Jonid Toska e Apolonia shpallen kampionë

Rrethi i 65-të Ciklistik i Shqipërisë e mbylli dje në mesditë rrugëtimin e tij. Trofeu mbeti sërish në Fier, por këtë radhë te Jonid Toska, i cili arriti të dominonte ndaj ciklistit tjetër të Apolonisë, Palion Zarka. Kampioni i sezonit të kaluar u rendit i treti në Rrethin e 65-të në renditjen e përgjithshme, i lënë prapa nga vlonjati i talentuar Besmir Banushi. Ekipi fierak arriti të mbajë vendin e parë edhe në klasifikimin ekipor. Në etapën e fundit, Pogradec-Tiranë, 140 km e gjatë, Ervin Haxhi i Teutës me numër 31 në fanellë doli i pari me kohën 3h 54'08''. Durrsaku la mbrapa Xhevahir Jahjan e Apolonisë dhe në vend të tretë u ngjit sërish Jonid Toska. Nisja nga qyteti bregdetar u bë rreth orës 10:00 dhe ciklistët e prenë shiritin e finishit në kryeqytet në 13:51. Sipas gjyqtarit të Federatës Shqiptare të Ciklizmit, Pavllo Karaja, pati një shkëputje nga Endrit Xhumra i Teutës dhe Xhevahir Jahja i Apolonisë. "Fieraku u arrit në Gracen, ndërsa Xhumra u arrit në fillim të malores në Qafë-Kërrabë. Ndërkohë që në Gracen filloi shkëputjen Ervin Haxhi dhe në fund fitoi etapën. Ciklisti më i mirë mbetet për momentin Besmir Banushi, i cili më tepër ka bërë një garë individuale sesa ekipore. Pra i ka dhënë tonin të gjitha garave. Gjithashtu, edhe Haxhi e tregoi veten që është ciklist me perspektivë. Dua të theksoj se etapat kanë shkuar shumë mirë, me përjashtim të disa rrëzimeve që janë edhe pjesë e Rrethit. Një nga arritjet më të mëdha për këtë vit ka qenë se nuk ka pasur dëmtime të ciklistëve sic mund të ketë ndodhur më parë. Gjithashtu, ka përmirësime të kohës së etapave në Durrës-Pogradec, Shkodër-Burrel. Kjo e fundit mbetet një etapë shumë e vështirë". Ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Ciklizmit, Skënder Anxhaku, tha se nëpërmjet këtij aktiviteti u bë një promovim i madh i turizmit shqiptar. "Sic e pamë të gjithë, Federata Shqiptare e Ciklizmit ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe për të ardhur deri këtu. Nëpërmjet këtij rrethi, ne bëmë edhe një promovim shumë të madh për turizmin, duke filluar nga lugina e madhe e Leskovikut, Shkodra e Durrësi. Madje me ekipet e huaja kemi bërë edhe një vizitë në Prespë. Një falënderim të vecantë meriton edhe policia e shtetit që na ka pritur në mënyrë të shkëlqyer. Por një punë të madhe ka bërë edhe Korca. Dua të falënderoj të gjithë sponsorët dhe dashamirësit e sportit që janë pranë nesh dhe pranë jush".
Olgert Serani
Etapat e Rrethit Ciklistik
18 maj prolog 20 xhiro
Ervin Haxhi Teuta
19 maj etapa I Tiranë-Shkodër
Ervin Haxhi Teuta 2h 31' 50''
20 maj etapa II Shkodër-Burrel
Jonid Toska Apolonia 2h 42' 41''
21 maj etapa III(A) Lezhë-Shkodër-Krujë
Jonid Toska Apolonia 2h 52' 20''
21 maj etapa III(B) Fushë Krujë-Durrës
Tonin Prifti Apolonia 50' 45''
22 maj etapa IV Durrës-Pogradec
Palion Zarka Apolonia 4h 20' 16''
23 maj etapa V Korcë-Leskovik-Korcë
Jonid Toska Apolonia 4h 20'
24 maj etapa VI Pogradec-Tiranë
Ervin Haxhi Teuta 3h 54' 08''
Fituesit etapës së VI
Ervin Haxhi Teuta 3h 54' 08''
Xhevahir Jahja Apolonia 3h 55'
Jonid Toska Apolonia 3h 55' 15''
Klasifikimi individual përfundimtar
Jonid Toska Apolonia 21h 55' 50''
Besmir Banushi Flamurtari 21h 59' 17''
Palion Zarka Apolonia 22h 01 29''
Klasifikimi ekipor përfundimtar
Apolonia 65h 54' 15''
Profil line 67h 44' 06''
Teuta 67h 45' 38''
Banushi: I kënaqur edhe me kaq
"Në të gjitha etapat kam zhvilluar një garë të bukur e shumë të pastër, dhe ndihem mjaft mirë me veten, pasi jam nënkampion për të tretin vit radhazi. Nuk kam një ekip ashtu sic e kishin dhe e kanë ciklistët fierakë. Shpresoj që vitin e ardhshëm të bëhen disa ndryshime në skuadër që fatkeqësihit këtë vit nuk i pata. Vitin tjetër do të futem me një objektiv krejt tjetër dhe jo si sivjet, ku më është dashur të punoj i vetëm përballë 7 fierakëve. Pasi është vërtetë e pamundur të luftosh 7-1", qenë këto fjalët e nënkampionit Banushi.
Haxhi: Vitin tjetër, kampion
Me shumë ambicie u shfaq ciklisti Ervin Haxhi, i cili nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në renditjen e përgjithshme individuale. "Kisha shumë dëshirë që ta fitoja këtë etapë dhe ta mbyllja rrethin shumë mirë. Megjithatë, dua të falënderoj të gjithë skuadrën për ndihmën që më dhanë, trajnerin, presidentin Anxhaku, Ervin Likën, si dhe organizatorët. Shpresoj që edhe vitin tjetër të jem këtu, por jo për ta mbyllur i katërti, po për ta fituar", përfundoi Haxhi.
Toska: "Ia arrita qëllimit"
"Jam shumë i kënaqur me titullin dhe për këtë dua të falënderoj padyshim skuadrën e Apolonisë. Kjo ka qenë etapa më e fortë e rrethit. Realisht ka pasur një rivalitet të madh. Përgjatë etapave më shumë në vështirësi më kanë vënë gjermanët e Profil Line, një grup mjaft i fortë. Madje edhe sot (dje), ata bënë të pamundurën për të fituar, ndonëse nuk ia arritën dot qëllimit", u shpreh kampioni pas marrjes së trofeut të tij të parë, të cilin ia dorëzoi ish-presidenti i FSHF-së, Mico Papadhopulli.