E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portieri Shpëtim Moçka në fokusin e Ajaksit

Portieri i talentuar i Flamurtarit, 17-vjecari Shpëtim Mocka, mund të bëhet portieri i dytë shqiptar, që mund të luajë për një nga ekipet më të famshme holandeze, Ajaksin e Amsterdamit.
Një i dërguar i "harkëtareve" do të mbërrijë në Shqipëri në fillim të muajit maj (6 maj) për ta ndjekur në aksion lojtarin e Shpresave. Mocka është duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme me formacionin vlonjat. Portieri u thirr edhe nga trajneri i Kombëtares U-21 për ndeshjen me Maqedoninë (miqësore) dhe Greqinë (zyrtare), por të shtyrë për shkak të pezullimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA.
Testimi i portierit, pas vlerësimit të bërë nga i dërguari i Ajaksit, do të bëhet gjatë përgatitjeve verore, pas të cilit, nëse Mocka do të arrijë të bindë drejtuesit, atëhëre do të kërkohet të blihet edhe kartoni i tij.
Pas Arben Kasollit, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Ajaksit (portieri i tretë i saj), Mocka do të bëhet lojtari i tretë shqiptar që do të luajnë në kampionatin holandez. Aktualisht me FC Groeningen luan kosovari Shkodran Metaj.
Për të përmendur është fakti, se para disa vitesh (2003) edhe mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka, u testua dy herë në Akademinë e të Rinjve të Ajaksit.
Skuadra holandeze njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të talenteve dhe si një nga më produktivet në investimet e saj te futbollistët që premtojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›