos nga KQZ.
Patozi: Zgjedhjet do të bëhen, pavarësisht bllokimit të opozitës
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi siguroi se zgjedhjet e 23 qershorit do të zhvillohet pavarësisht përpjekjeve të opozitës për t’i bllokuar.
“Politikanët nuk merren me të shkuarën, por shohin nga e ardhmja. Por kjo është pasoja e re e krushqisë së 1 prillit. Dje i dhatë çdo shqiptari arsyet pse Ilirjan Muho nuk mund të qëndronte asnjë dite në KQZ, sepse anëtarët e KQZ u sollën si militantë të thekur partie, se kur Rama jep komandën "bajonete shpo", ato nisen. Rama trimi që deklaronte se edhe në shtëpinë e vet po t’i numëronte votat Saliu nuk do e shmangte fitoren, i bie se fitoren e përcaktoka vetëm një anëtar i KQZ. Çfarëdo vendimi të marrë Edi Rama zgjedhjet do mbahen se janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve. Ajo që për shqiptarët është një e drejtë, për Ramën dhe PS është detyrim kushtetues, të cilit po i shmanget”- deklaroi Patozi.
Grupi parlamentar i PS-së nuk do dorëzojë propozime të reja
Grupi parlamentar i PS-së u mblodh sot në mëngjes dhe vendosi që për momentin të mos dorëzojë propozime të reja për të zevendësuar vendet e mbetura vakant në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të Denar Bibës dhe Albana Shtyllës. Një tjeter vendim ishte ngritja e kësaj cështjeje në kuvend.