E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hazis Ndreu, artisti i të gjitha gjinive

Tek ai, arti gërshetohet në mënyrën më brilante. Ka shkelur në të gjitha gjinitë e tij dhe ka lënë gjurmë. Këngëtari, aktori, rapsodi, historiani dhe etnografi, Hazis Ndreu, festoi dje 80-vjetorin e lindjes. Jeta e pasur artistike mblodhi në Qendrën Kulturore të Ushtrisë në Tiranë, artistë, miq dhe dashamirës të "Mjeshtrit të Madh", Hazis Ndreu.

Teksa dëgjon emrin e tij nuk ka se si të mos të kujtohen rapsoditë e bukura të zonës së veriut, që vijnë në sfond sapo ndriçohet skena. Por jo vetëm kënga, edhe vallet e mrekullueshme, poezitë dhe studimet për Skënderbeun do të mbeten gjithmonë në mendjen e shqiptarëve.

Kanë qenë studiuesit e artit ata që kanë vënë në pah talentin dhe aftësinë e pakrahasueshme të Hazis Ndreut. Në kumtesat e Moikom Zeqos, Ramazan Bogdanit, Afërdita Jonuzit etj., dje u vu re vlerësimi i madh për artistin dibran me dimensione kombëtare. Ndërsa Bujar Kapexhiu, ishte libreti i programit artistik që u organizua nga shoqata "Bashkësia Dibrane", Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe Shoqata Kulturore "Valë e Drinit", me rastin e 80-vjetorit të lindjes së "Mjeshtrit të Madh", Hazis Ndreu. I pranishëm në skenë, ai përjetoi me emocion të madh vlerësimet që iu bënë veprës së tij. Madje, Hazisi kishte përgatitur nga një kartolinë urimi për të gjithë ata që referuan përgjatë programit artistik.

"Kur flet për Hazisin është e vështirë, sepse duhet të flasësh për disa persona, për disa zhanre të artit dhe kulturës", tha në nisje të fjalës së tij, artisti Bujar Kapexhiu. Fillesat e veta Hazis Ndreu i kishte si një nëpunës dhe më tej ngjiti një e nga një shkallët e karrierës artistike, që i nisi me rapsodi.

Ndërsa për studiuesin Moikom Zeqo, Hazis Ndreu është edhe një krijues në fushën e letrave. "Do veçoj dy aspekte të figurës multidimensionale, që përbëjnë këtë njeri krijues unik", tha Zeqo në fjalën e tij, teksa vijon me fjalët: "Studimi i tij për Skënderbeun, përmes toponimeve dhe gjurmimeve në zonën e Dibrës, nuk ka qenë vetëm një shkencë e terrenit. Për Skënderbeun ka disa studime të tipit gojëdhënor, por studimi i Hazis Ndreut është diçka e re dhe serioze, që më ka bërë shumë përshtypje. Janë studime që lidhen me veriun dhe jugun e vendit, ndaj të gjithë studiuesit duhet të marrin për bazë këtë libër dhe këtë studim të Hazis Ndreut". "Më ka bërë përshtypje edhe një vepër tjetër", shton më tej në kumtesën e tij, Moikom Zeqo. Ajo është një përmbledhje me tregime alegorike dibrane, që sjell rrëfime të popujve. Libri nxjerr në pah mençurinë e popullit tonë përmes karakterit linear të rrëfimit. Sipas Moikom Zeqos, ky libër është risi ndaj shprehu keqardhjen se pse botimi nuk ka tërhequr edhe aq vëmendjen e shkrimtarëve. "Shkruesi i librit ka dimensione të veçanta dhe trashëgimia e tij është më shumë se ai fizikisht", përfundon Moikom Zeqo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›