Arti i studentëve në "Blic 3"
Një grup studentësh, nxënësish dhe pedagogë të shkollave artistike të Tiranës, kanë udhëtuar së bashku me punët e tyre të artit pamor nga Tirana në Ksamil. Punët e tyre kanë lënë Tiranën për të zënë vend në pinakotekën e qendrës së artit "Dea", që është një tjetër pasuri e kësaj vere në Ksamilin e ishujve piktoreskë. Ekspozita e artistëve të rinj të ardhur nga kryeqyteti, e titulluar "Blic 13", u çel në ditën e promovimit të sezonit veror 2008 për qytezën e Ksamilit, por ajo qëndron e hapur dhe vazhdon të tërheqë interesimin e dhjetëra vizitorëve në ditë. Salla e posaçme e qendrës së artit "Dea" në Ksamil, e destinuar për ekspozim pikturash, ka marrë plotësisht funksionet e një pinakoteke serioze me punët e ekspozuara të studentëve të akademisë dhe nxënësve të "Jordan Misjes". "Blic 13" do të thotë për vizitorin punë interesante, shumë prej të cilave i përkasin artit modern, ekspresionist. Gent Mata, Selam Musaja, Brisilda Shehu e Artan Toma janë disa nga emrat e studentëve të Akademisë së Arteve që janë të pranishëm me punët e tyre në Ksamil. Atyre u janë bashkangjitur edhe punët ende modeste, por të sinqerta të nxënësve të "Jordan Misjes", si: Erilda Selaj, Ajola Xhameta, Xhesika Selfo, Alba Bylyku, Hektor Çela, Lidia Capa, Bujana Kurti etj. Kurator i kësaj ekspozite është mësuesi i tyre Everest Imeraj. Ai flet me dashuri për këtë nismë artistike të ndodhjes në Ksamil me punët dhe autorët e tyre. Ai thotë se artistët e rinj janë të ftuarit e kompozitorit të njohur Limos Dizdari, në qendrën e tij të artit "Dea". Ndërkohë që Dizdari tregon se si e pa këtë ekspozitë në galerinë e Tiranë dhe organizatorët patën dashamirësinë ta sjellin këtu. "Blic 13" është e para ekspozitë në qendrën e artit "Dea" dhe ka dhënë modelin e një mënyre tjetër të realizimit të marrëdhënieve të spektatorit me artin pamor. "Blic 13" i paraprin promovimit të pinakotekës, që, sipas Dizdarit, do të marrë emrin e personaliteteve të artit pamor, Buza-Paskali.