E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta fiton 2-1 me Burrelin, mbijeton në Superligë

Teuta ia doli pas 120 minutave të mbijetojë në Kategorinë Superiore, pasi mposhti 2-1 në "play-out" Burrelin e Kategorisë së Parë në takimin e zhvilluar në "Qemal Stafa", me një penallti të realizuar nga Bledar Hodo në minutën e 114-të, kur dy ekipet e mbyllën me nga 10 lojtarë.
Ashtu si dy sezone më parë, kur Teuta e drejtuar nga Alfred Ferko fitoi me Skënderbeun e mbijetoi në Superligë, edhe në këtë "ekstra"-fundsezoni përvoja e 3-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë të drejtuar nga Kristaq Mile, vendosi jo pak.
Një takim me ritëm të ngadaltë loje, kjo dhe për shkak të temperaturës së lartë së motit, por që gjithsesi në faza të caktuara shfaqi edhe shenja të një futbolli të pranueshëm, për Teutën në pjesën e parë dhe Burrelin në të dytën, ndërsa shtesat prodhuan tension, teksa u hodh ideja e një braktisje nga ana e Burrelit, pas penalltisë së dhënë nga gjyqtari Sokol Jareci për Teutën shtatë minuta nga përfundimi i 120 minutave, ku u dhanë nëntë kartonë të verdhë e dy kartonë të kuq .
Mbrojtësi shtatlartë Dushku shfrytëzoi në maksimum harkimin nga e majta e sulmit durrsak me anë të Ilirjan Caushajt, e duke realizuar golin e parë në minutën e 7-të për blutë e Kristaq Miles. Skuadra matjane e udhëhequr nga kapiteni Xhetani në fushë e Përparim Daiu në bankinë mbeti e shokuar nga goli i shpejtë.
Mile pati edhe një rast të mirë në minutën e 28-të, por lojtari i huazuar nga Dinamo u tregua konfuz. Burreli pati një mundësi të artë në të 30', por Rada nuk u tregua i vëmendshëm përballë portierit Vashaku.
Në pjesën e dytë në "Qemal Stafa", matjanët ishin më entuziastë në kërkim të golit të dëshiruar e duke prodhuar emocione për shikuesit e paktë, por edhe ndonjë teprim fjalori.
Xhetani ngulmoi dhe një mbrojtës durrsak, mund të kishte shkaktuar autogl, por falë reflekseve të Vashakut, topi u devijua në goditje këndi. Buna, Xhixha, Uka e Xhetani patën disa momente të mira përballë një Teutë të lodhur në fraksionin e dytë.
Gjithsesi Burreli i Kategorisë së Parë mundi të prodhojë golin e dëshiruar, në sekondat e fundit të shtesës katër minutëshe: 1-1. Xhetani kombinoi me Xhixhën, i cili më një gjuajte tokazi, duke sjellë edhe golin e barazimit, atëherë kur askush nuk e priste.
Mehmeti për Teutën pati mundësi për të kaluar në avantazh në fillim të shtesës së parë, por ishte Uka i Burrelit, i cili me portën e boshatisur pas gabimit të portierit Vashaku, bëri më të vështirën duke e cuar sferën mbi tra.
Në fraksionin e dytë të shtesës durrsakët patën një rast të artë, kur një futbollist i saj goditi shtyllën, por portieri Haxhiaj i Burrelit, bëri mrekullinë, duke e dërguar në goditje këndi. Një minutë më pas, në të 114' Haxhiaj ndërpreu Mirel Cotën në zonën dhe Jareci akordoi penallti për Teutën, e duke ndëshkuar me karton të kuq portierin e Burrelit.
Drejtuesit matjanë protestuan ashpër, madje u hodh edhe ideja e braktisjes së fushës, në shenjë revolte.
Gjithesi, reflektimi i stafit të Burrelit se i priste një ndëshkim i rëndë, i riktheu në fushë, teksa mesfushori Xhixha luajti në minutat e mbetura në rolin e portierit.
Te pika u bardh u shfaq Bledar Hodo. Topi goditi shtyllën e më pas pushoi në portë për të sjellë edhe golin (2-1), që mbijetoi Teutën në Kategorinë Superiore.
Pas këtij momenti ka kohë edhe një karton të kuq për Likmetën e Teutës, për të vendosur edhe ekuilibrat në fushë përsa i përket numrit të lojtarëve. Jakupi i Burrelit gjuajti bukur në ecje e sipër ngjitur me shtyllën pingule.
Të dielën luhet edhe takimi i fundit "play-out" ai midis Kastriotit dhe Lushnjës. Gjyqtari i takimit, ndërkombëtari Sokol Jareci, i cili testoi për herë të fundit në një ndeshje të kampionatit shqiptar, u tregua i "pamëshirshëm" ndaj faulleve të lojtarëve, përpara se gjyqtari me stemën e FIFA-s e të gjykojë ndeshjen miqësore ndërkombëtare të nivelit të lartë, Spanjë-SHBA (4 qershor 2008), përpara se Spanja të nisë aventurën e saj në finalet e Euro 2008.
PLAY-OUT PËR SUPERLIGËN
Teuta-Burreli 2-1
Shënues: Dushku 7', Hodo 114' (p) /Xhixha 93'
Gjyqtar: Sokol Jareci
Kartonë të verdhë: Dushku (T), Buna (T), Hodo (T), Likmeta 2 (T)/ Xhixha (B), Xhetani (B), Stafa (B)
Karton i kuq: Likmeta (T) 116' /Haxhiaj (B) 113'

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›