E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jonuzi shënon për Vorskla, dëmtohet Curri

Vorskla Poltava vazhdon t'i falet futbollistëve shqiptarë në rrugën për mbijetesë në kategorinë superiore të futbollit ukrainas. Pas golit të Debatik Currit javën e kaluar, ka ardhur edhe radha e Ahmet Jonuzit për të shënuar një gol me vlerën e tre pikëve për skuadrën e tij. Mesfushori 19-vjecar i lindur në Vushtrri të Kosovës ka shënuar golin e dytë për skuadrën e tij në fitoren që Vorskla e ka shënuar në fushën mysafire përballë Karpaty me rezultatin 2-1. Goli i Jonuzit ka ardhur në minutën e 69-të të ndeshjes dhe është i pari për të në këtë sezon, sezon në të cilin ai ka filluar të luajë si titullar me skuadrën ukrainase.
Gjithsesi jo gjithcka ka shkuar mirë për treshen shqiptare të Vorskla Poltava, pasi në minutën e 27-të të ndeshjes Debatik Curri është detyruar që të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi të pësuar. Ndërkaq Armend Dallku e Ahmet Jonuzi janë aktivizuar nga 90 minuta në këtë takim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›