E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për mashtrim financiar Çeki Gori

"Rita është nëna e fëmijëve të mi. Për të nuk mund të them tjetër veç fjalëve të mira. Valeria është gjendur përkrah meje kur kam qenë në vështirësi. Edhe për të kam veç fjalë të mira për të thënë. Por tani jam i lumtur me Marën", kishte thënë duke iu referuar historisë së kohëve të fundit me Mara Meis, modele dhe aktore

Producenti i njohur italian, Vitorio Çeki Gori, u dërgua dje në repartin e izolimit të burgut të Romës, "Rexhina Çeli", nën akuzën e falimentit të stisur. "Qetësohuni, sigurisht është një keqkuptim", u tha producenti disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt ndërsa shoqërohej jashtë shtëpisë nga agjentët e policisë. Ndërkaq, avokatët e tij thanë për mediat se "nga analizat e hetimeve të deritanishme përjashtohet çdo hipotezë përfshirjeje në ndonjë veprimtari të jashtëligjshme nga ana e Çeki Gorit. Bëhet fjalë për operacione financiare të grupit, që të gjitha konform ligjeve dhe rregulloreve të shtetit".

Tre arrestime

Ish-producenti kinematografik gjendej në shtëpinë e tij në Romë në çastin kur iu komunikua masa e arrestimit lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Xhanluka Muliri. Forcat e "Guardia di Finanza" nën dispozicion të magjistraturës italiane, arrestuan edhe dy bashkëpunëtorë të Çeki Gorit. Luixhi Barone, bashkëpunëtor i ngushtë i producentit dhe Xhorxho Ginin, president i kolegjit sindikalist të shoqërisë "Safin", të cilit iu dha masa e arrestit shtëpiak.

Hetimi

Emri i Çeki Gorit qe vendosur në listën e të hetuarve për evazion fiskal në janar të këtij viti. Më 15 maj, Prokuroria e Romës kishte kërkuar shtyrjen e gjykimit për Çeki Gorin dhe bashkëpunëtorin Barone. Kërkesa për masën e sigurisë me burg i referohet falimentimit të shoqërisë "Safin Cinematografica". Në dosjen e përpiluar nga organi i akuzës gjejnë vend edhe dështimet e mëparshme të Vitorio Çeki Gorit, ajo e falimentimit të klubit sportiv "Fiorentina" dhe shoqëria "Finmavi".

"Safin" e fundit kompani që ka dorëzuar regjistrat financiarë në gjykatë u deklarua e falimentuar më 20 shkurt të këtij viti me bilanc negativ prej rreth 25 milionë eurosh. Shoqëria menaxhonte sallat kinematografike të grupit në Itali, mes të cilave edhe kinemaja "Adriano" në Romë, e konsideruar si më fitimprurësja e gjithë grupit të zotëruar nga producenti i famshëm.

Sekuestrimet

Prokuroria e Romës, njëherësh ka marrë masat për sekuestrimin e kuotave aksionere të disa sipërmarrjeve ku është i përfshirë edhe grupi Çeki Gori. Bëhet fjalë për zotërime të pasurive të paluajtshme në zona mjaft prestigjioze me vlerë prej disa qindra milionë eurosh. Mes tyre duhen veçuar disa salla kinemash në Romë, Firence, Xhenova e Bari.

Sipas prokurorisë italiane, disa kompani të grupit "janë shtyrë qëllimisht drejt falimentimit, gjë që është pasuar me kalimin e pasurive të tyre në drejtim të shoqërive të tjera të zotëruara nga i njëjti grup. Gjithçka është kryer nën justifikimin e operacioneve false të riorganizimit të grupit. Janë vërejtur kalime të dyshimta kuotash aksionesh nga një kompani te tjetra, operacione shitjeje të stisura, edhe me shoqëri të huaja".

Valeria Marini

Ish-mikesha e dikurshme, Valeria Marini, qe e para që i shprehu keqardhjen. "I shpreh mbështetjen time të plotë. Më vjen jashtëzakonisht shumë keq dhe shpresoj që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Sot jam përkrah tij, siç kam qenë gjithnjë, edhe në çaste të vështira. Vazhdoj të ruaj miqësinë me të dhe në rast se do ketë nevojë për mua, gjithçka qoftë, do të jem e gatshme ta ndihmoj". Më pas e pa me vend të nënvizonte: "Kam pasur një histori me të. Isha e famshme para se të lodhesha me të dhe vazhdoj të jem edhe pse nuk jemi më prej kohësh bashkë. Nuk kam kërkuar asgjë në këmbim të përkushtimit tim dhe nuk më intereson aspak ç‘mund të thonë njerëzit për ne të dy. Të tjerat as që ka rëndësi të zihen me gojë".

Precedentët

Kalvari gjyqësor i ish-senatorit (i zgjedhur në vitin 1994 me Partinë Popullore) nisi me skuadrën e futbollit Fiorentina. Më 5 korrik të vitit 2001, Çeki Gori, atëherë president i kësaj skuadre (e drejtoi nga viti 1993 deri në 2002), mori njoftimin zyrtar mbi parregullsitë financiare që qenë vërejtur pas procedurave të falimentit të skuadrës që ishte shpallur një muaj më parë. Një ditë më pas u hetua nga Prokuroria e Romës për zotërimin e substancave të ndaluara, duke qenë se në apartamentin e tij në kryeqytetin italian qenë zbuluar disa gramë kokainë. Gjatë kontrollit të kryer në shtëpi, Çeki Gori gjendej nën shoqërinë e Valeria Marinit. Pak ditë më pas hoqi dorë nga të gjitha detyrat që mbulonte në grup.

Në shtator firmos kambiale nën garanci me vlerë 70 miliardë lira, më pas hipotekon pallatin e mrekullueshëm të njohur si "Palazzo Borghese". Në shtator hetohet nga Prokuroria e Firences për falsifikim të bilanceve dhe përfitime të paligjshme në kuadër të hetimeve të gjendjes financiare të klubit futbollistik Fiorentina. Në nëntor i shet shoqërisë kinematografike "Medusa" të drejtat mbi disa filma, operacion nga i cili grumbulloi rreth 40 miliardë lira. Me këto para kërkoi të paguante një pjesë të pagave të prapambetura të futbollistëve, si edhe disa borxhe të tjera. Në vitin 2002, Fiorentina deklaroi falimentin financiar, ndërkohë që ndaj Çeki Gorit nisën hetimet për faliment me qëllim përfitimet e paligjshme. Një muaj më pas iu njoftua edhe masa e arrestit shtëpiak. Në nëntor të vitit 2006 u dënua me tre vjet burgim.

Punët e zemrës

Dhe në fund, thashethemet sentimentale të njeriut që vitet e fundit i ka kaluar vërtet kohë të këqija. Së pari, martesa me Rita Rusiç (nga viti 1983 në 2000. Rita kërkoi shifra marramendëse parash), pas kësaj lidhja me Valeria Marinin e përfunduar në vitin 2005. "Rita është nëna e fëmijëve të mi. Për të nuk mund të them tjetër veç fjalëve të mira. Valeria është gjendur përkrah meje kur kam qenë në vështirësi. Edhe për të kam veç fjalë të mira për të thënë. Por tani jam i lumtur me Marën", kishte thënë duke iu referuar historisë së kohëve të fundit me Mara Meis, modele dhe aktore. Atëherë nuk e kishte pranuar dështimin e kompanisë "Finmavi": "Nuk kam ndalur për asnjë çast së prodhuari filma, por tani mund të punoj më i qetë", kishte thënë Çeki Gori lidhur me një prej pasioneve të tij më të mëdha. "Qetësi" që zgjati shumë pak.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›