Pango-Duka, takim në kujdesin e Bamir Topit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe kreu i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango priten të takohen gjatë festës së organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me rastin e marrjes së ftesës të Shqipërisë për t'u bërë anëtar i organizatës më të madhe ushtarake në glob, NATO.
Lajmi konfirmohet për "Albania"-n nga burime të besueshme. Kryeshtetari shqiptar, ish-president i Tiranës, morri përsipër zgjidhjen e krizës së dytë më të rëndë në futbollin shqiptar, pas atij të vitit 2006, kur Shqipëria u pezullua nga dy organizmat më të mëdha ndërkombëtare botërore dhe europiane, FIFA e UEFA.
Vendi ynë është pezulluar nga ballafaqimet ndërkombëtare sërish nga FIFA (14 mars 2008) dhe UEFA (28 mars) për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike.
Ky do të ishte takimi i dytë Pango-Duka, pas atij të realizuar ën selinë e MTKRS-së, por që nuk prodhoi asnjë rezultat. Pak ditë më parë, presidenti Topi priti në Presidencë një delegacion të FSHF-së (së kryesuar nga Duka) dhe morri përsipër të gjejë një zgjidhje në të mirë të futbollit shqiptar dhe të pranueshme nga institucionet ndërkombëtare.
Konflikti FSHF-MTKRS ka të bëjë me statutin e federatës dhe pikërisht me nenin 60, ku nga ana e palës shtetërore është bërë një modifikimim e tij, duke shtuar togfjalëshin "sipas legjislacionit në fuqi", por të papranuar nga FSHF-ja.
Së fundi, Pango i kërkoi Dukës, të sillte artikulimin e nenit në fjalë sipas një prej versioneve të statutit në ligjet italiane, franceze dhe gjermane.
Edhe Zherom Shampanj, drejtor i marrëdhënieve me publikun pranë FIFA-s ofroi një version të tij të zgjidhjes së krizës, ku sipas Pangos, ai ra dakord që FSHF-ja të shkruante nenin, dhe t'ia dërgonte propozimin për miratim MTKR-së.
Pikë tjetër në diskutimin e "trojkës" Topi-Pango-Duka do të jetë edhe kontrolli financiar i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditit, por i kontestuar dhe i papranuar nga FSHF-ja.