E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jorgji Doksani: Ju rrëfej dashuritë e mia ruse

 

rudina hoxha

Rusinë e ka në zemër. I adhuron kulturën, por jo vetëm kaq. Me plotgojën Jorgji Doksani ia dedikoi jetën e tij letërsisë dhe gjuhës ruse. Mbetet përkthyesi i pjesës dërrmuese të letërsisë ruse në gjuhën shqipe dhe ndjehet krenar sepse ka marrë shumë prej kulturës së këtij vendi. Por me Rusinë nuk e lidh vetëm Tolstoi, Dostojevski, apo Gogoli. Dikur u martua me një ruse dhe nga ajo martesë lindi Olia, që sot jeton në Moskë dhe që përmallohet sa herë takon babanë e saj shqiptar.
Përkthyes i prozës dhe i specializuar për letërsi dhe gjuhë ruse në Institutin Pedagogjik Shtetëror, “Lenini” të Moskës, Jorgji Doksani kujton sa me fat ishte që menjëherë sa mbaroi studimet, në moshën 22-vjeçare u emërua pedagog i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës. “Si gjithë studentët që shkuan aso kohe në Bashkimin Sovjetik për studime, u përpoqa të dal me rezultate sa më të mira. Ishim brumosur me atë idenë se na kishte çuar partia, dhe kemi punuar me shumë seriozitet për të arritur më të mirën e të mirave”, - thotë përkthyesi. Nuk ishin pak ata që krijuan familje në Bashkimin Sovjetik dhe erdhën këtu me gratë e tyre në Shqipëri. Një nga këto ishte edhe Doksani. “Bashkë me time shoqe, që punoi si profesoreshë matematike në Universitetin e Tiranës, u përpoqëm t’i shërbenim atdheut me sa fuqi që kishim. Dhe sikur e futëm edhe jetën tonë në rrugë të mbarë”. Ndryshimet në kursin e politikës ndërkombëtare që sollën prishjen e marrëdhënieve me BS-në ndikuan edhe në fatin familjar të tij. “Që nga ajo kohë i humba plotësisht lidhjet me familjen time. Me vajzën time, Olia, që lindi në Shqipëri, u takova vetëm pas 30 e ca vjetësh. Ishte viti 1992. U njohëm me fotografi sepse unë nuk e njihja atë dhe ajo s’më njihte mua”,- thotë Doksani, teksa mërmërit se “këto janë fatet e njeriut”. Ai shkoi në Moskë më 1992 me një delegacion nga Universiteti i Tiranës, për të lidhur një marrëveshje me Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare për të çuar studentë shqiptarë për studime atje. “Gjatë kësaj vizite, ku shkova me Rektorin e UT-së së asaj kohe, Et’hem Lika, takova vajzën time. U njohëm me anë të fotografisë. Pas lidhjes së marrëveshjes, ndenja me vajzën edhe nja 2-3 javë. Dhe më pas jemi takuar rregullisht”, - thotë ai.
“Rob” i përkthimit
Me origjinë nga Berati, qyteti i kishave bizantine, Doksani, 74 vjeç, është përkthyesi i më shumë se 50 librave. Ish-profesori i gjuhës ruse në Fakultetin Histori-Filologji të Tiranës i sjell në kujtesë momentet kyçe të jetës së tij profesionale si të kenë ndodhur dje. “Artikujt publicistikë të Maksim Gorkit ishin materialet e para që kam përkthyer. Ishte hapi i parë në fushën e përkthimit nga ku mora shumë zemër”, - tregon Doksani. Por “gurët e çmuar” mbeten 10 vëllimet e përzgjedhura të Dostojevskit dhe 8 vëllimet e Çehovit. “Këto i kam përkthyer me shumë kujdes dhe pasion. Dostojevskin dhe Çehovin i quaj si fjalën time të fundit”, - thotë përkthyesi, ndërkohë që e pranon se vepra që i ka nxjerrë vërtet telashe ka qenë “Dr. Zhivago”. “Është një libër me një kulturë shumë të thellë, por edhe me një frymë kombëtare shumë të theksuar”, - thotë ai, duke shtuar se “libra të tillë kanë frazeologjinë dhe shprehjen përkatëse, por mbi të gjitha mentalitetin psikologjik të kombit. Ta paraqesësh këtë libër në një vend me kulturë dhe tradita të tjera është shumë e vështirë. Unë jam përpjekur shumë”. Megjithatë ai e pranon se falë begatisë së gjuhës shqipe, puna i është bërë më e lehtë. “Ne mund të japim një ekuivalent nga shqipja për çdo frazë intelektuale të çdo lloj gjuhe, sado e evoluar që të jetë”, - thotë Doksani. Kujton veprën “Letër Nënës” të Sergei Eseninit, e cila është përkthyer nga 6 poetë, e jo dosido si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Jorgo Bllaci dhe Dhori Qiriazi. “Kjo shpjegohet me faktin se gjenin në këtë letërsi botën e shpirtin e tyre. Poeti merr atë që i shkon për shtat shpirtit të tij. E bën për pasion”, - thotë ai, teksa shton se fjala ka forcën më të madhe të komunikimit në krahasim me çdo lloj tjetër arti. Sapo shijoi jehonën e mirë të librit “Letërsia botërore e shekullit të 20-të”, përkthyesi ka nëpër duar një libër tjetër, më voluminoz “Shkrimtarët më të mëdhenj të botës”, i cili përfshin rreth 70 autorë, duke filluar nga Homeri deri te Markez, i vetmi që është gjallë. Megjithatë një gjë është e sigurt, ai shpejt do të ketë ndër duar kryeveprën e radhës të letërsisë ruse në procesin tekanjoz të përkthimit.

Tendosja pas prishjes me Bashkimin Sovjetik

Kthesat e mëdha të historisë ndaj individit janë të pamëshirshme. “Mbas ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, duhet të harroja gjithçka, familjen, vajzën time dhe të punoja. Mbaj mend shumë mirë tendosjen e madhe që përjetuam më pas. Prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve tona duhet të reflektoheshin në çdo aspekt, në mësimdhënie dhe kudo. Kemi punuar si në kohën e revolucionit, si në kohën e emergjencës. Punë natë e ditë”, - kujton Doksani. Komisar Batalioni me gradë major dhe më pas sekretar partie në Fakultetin Histori-Filologji, Doksani kujton se puna u bë bashkudhëtarja e jetës së tij për një kohë të gjatë. Atij dhe kolegëve, u ishin ngarkuar përgjegjësi, ndonjëherë edhe tej mundësive dhe kapaciteteve të tyre. “Në moshën 33- vjeçare u bëra docent. Një rast i rrallë. Mbaj mend të kem punuar një dimër të tërë për të krijuar fondin rezervat të Bibliotekës Kombëtare, për të ndarë libra që lejoheshin nga të ndaluarit. Ishte një tendosje e jashtëzakonshme, të cilën mendoj se e kam kaluar vetëm në sajë të moshës së re që kisha dhe mbështetjes së shokëve të mi të mirë”, - vazhdon ai. “Në atë kohë isha beqar dhe më gjeje vetëm në bibliotekë, në fakultet, në konvikt, duke lexuar a kërkuar ndonjë libër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›